TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Shtator 2025, 17:28

"Oh Zot, e zemëruan Donin!"/ Cilat janë 15 skandalet më të mëdha të South Park

Shkruar nga Pamfleti

"Oh Zot, e zemëruan Donin!"/ Cilat janë 15 skandalet më

Pas 28 vitesh skandale, goditjet e Trey Parker dhe Matt Stone ndaj Donald Trump-it janë ndër punët e tyre më brilante.

The Guardian rendit historitë më epike … nga “shkatërrimi” i jetës së Ed Sheeran-it deri te episodet që edhe sot e kësaj dite, janë ende të ndaluara.


South Park është cilësuar si seriali më i rëndësishëm televiziv gjatë presidencës së dytë të Trump-it. Aktualisht është në majat e tij dhe po thyen rekorde shikueshmërie. Jo keq për një vizatim për katër djem të vegjël me gojë të ndyrë nga Kolorado.

Sitcom-i NSFW South Park mund të jetë transmetuar që nga viti 1997, por nuk ka qenë kurrë më aktual. Në një epokë kur emisionet satirike po anulohen, krijimi i Parker dhe Stone luan një rol jetik duke tallur pa mëshirë të dyja anët e spektrit politik. Duke u shkruar dhe prodhuar brenda javës së transmetimit, seriali ka mundur të përfshijë ngjarje aktuale dhe të denoncojë pushtetin. Nuk është çudi që kompania mëmë Paramount fitoi së fundmi një garë ofertash prej 1.5 miliardë dollarësh për një marrëveshje pesëvjeçare me 50 episode.

Qasja pa kufij e South Park ndaj çështjeve të nxehta e ka bërë atë komedinë më të kontestuar amerikane të të gjitha kohërave, të animuar ose jo. Ja një histori e shkurtër e skandaleve të saj, të renditura sipas bujës që kanë bërë:

15. Lutjet për privatësi të Meghan dhe Harry (2023)

"Oh Zot, e zemëruan Donin!"/ Cilat janë 15 skandalet më


Kjo tallje me Sussex-ët trazoi mjaft ujëra mbretërore. Princi i Kanadasë dhe gruaja e tij nisin një “Turne Botëror për Privatësi”. Kur avioni i tyre privat zbret në South Park, ata tundin pankarta me mbishkrimin “Mos na shikoni!”. Princi promovon kujtimet e tij me titull Waaagh, përmes intervistave kundër monarkisë. Meghan Markle përshkruhet si “vajzë sorority, aktore, influencuese, viktimë”. Thuhet se ajo ishte “e mërzitur dhe e mbingarkuar”. Qarkulluan thashetheme për veprime ligjore, por një zëdhënës i çiftit i quajti ato “të pabaza, të mërzitshme dhe pa kuptim”.

14. Fati i çuditshëm i Steve Irwin (2006)

"Oh Zot, e zemëruan Donin!"/ Cilat janë 15 skandalet më

Kur Satani organizon një festë Halloween-i në Hollywood, natyralisti australian Steve Irwin është mes të ftuarve të famshëm. Heroi i gjuetisë së krokodilëve paraqitet me një thumb stingray (lloj peshku) në kraharor, mënyra si vdiq vetëm dy muaj para transmetimit. Fansat e kritikuan si “jashtëzakonisht të pandjeshëm në kohë”. E veja e tij, Terri, tha se ishte “e shkatërruar nga mënyra mizore si u tall Steve”, duke u shqetësuar se fëmijët e tyre mund ta shihnin një ditë.

