Punimet e takimit të parë të Bordit të Paqes, nismës së krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump, kanë nisur sot në Institutin Amerikan të Paqes “Donald J. Trump” në kryeqytetin amerikan.Presidenti Trump ka mbërritur në sallën e takimit dhe ka përshëndetur personalisht liderët e pranishëm.
Ceremonia filloi me një foto familjare të liderëve, ku Trump u vendos në qendër, i shoqëruar nga zëvendëspresidenti JD Vance dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio. Axhenda parashikon diskutime mbi rindërtimin e Gazës, forcën stabilizuese dhe plane të mëtejshme paqeje.
Takimi përfshin liderë nga mbi 20 vende përfshirë Argjentinën, Azerbajxhanin dhe të tjerë, por ka tërhequr kritika nga disa shtete evropiane dhe aleatë, të cilët e shohin si një strukturë që mund të minojë rolin e OKB-së ose të ketë karakter “pay-to-play”. Trump e ka quajtur atë “organizatën më të rëndësishme ndërkombëtare në histori”.

Takimi vjen pas themelimit zyrtar të Bordit të Paqes në Davos më 22 janar 2026, ku Shqipëria dhe Kosova u bënë pjesë e nismës. Bordi synon kryesisht zgjidhjen e krizës humanitare në Gaza, me premtime për miliarda dollarë për rindërtim, por ka zgjeruar ambiciet drejt promovimit të paqes globale në zona konflikti. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri Ervin Demon, mori pjesë për të përfaqësuar Shqipërinë si anëtare themeluese.
Shqipëria ka sqaruar se nuk do të kontribuojë financiarisht siç kërkohet për anëtarësim të përhershëm me 1 miliard dollarë, por me “dinjitetin dhe reputacionin ndërkombëtar”. Presidentja Osmani, si përfaqësuese e vetme femër në mesin e themeluesve, theksoi se Kosova qëndron pranë SHBA-së për të çuar përpara paqen, duke kujtuar mbështetjen historike amerikane për pavarësinë e Kosovës.
Lini një Përgjigje