Shpejtësia është një nga përshtatjet më mbresëlënëse të natyrës. Ajo i ndihmon kafshët të gjuajnë, t’u shpëtojnë grabitqarëve, të migrojnë etj. Nga zogjtë që fluturojnë nëpër qiell, tek peshqit që notojnë nëpër dete e oqeane, deri tek grabitqarët e shkathët që vrapojnë mbi tokë, në mbretërinë shtazore ekzistojnë disa shembuj të pabesueshëm të shpejtësisë.
1. Skifteri shtegtar
Është kafsha më e shpejtë në Tokë. Gjatë pikiatës së tij të famshme nga lartësia drejt tokës për ta kapur prenë, ai mund të arrijë një shpejtësi mbi 320 kilometra në orë. Ky zog grabitqar është i përhapur gjerësisht në të gjithë botën.
2. Shqiponja e Artë
Shqiponja e Artë e sulmon gjahun e saj me shpejtësi mbi 240 kilometra në orë. Kjo shpejtësi e jashtëzakonshme, nuk i shërben vetëm për gjueti, por edhe për t’iu shpëtuar rreziqeve. Shqiponjat e Arta gjenden kryesisht në vendet e Hemisferës Veriore.
3. Gushëbardha bisht gjilpërë
Është një zog shumë i shpejtë, me një shpejtësi që arrin deri në 168 kilometra në orë. Ndryshe nga shqiponjat, ky zog e arrin këtë shpejtësi gjatë fluturimit horizontal, jo gjatë pikiatës. Kjo aftësi e ndihmon atij të migrojë në distanca të gjata dhe ta kapë prenë që në ajër.
4. Fajkoi euroaziatik
Fajkoi euroaziatik jeton në Evropë, Azinë dhe Afrikë. Gjatë ndjekjes së presë së tij, të cilën e kap që në ajër, ai mund të arrijë shpejtësinë deri në 160 kilometra në orë. Ushqehet me insekte të mëdha dhe zogj të vegjël.
5. Pata me Krahë të Dendur
Është shpendi ujor më i shpejtë në botë. Ajo mund të arrijë një shpejtësi deri 142 kilometra në orë. Kjo shpejtësi nuk përdoret për gjueti, pasi këto pata kullosin nëpër barishte, por për t’iu shpëtuar grabitqarëve dhe për të migruar në distanca të gjata nëpër Afrikën Subsahariane.
6. Gepardi
Gepardi është kafsha tokësore dhe gjitari më i shpejtë në botë. Ai mund të vrapojë me shpejtësi deri në 120 kilometra në orë, me një përshpejtim shumë të madh. Kjo lloj shpejtësie, është jetike për të kapur pre të shpejta siç janë gazelat.
7. Peshku me Vela
Peshku me vela, është specia detare më e shpejtë në botë. Noton me shpejtësi deri 109 kilometra në orë, duke përdorur trupin e tij aerodinamik dhe “pendën” e madhe mbi shpinë. Kjo shpejtësi e ndihmon ta kapë prenë dhe të shpëtojë nga grabitqarë si peshkaqenët.
8. Skifteri Gjigant
Është më i madhi i këtij lloji në botë. Sulet drejt presë me një shpejtësi midis 80-109 kilometra në orë. Ky zog banon në rajonet arktike të Amerikës Veriore dhe Evropës, ku gjuan shpendë të tjerë.
9. Peshku Shpatë
Peshku Shpatë është një nga notarët më të shpejtë të oqeanit, i aftë të arrijë shpejtësinë 97 kilometra në orë. Ai përdor “shpatën” e tij karakteristike për të çarë ujin dhe për të ndihmuar notimin. Shpejtësia e tij është jetike për kapjen e ushqimit dhe shmangien e grabitqarëve.
10. Lakuriqi i Natës Meksikan
Ky lakuriq i vogël, është gjitari më i shpejtë në fluturim. Ai fluturon mesatarisht rreth 96.5 kilometra në orë, por mund të arrijë edhe deri në 160 kilometra në orë. Kjo e bën atë më të shpejtë se sa gepardi në distanca të shkurtra.
