Për herë të parë pas shumë vitesh, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk po ndjekin më një strategji të përbashkët në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa Brukseli vazhdon të kushtëzojë mbështetjen me reforma dhe respektimin e rregullave, Uashingtoni po orienton gjithnjë e më shumë angazhimin e tij drejt interesave ekonomike dhe marrëveshjeve tregtare.
Konsensusi që për dekada ka karakterizuar qasjen perëndimore ndaj Ballkanit Perëndimor, duket se po shpërbëhet. Për herë të parë pas shumë vitesh, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po ndjekin hapur politika të ndryshme në rajon, duke krijuar një hendek të ri strategjik.
Pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, politika amerikane është bërë dukshëm më transaksionale, me theks të fortë te marrëveshjet ekonomike që favorizojnë kompanitë amerikane.
Në një raport të fundit për Ballkanin Perëndimor, Departamenti Amerikan i Shtetit theksoi se “epoka e ndërtimit të kombeve e udhëhequr nga SHBA-ja ka përfunduar”, një deklaratë që u interpretua gjerësisht si largim nga politika tradicionale amerikane, e mbështetur te promovimi i vlerave demokratike.
Në anën tjetër, Bashkimi Evropian vazhdon të mbështetet te një qasje e bazuar në rregulla dhe kritere, duke e lidhur përparimin drejt anëtarësimit me zbatimin e reformave dhe duke paralajmëruar se mungesa e tyre mund të sjellë humbjen e fondeve evropiane.
Dy vizione të ndryshme për Bosnjën
Në Bosnje Hercegovinë, një kompani amerikane me lidhje me administratën Trump, por
pa përvojë në ndërtimin e gazsjellësve, ka nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme për zgjerimin e tubacionit të gazit të lëngshëm (LNG), i cili do ta lidhë vendin me terminalin në Adriatik, në Kroaci.
Projekti ka shkaktuar shqetësim në Bruksel. Ambasadori i BE-së në Bosnje, Luigi Soreca, u ka dërguar autoriteteve në Sarajevë një letër paralajmëruese, duke theksuar se Bosnja mund të humbasë miliona euro financime evropiane nëse projekti nuk respekton rregullat e BE-së për prokurimet publike.
Ndërkohë, në Republikën Srpska, entiteti me shumicë serbe brenda Bosnje Hercegovinës, lideri pro-rus Milorad Dodik vazhdon të promovojë politika separatiste, ndërsa ka pritur edhe vizita nga Donald Trump Jr., djali i presidentit amerikan.
Tetorin e vitit të kaluar, SHBA hoqën sanksionet ndaj Dodikut dhe familjes së tij, pavarësisht se ai ishte dënuar për moszbatimin e vendimeve të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR), institucioni ndërkombëtar që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.
Njëkohësisht, disa kompani amerikane me lidhje me Shtëpinë e Bardhë kanë nënshkruar marrëveshje me qeverinë e Republikës Srpska, përfshirë edhe në sektorin e mbrojtjes.
Marko Prelec, analist në Grupin Ndërkombëtar të Krizave (International Crisis Group), tha për Euractiv se administrata Trump fillimisht ndoqi një qasje të kufizuar ndërhyrjeje, të ngjashme me atë evropiane, por se situata ka ndryshuar ndjeshëm.
“Politika është shndërruar në një garë të hapur për përfitime financiare, ku synimi është sigurimi i kontratave fitimprurëse për kompani amerikane me kredenciale të dyshimta, avantazhi kryesor i të cilave është afërsia me Donald Trump”- tha ai.
Sipas Prelec, mosbesimi mes Brukselit dhe Uashingtonit është rritur ndjeshëm. “BE-ja ka arritur në pikën që, sa herë SHBA-ja mban një qëndrim për Ballkanin, instinktivisht tenton që të pozicionohet në kahun e kundërt”, u shpreh ai.
Një nga shembujt më domethënës të këtij tensioni është e ardhmja e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR), institucioni që mbikëqyr zbatimin e pjesës civile të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit të vitit 1995.
Pas largimit të Christian Schmidt nga posti në muajin maj, SHBA-ja dhe BE-ja mbeten të ndara për rolin që duhet të ketë kjo zyrë në të ardhmen. Më shumë se tri dekada pas krijimit të OHR-së, Uashingtoni kërkon kufizimin e mandatit të saj dhe ka paralajmëruar se mund të tërheqë mbështetjen.
Ndërkohë Bashkimi Evropian, argumenton se ende nuk janë plotësuar kushtet për reduktimin e kompetencave të OHR-së.
Serbia mes Uashingtonit dhe Brukselit
Në Serbi, situata paraqitet më komplekse. Muajin e kaluar, presidenti Aleksandar Vuçiç e ftoi Donald Trump për një vizitë shtetërore dhe mbështeti projektin për ndërtimin e një hoteli Trump në ish-selinë e ushtrisë jugosllave në Beograd, një ndërtesë e bombarduar gjatë ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 dhe më pas e shpallur si monument përkujtimor.
Megjithatë, pas muajsh protestash dhe betejash ligjore, projekti u anulua. Pavarësisht kësaj, Beogradi vazhdon të ruajë marrëdhënie të afërta me figura të administratës Trump, duke pritur vizita të Donald Trump Jr. dhe aleatëve të tjerë të Shtëpisë së Bardhë.
Edhe pse interesi amerikan për investime është zbehur pas dështimit të projektit të hotelit, SHBA-ja mbetet e interesuar për projekte në sektorin e gazit të lëngshëm dhe të minierave.
Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet e Serbisë me Bashkimin Evropian po bëhen gjithnjë e më të vështira. Javën e kaluar, tetë shtete anëtare të BE-së bllokuan hapjen e një kapitulli të ri në negociatat e anëtarësimit të Serbisë.
Ky fragmentim i qëndrimit perëndimor po i vendos vendet e Ballkanit përballë dy strategjive gjithnjë e më të ndryshme. Njëra mbështetet te reformat, sundimi i ligjit dhe procesi i integrimit evropian.
Ndërsa tjetra i jep përparësi interesave strategjike dhe ekonomike të Shteteve të Bashkuara, me një qasje dukshëm më pragmatike. Kjo ndarje, rrezikon të dobësojë ndikimin tradicional të Bashkimit Evropian në një rajon, ku procesi i zgjerimit ka qenë prej dekadash instrumenti kryesor i politikës së tij të jashtme./Përshtati "Pamfleti", nga ”Euractiv”
Lini një Përgjigje