
Izraeli dhe Hezbollah, e mbështetur nga Irani, kanë arritur një marrëveshje armëpushimi, ka bërë të ditur një zyrtar amerikan. Sipas tij, armëpushimi ka hyrë në fuqi në orën 16:00 sipas kohës lokale.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse marrëveshja do të qëndrojë, pasi armëpushimet e mëparshme të arritura gjatë konfliktit mes Izraelit dhe Libanit janë shkelur disa herë dhe nuk kanë zgjatur.
Marrëveshja parashikonte një ndalim të luftimeve në të gjitha frontet e përfshira në konfliktin rajonal, përfshirë edhe Libanin, si pjesë e një kornize të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Irani.
Pavarësisht kësaj, ushtria izraelite kreu sulme në jug të Libanit gjatë natës, duke pretenduar se kishte eliminuar “dhjetëra terroristë të Hezbollahut”. Nga ana tjetër, autoritetet libaneze raportuan se mes viktimave kishte edhe gra dhe fëmijë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se operacionet ushtarake ishin një përgjigje ndaj sulmeve të Hezbollahut, të cilat sipas tij kishin shkaktuar vdekjen e katër ushtarëve izraelitë.
Irani ka theksuar se armëpushimi në Liban është kusht thelbësor për vazhdimin e bisedimeve diplomatike. Këtë qëndrim e konfirmoi edhe një deputet i Hezbollahut, ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, dënoi sulmet ndaj Libanit dhe paralajmëroi për pasojat që ato mund të kenë për paqen dhe sigurinë në rajon.
Baghaei akuzoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara se mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për situatën, duke theksuar se ndalimi i luftimeve në Liban është pjesë integrale e marrëveshjes së arritur.
Dy burime të Hezbollahut i thanë agjencisë Reuters se grupi i mbështetur nga Irani e ka zbatuar menjëherë armëpushimin sapo është njoftuar për hyrjen e tij në fuqi.
Ndërkohë, një zëdhënës i ushtrisë izraelite deklaroi se forcat në terren në Liban do të vazhdojnë të kenë lirinë për të vepruar ndaj çdo kërcënimi që mund të shfaqet. I pyetur nëse Izraeli do të ndërmarrë sulme ndaj Bejrutit, ai tha se vendi do t’u përmbahet marrëveshjeve dhe do të veprojë në përputhje me udhëzimet e udhëheqjes politike.
Lini një Përgjigje