13. Mania “Kick a Ginger” (2005)

"Oh Zot, e zemëruan Donin!"/ Cilat janë 15 skandalet më

Në episodin alegorik Ginger Kids, Cartman shpall luftë ndaj personave me flokë të kuqe, duke i krahasuar me një “racë inferiore” në stilin e Hitlerit. Kur Kyle e mashtron duke i thënë se ka “gingervitis”, Cartman ndryshon qëndrim dhe i nxit ata të ngrihen si “racë superiore”. Episodi shkaktoi polemika të mëdha në jetën reale, duke frymëzuar memen famëkeqe “Dita Kombëtare për të goditur një ginger”. U raportuan sulme të dhunshme, përfshirë një rast të trajtuar si krim urrejtjeje në Kanada dhe raste bullizmi në një shkollë në Rotherham. Ed Sheeran, i njohur për flokët e tij të kuqe, e komentoi me humor: Ky episod më shkatërroi jetën.

12. Ringjallja e Isaac Hayes (2006)

"Oh Zot, e zemëruan Donin!"/ Cilat janë 15 skandalet më


Legjenda e soul-it Isaac Hayes dha zërin për personazhin Chef për gati një dekadë, duke dhuruar këshilla të mençura dhe këngë si “chocolate salty balls”. Pas episodit Trapped in the Closet (për të cilin flitet më vonë), këngëtari dhe anëtari i Scientology dha dorëheqjen në shenjë proteste. Si hakmarrje, sezoni pasues e rikthen Chef-in në South Park pas një udhëtimi me klubin sektar “Super Adventure Club”, që i bën lavazh truri anëtarëve për të abuzuar ndaj fëmijëve. Dialogu i Chef-it u montua nga episode të vjetra, duke sjellë skena të sikletshme ku ai këndon për “bërjen e dashurisë” me fëmijët, përpara se të ndotet vetë. Me dhimbje, djali i Hayes më vonë deklaroi se vendimin për dorëheqje e mori rrethi i tij, pasi vetë Hayes nuk mund të fliste pas një goditjeje në tru.

11. Shenjtërisht e papërshtatshme (2005)

"Oh Zot, e zemëruan Donin!"/ Cilat janë 15 skandalet më

Feja është një nga objektivat e rregullta të serialit, dhe episodi Bloody Mary ishte veçanërisht provokues. Kur një statujë e Virgjëreshës Mari fillon të “gjakoset nga të pasmet”, apa dërgon një kardinal për të vendosur nëse kjo është mrekulli. Grupimet katolike në SHBA, Zelandën e Re dhe Australi e cilësuan episodin si “të neveritshëm”, kërkuan ndjesë dhe lobuan pa sukses që të mos transmetohej më kurrë.

10. Rrëzimi i mbretit të pop-it (2004)

"Oh Zot, e zemëruan Donin!"/ Cilat janë 15 skandalet më

Pesë vite para vdekjes së tij, Michael Jackson u bë subjekt i një episodi të South Park. Kur milioneri ekscentrik Mr. Jefferson vendoset në një vilë me park argëtimi në oborr, fëmijët hetojnë nëse ai është abuzues i fëmijëve apo viktimë e paragjykimeve ndaj meshkujve të pasur me ngjyrë. Kur kapet duke fjetur në shtratin e Stan-it, Jefferson paguan prindërit për të heshtur. Ai vishet si Peter Pan, var fëmijën e tij nga ballkoni dhe në një moment fytyra e tij e deformuar nga operacionet bie.

9. Përleshja e madhe me Kinën (2019)

"Oh Zot, e zemëruan Donin!"/ Cilat janë 15 skandalet më

Pasi kishte trazuar më herët Kinën me paraqitjen e Dalai Lamës dhe përdorimin e stereotipeve aziatike, episodi Band in China ishte kulmi. Ai kritikoi zgjerimin e Hollywood-it në tregun fitimprurës kinez, pavarësisht censurës së rreptë dhe regjimit shtypës politik. Prania e Mickey Mouse e bëri të qartë se Disney ishte një nga objektivat. Si reagim, qeveria kineze ndaloi plotësisht serialin, duke e fshirë nga platformat e transmetimit dhe rrjetet sociale, gjë që vetëm sa përforcoi mesazhin e Parker dhe Stone. Dyshja e pamëshirshme lëshoi një “ndjesë” sarkastike, duke krahasuar presidentin Xi Jinping me Winnie the Pooh dhe duke thënë: Edhe ne e duam më shumë paratë sesa lirinë dhe demokracinë… Jemi në rregull tani Kinë?

