A është e ardhmja një rënie e shpejtë, një “epokë e re poshtërimi”...
Përballë proteksionizmit amerikan dhe krizës së NATO s, Evropa nuk mund të mbetet spektatore. Vetëm një ripërtëritje e thellë, në siguri, ekonomi dhe kulturë politike, mund ta kthejë epokën e poshtërimit në epokë përtëritjeje.
Evropa duket se po zgjohet ndaj realitetit të ri në botë. E lënë pas dore, e fyer dhe e goditur nga ish mbrojtësja e saj, Shtetet e Bashkuara, liderët evropianë po pyesin: ku do të shkojmë tani?
A është e ardhmja një rënie e shpejtë, një “epokë e re poshtërimi”, siç thotë analisti Adrian Wooldridge? Apo ndoshta ngjarjet e fundit do të nxisin një ripërtëritje të thellë, të vonuar prej kohësh?
Gjatë viteve të ardhshme, Bashkimi Evropian duhet të përballet me presidentin Donald Trump. Por sfida më e madhe është afatgjatë: si të përballojë jo vetëm këtë administratë, por edhe pasojat e saj, që ka gjasa të ndryshojnë rendin global.
Për ta bërë këtë, Bashkimi Evropian duhet të rishikojë vetë qëllimin e tij, gjë që prek të gjithë, anëtarët aktualë, ata që duan të bashkohen, por edhe ata që janë larguar, si Britania e Madhe.
Shumë evropianë e shohin përballjen me Trump si një zgjedhje mes dy rrugëve: të përulesh apo të hakmerresh. Por të dyja këto qasje janë iluzore. Paqëtimi dështon sepse Trump nuk kënaqet kurrë dhe nuk e sheh asnjë marrëveshje si të detyrueshme. Hakmarrja gjithashtu dështon, sepse SHBA ka avantazhin e përshkallëzimit: nëse nis një luftë ekonomike, të dyja palët humbasin, por Evropa humbet më shumë. Prandaj, zgjedhja e mençur nuk është as nënshtrimi, as konfrontimi, por shkëputja e qetë dhe e matur nga Shtetet e Bashkuara.
Në fushën e tregtisë, Evropa mund të ndjekë parimin klasik të tregtisë së lirë: të mos i përgjigjet proteksionizmit amerikan me proteksionizëm evropian. Tregjet e BE së duhet të mbeten të hapura, edhe nëse SHBA vendos tarifa.
Kjo jo vetëm që e minimizon dëmin për Evropën, por edhe e bën të qartë se faji për pasojat bie mbi Uashingtonin. Nga ana tjetër, në fushën e sigurisë, Evropa nuk mund të përballojë një shpërbërje të NATO s.
Ankesat e Trump për shpenzimet e ulëta të mbrojtjes në Evropë janë të drejta. Prandaj, BE ja duhet të rrisë urgjentisht investimet në mbrojtje, të forcojë kapacitetet e veta dhe ta zvogëlojë varësinë nga SHBA.
Kjo nuk do të thotë nënshtrim, por as provokim: bashkëpunim aty ku është e mundur dhe refuzim i qartë aty ku është e nevojshme. Por Evropa ka një problem më të thellë: mungesën e ambicies gjeopolitike.
E mbrojtur nga Shtetet e Bashkuara pas vitit 1945, ajo u përqendrua tek harmonizimi i brendshëm, duke lënë mënjanë ndërtimin e një vizioni strategjik të përbashkët. Tani, me rendin global të tronditur, kjo mungesë është e rrezikshme.
Në këto kushte, një ripërtëritje e vërtetë e Evropës do të kërkonte së pari një përqendrim të ri tek siguria kolektive. Nuk mjafton vetëm të rriten shpenzimet për mbrojtjen; duhet një aleancë e qartë brenda NATO s.
Dhe vendet evropiane të angazhohen për mbrojtje reciproke, me pjesëmarrjen e plotë të Britanisë dhe të tjerëve. Ushtritë evropiane duhet të bëhen më të forta dhe më të bashkuara.
Së dyti, është e domosdoshme të korrigjohen gabimet e grumbulluara në politikën ekonomike. Raporti i ish kreut të Bankës Qendrore Evropiane dhe ish kryeministrit italian Mario Draghi i vitit 2024 i thekson shumë qartë ato.
Ai përmend rregullat e tepërta që pengojnë inovacionin, mungesa e një tregu të vetëm kapitali, tranzicioni i keqmenaxhuar drejt energjisë së pastër dhe mungesa e një politike fiskale të përbashkët. Pa adresimin e këtyre dobësive, Evropa nuk mund të konkurrojë me fuqitë e tjera globale.
Së treti, kërkohet një ndryshim kulturor. Bashkimi Evropian duhet të gjejë ekuilibrin mes unitetit dhe sovranitetit kombëtar: aq shumë bashkim sa është e nevojshme, aq pak sa është e mundur.
Një union i fokusuar tek siguria kolektive është i domosdoshëm, por kjo nuk mund të arrihet duke fshirë identitetet kombëtare që qytetarët i ndjejnë gjithnjë e më fort. Për ta thënë thjesht, Brukseli duhet të heqë dorë nga mendësia e centralizimit të tepruar.
Shanset për një rishpikje të tillë? Të vogla, por jo të pamundura. Donald Trump ka sjellë një tronditje që e detyron Evropën të zgjedhë: ose të dështojë, ose të ripërtërihet. Dhe ky është një moment vendimtar./ Përshtati “Pamfleti”, nga “Bloomberg”
Lini një Përgjigje