TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Nëntor 2025, 12:02

Nga Teoria e Evolucionit tek “gjuetia e shtrigave” në SHBA, ngjarjet kryesore që kanë ndodhur më 24 nëntor

Shkruar nga Pamfleti

Nga Teoria e Evolucionit tek “gjuetia e shtrigave” në SHBA,

24 Nëntor 1859 - Në Angli publikohet për herë të parë Teoria e Evolucionit

Libri “Mbi origjinën e specieve me anë të përzgjedhjes natyrore”, ishte një punim shkencor inovativ nga natyralisti britanik Çarles Darvin. Teoria e tij, argumenton se organizmat evoluojnë gradualisht përmes një procesi që ai e quajti “përzgjedhje natyrore”.

Në procesin e përzgjedhjes natyrore, organizmat me variacione gjenetike që i përshtaten mjedisit të tyre, kanë tendencën të përhapin më shumë pasardhës sesa organizmat e të njëjtës specie që nuk kanë variacion, duke ndikuar kështu në përbërjen e përgjithshme gjenetike të specieve.

Darvini, i cili u ndikua nga puna e natyralistit francez Zhan-Baptist Dë Lamark dhe ekonomistit anglez Tomas Maltus, e siguroi shumicën e provave për teorinë e tij gjatë një ekspedite 5-vjeçare kërkimore në bordin e anijes “HMS Beagle” në vitet 1830.

Duke vizituar vende të ndryshme si Ishujt Galapagos dhe Zelandën e Re, Darvini grumbulloi shumë njohuri mbi florën, faunën dhe gjeologjinë e shumë territoreve. Ky informacion, së bashku me studimet e tij mbi variacionin dhe kryqëzimin pas kthimit në Angli, patën një rëndësi të paçmuar në zhvillimin e teorisë së tij të evolucionit të jetës në Tokë.

Në fakt, kjo ide nuk ishte e re. Ajo ishte sugjeruar më parë nga të tjerët, midis të cilëve edhe vetë gjyshi i Darvinit, Erasmus Darvin, edhe ai një shkencëtar i shquar anglez. Por edhe Lamark, i cili në fillim të shekullit XIX-të vizatoi diagramin e parë evolucionar, një shkallë që të çonte nga organizmat njëqelizorë te njeriu.

Por vetëm me Çarls Darvinin shkenca paraqiti një shpjegim praktik për fenomenin e evolucionit. Darvini e kishte formuluar teorinë e tij të përzgjedhjes natyrore që në vitin 1844, por u tregua i kujdesshëm dhe ngurroi ta zbulonte tezën e tij për publikun, pasi ajo binte në kundërshtim të hapur me rrëfimin biblik të krijimit.

Në vitin 1858, ndërsa Darvini po heshtte ende për gjetjet e tij, natyralisti britanik Alfred Rasëll Uollas botoi në mënyrë të pavarur një punim që në thelb përmblidhte teorinë e tij. Darvini dhe Uollas mbajtën një leksion të përbashkët mbi evolucionin para Shoqërisë së Londrës në korrik 1858, teksa Darvin po përgatiste për botim librin “Mbi origjinën e specieve me anë të përzgjedhjes natyrore” .

I botuar më 24 nëntor 1859, libri u shit menjëherë. Shumica e shkencëtarëve e përqafuan shpejt teorinë që zgjidhi kaq shumë enigma të shkencës biologjike. Por të krishterët e linjës së ashpër e dënuan veprën si herezi.

Kontradiktat mbi idetë e Darvinit u thelluan me botimin e librit tjetër “Prejardhja e Njeriut dhe përzgjedhja në lidhje me seksin” të vitit 1871, në të cilin ai paraqiti prova të evolucionit të njeriut nga majmunët. Në kohën e vdekjes së Darvinit në vitin 1882, teoria e tij e evolucionit ishte pranuar në përgjithësi nga shumica.

Në nder të punës së tij shkencore, ai u varros në Abacinë e Uestminsterit pranë mbretërve, mbretëreshave dhe figurave të tjera të shquara të historisë britanike. Zhvillimet e mëvonshme në gjenetikë dhe biologjinë molekulare, sollën disa modifikime në teorinë e pranuar evolucionare, por idetë e Darvinit mbeten qendrore në këtë fushë.

Ngjarje të tjera të rëndësishme

24 Nëntor 380 - Perandori bizantin Teodosi I, bën adventus-in e tij, ose hyrjen e parë zyrtare në Kostandinopojë, sot Stambolli.

24 Nëntor 1639  - Astronomët anglezë Xheremiah Horroks dhe Uilliam Krebtri bëjnë vëzhgimet e para të regjistruara të trajektores së Venusit, duke parashikuar me saktësi rrugën e tij, bazuar në metodat e Johanes Keplerit.

24 Nëntor 1642 - Eksploruesi holandez Abel Tazman, bëhet evropiani i parë që zbulon Tokën e Van Diemen (Tazmania e sotme).

24 Nëntor 1863 - Gjatë Luftës Civile amerikane, trupat e Unionit morën kontrollin e malit Lukaut pranë Çatanugës në betejën e njohur si “beteja mbi re”. Kjo fitore, ishte një moment kyç që ndihmoi në thyerjen e bllokadës së qytetit nga Konfederata dhe ndikoi në zhvillimet e mëtejshme të luftës në juglindje të SHBA-së.

24 Nëntor 1947 - E ashtuquajtura “Dhjetëshja e Hollivudit”, një grup skenaristësh dhe producentësh, u përball me akuzën e mosbindjes për mosbashkëpunim me Komitetin për Aktivitete Anti-komuniste në industrinë e filmit. Ky rast, i thelloi tensionet politike dhe sociale në periudhën e Luftës së Ftohtë në SHBA, duke ndikuar shumë mbi karrierat e tyre, por edhe në fillimin e asaj që u denoncua nga media si “gjuetia e shtrigave”.

24 Nëntor 1971 - Grabitësi D.B. Kuper u hodh me parashutë nga një avion, pasi mori një shpërblim prej 200.000 dollarësh dhe nuk u gjet kurrë më. Ky ishte një nga krimet më misterioze ende të pazgjidhura në historinë moderne të SHBA-së.

24 Nëntor 1974 - Në Etiopi u zbulua skeleti i një paraardhësi të hershëm njerëzor, i quajtur “Lusi”, që tregoi se njerëzit kishin filluar të ecin drejt në këmbë mbi 3 milionë vjet më parë. Kjo gjetje, ishte një moment kyç në studimet për evolucionin e njeriut dhe e ndryshoi kuptimin tonë për origjinën e njerëzimit.​/Pamfleti

teoria e evolucionit 24 nëntor 1859

Lini një Përgjigje