8. Të zverdhur nga ndotja (2006)

"Oh Zot, e zemëruan Donin!"/ Cilat janë 15 skandalet më

South Park ka tallur vazhdimisht konceptin e ndryshimeve klimatike. Kulmi i mohimit erdhi me episodin ManBearPig, ku Al Gore u flet fëmijëve për një kërcënim të ri mjedisor: një krijesë e çuditshme e përshkruar si “gjysmë njeri, gjysmë ari, gjysmë derr”. Seriali u kritikua si “i papërgjegjshëm” për barazimin e paralajmërimeve ekologjike me frikën nga përbindëshat mitikë. 12 vite më vonë, seriali e ktheu tematikën duke treguar se ManBearPig ekzistonte vërtet dhe djemtë i kërkuan falje Gore-it me përtesë. “Koha për të qenë serioz”, me të vërtetë.

7. Humori i tualetit (2001)

"Oh Zot, e zemëruan Donin!"/ Cilat janë 15 skandalet më

Sezoni i pestë u hap me episodin plot fyerje It Hits the Fan. Kur një personazh thotë fjalën “shit” në një dramë televizive policore të quajtur Cop Drama, kjo normalizon sharjen. Kjo shkakton një murtajë ku qytetarët vjellin zorrët, ndërsa zgjohen kalorësit e lashtë të Standards and Practices. Episodi parodizon serialin mjekësor Chicago Hope të CBS, i cili dy vite më parë bëri histori kur aktori Mark Harmon tha “shit” për herë të parë në TV kombëtar. South Park shkoi shumë më tej, duke përdorur fjalën 162 herë, mesatarisht një herë çdo tetë sekonda – të numëruar nga një matës në ekran. Comedy Central mori 5 mijë ankesa.

6. Nëse e toleroni këtë… (2002)

Shumë e konsiderojnë The Death Camp of Tolerance si një nga episodet më epike të South Park. Në një histori tipike të çmendur, mësuesi Mr. Garrison përpiqet të pushohet nga puna për shkak të orientimit të tij seksual, me qëllim që të padisë shkollën për diskriminim dhe të fitojë 25 milionë dollarë. Kur ai në orën e biologjisë vendos një brejtës, Lemmiwinks, në një vend intim, nxënësit protestojnë. Duke menduar se fëmijët janë homofobë, prindërit i dërgojnë në “Kampin e Tolerancës”, ku roje me sjellje naziste i detyrojnë të vizatojnë figura të “njerëzve të të gjitha ngjyrave dhe besimeve duke u mbajtur për dore nën një ylber”. Udhëtimi i Lemmiwinks përmes zorrës së Mr. Slave u shndërrua në një parodi të Hobbit-it.

5. Fyerja që shkaktoi trazira (2007)

I frymëzuar nga shpërthimi ofendues i aktorit të Seinfeld, Michael “Kramer” Richards, episodi With Apologies to Jesse Jackson satirizon racizmin dhe ndjesat boshe që nuk adresojnë problemet reale. Kur babai i Stan-it, Randy, përdor fjalën e ndaluar (N) në lojën televizive Wheel of Fortune, shpërthen një skandal kombëtar. Duke kërkuar falje, Randy puth të pasmet e Rev. Jesse Jackson, i quajtur “Perandori i njerëzve me ngjyrë”. Fyerja e papërpunuar thuhet 42 herë. Komunitetet afro-amerikane dhe organizatat për të drejtat civile e akuzuan episodin për gjuhë të theksuar urrejtjeje.