11. Kolibri i Anës
Kolibri i Anës, është një nga kolibrat më të mëdhenj dhe më të shpejtë. Ai mund të fluturojë me shpejtësi rreth 96 kilometra në orë. Në dallim nga shumica e kafshëve të tjera, ai e përdor këtë shpejtësi kryesisht për të tërhequr partnerë për çiftëzim si dhe për t’iu shpëtuar shpejt rreziqeve.
12. Antilopa afrikane
Është e njohur për kërcimin e veçantë, dhe mund të vrapojë me shpejtësi deri në 88 kilometra në orë. Kjo shpejtësi, e kombinuar me kërcimet e tij, përbën një mbrojtje efektive kundër grabitqarëve.
13. Kali Amerikan
Është një racë e përzgjedhur enkas për shpejtësinë e tij. Ai është i aftë të arrijë shpejtësinë deri në 88 kilometra në orë në distanca të shkurtra. Ky kalë, përdoret gjerësisht në garat e vrapimit, në shfaqje të ndryshme dhe për pune të ndryshme.
14. Antilopa Blu
Është një kafshë tjetër e madhe e savanave afrikane, që mbështetet te shpejtësia për të mbijetuar. Ajo mund të vrapojë me shpejtësi deri 80 kilometra në orë. Kjo është thelbësore për të shpëtuar nga grabitqarë të shumtë si luanët, dhe për të përballur migrimet e gjata vjetore.
15. Antilopa amerikane
Është gjitari më i shpejtë në Amerikën e Veriut. Ai është i njohur për qëndrueshmërinë e tij dhe mund të vrapojë me shpejtësi deri në 80 kilometra në orë në distanca të shkurtra, duke u përshtatur për t’iu shpëtuar grabitqarëve historikë.
16. Zogu Fregatë
Zogjtë fregatë janë zogj detarë të mëdhenj e të shkathët. Një specie, Fregata Madhështore, mund të arrijë shpejtësinë rreth 74 kilometra në orë. Ato e përdorin shpejtësinë dhe shkathtësinë e tyre për të vjedhur ushqim nga zogj të tjerë detarë (një sjellje e quajtur kleptoparazitizëm) por dhe për të gjuajtur vetë.
17. Albatrosi
Albatrosët janë zogj detarë të njohur për fluturimet e tyre të gjata pa pushim. Sidomos Albatrosi i Dëborës, mund të arrijë shpejtësinë rreth 72 kilometra në orë. Ata përdorin teknikat e fluturimit përmes rryma të erërave për të kursyer energji, ndërsa udhëtojnë për mijëra kilometra pa u ndalur.
18. Struci
Struci është zogu më i madh në botë dhe një vrapues i jashtëzakonshëm. Edhe pse nuk fluturon, me hapat e tij të gjatë ai mund të arrijë shpejtësi deri në 70 kilometra në orë. Kjo shpejtësi e ndihmon të shpëtojë nga grabitqarët në shkretëtirat dhe savanat e Afrikës.
19. Gazela e Tomsonit
Gazela e Tomsonit është një antilopë e vogël, e shpejtë dhe e shkathët e Afrikës Lindore. Ajo mund të arrijë shpejtësinë deri 64 kilometra në orë. Përveç shpejtësisë, është e famshme për ndryshimet e befasishme të drejtimit gjatë vrapimit, duke e bërë të vështirë kapjen nga grabitqarët.
20. Pëllumbi
Pëllumbi i zakonshëm, është një zog i përhapur gjerësisht në qytetet tona dhe zonat e banuara në përgjithësi. Në fluturimet e përditshme, pëllumbat kanë një shpejtësi 24-56 kilometra në orë, por pëllumbat e stërvitur mund të arrijnë një shpejtësi deri 156 kilometra në orë./ Përshtati "Pamfleti" Nga "Ifaw.org"
Lini një Përgjigje