4. Shumë mizor për shkollë (2018)

Sezoni 22 fillon me të shtëna në shkollën fillore të South Park. Megjithatë, stafi dhe nxënësit vazhdojnë si zakonisht, sikur masakrat në shkolla të jenë ngjarje të përditshme, sepse në SHBA janë. Ndërsa instalohen detektorë metali dhe rojet e korridoreve armatosen me pushkë, autoritetet dështojnë të adresojnë shkakun kryesor. Episodi u transmetua menjëherë pas sulmeve të ngjashme në Parkland dhe Santa Fe, ku humbën jetën 27 persona. Si një kritikë ndaj normalizimit të dhunës me armë, episodi Dead Kids ishte një goditje e guximshme.

3. Në shtrat me djallin (2025)


Premiera e sezonit të verës u hap me episodin Sermon on the Mount, duke satirizuar sulmet e Trump-it ndaj lirisë së shprehjes. Në episod, presidenti padit të gjithë qytetin e South Park. Seriali godet edhe kompaninë Paramount për nënshtrimin ndaj tij. Trump paraqitet si një tiran grabitqar. Ai përfundon në shtrat me djallin, i cili e qorton për dosjet e Epstein-it. Episodi shkaktoi reagime të ashpra nga mbështetësit e MAGA, ndërsa Shtëpia e Bardhë e zemëruar deklaroi se seriali “nuk ka qenë relevant për 20 vjet”. Një javë më vonë, seriali e përforcoi qëndrimin me episodin Got a Nut, kundër deportimeve, duke u thënë kritikëve konservatorë të “#hanënjëçantëmepenise”.

2. Hubbard në dollap (2005)


Episodi më famëkeq i South Park, Trapped in the Closet, përdor operën absurde të R. Kelly për të sulmuar të famshmit, si Tom Cruise dhe John Travolta. Scientologjia paraqitet si “një mashtrim i madh global”, dhe seriali animon me detaje të pamëshirshme mitologjinë aliene në zemër të fesë së L. Ron Hubbard, e shoqëruar me mbishkrimin në ekran: “KJO ËSHTË AJO QË BESOJNË SCIENTOLOGËT”. Për shkak të natyrës shumë paditëse të kishës, të gjithë ata që punuan në episod u kredituan si John ose Jane Smith. U përhapën teori konspirative se transmetimi u vonua me kërkesë të Cruise-it për të mos e zbehur filmin Mission: Impossible III (i prodhuar gjithashtu nga Paramount). Ajo që është e padiskutueshme është se Parker dhe Stone kërcënuan me largim nëse episodi nuk transmetohej.

1. Profeti dhe humbja (2006)


Sulmet ndaj Mormonizmit dhe Katolicizmit shkaktuan zhurmë, por ishin asnjë krahasuar me episodin Cartoon Wars. Me ekstremistët islamikë gjithnjë e më të zemëruar nga paraqitjet satirike të profetit Muhamed, South Park vendosi të ndërhyjë. Kur qytetarët dëgjojnë se seriali rival Family Guy po thyen tabu-në, ata fusin kokën në rërë për të mos e parë. Djemtë nisin një mision për ta ndaluar episodin – Kyle nga frika e hakmarrjes terroriste, Cartman sepse thjesht urren Family Guy. Paramount censuroi skenat, duke i mbuluar me një kartele të zezë, me argumentin e sigurinë publike. Parker dhe Stone e dënuan këtë veprim si hipokrizi. Kur e rikthyen temën në vitin 2010, përmendjet e Muhamedit u bllokuan me zë, ashtu si edhe fjalimi përmbyllës i Kyle për rreziqet e dorëzimit ndaj kërcënimeve të dhunshme. Një bloger radikal mysliman shkroi se lutej që Allahu t’i vriste krijuesit e serialit dhe “t’i digjte përjetësisht në ferr”. Në episodin pasues të The Simpsons, Bart shkroi në tabelën e klasës: South Park, do të qëndronim pranë jush po të mos kishim kaq frikë. Episodet mbeten të ndaluara në platformat e transmetimit edhe sot./ The Guardian

Lini një Përgjigje