Irani nuk do të vazhdojë bisedimet me Shtetet e Bashkuara pa hyrjen në fuqi të një armëpushimi gjithëpërfshirës në Liban.
Në një prononcim për agjencinë Reuters, deputeti i Hezbollahut, Hassan Fadlallah tha se Teherani i ka bërë të qartë Hezbollahut se negociatat me Uashingtonin nuk mund të ecin përpara për sa kohë vazhdojnë luftimet dhe sulmet izraelite në territorin libanez.
Sipas tij, SHBA-ja mban përgjegjësinë për të siguruar që Izraeli të ndalojë operacionet ushtarake dhe të respektojë kushtet e marrëveshjeve ekzistuese.
"Irani e ka informuar Hezbollahun se bisedimet me SHBA-në nuk do të vazhdojnë pa zbatimin e një armëpushimi gjithëpërfshirës në Liban. SHBA-ja mban përgjegjësinë për të siguruar që Izraeli të ndalojë sulmet e tij dhe të zbatojë kushtet e marrëveshjes", u shpreh deputeti.
Ai i bëri gjithashtu thirrje qeverisë së Libanit të mos pranojë negociata të drejtpërdrejta me Izraelin, ndërsa sulmet izraelite vazhdojnë.
Deklaratat vijnë në një kohë kur Izraeli ka intensifikuar sulmet në Liban. Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, forcat izraelite kryen goditje ajrore që, sipas tyre, kishin në shënjestër objektiva të Hezbollahut. Izraeli i cilësoi sulmet si hakmarrje për vrasjen e katër ushtarëve izraelitë nga grupi libanez.
Zhvillimet e fundit po rrisin shqetësimet se përshkallëzimi i konfliktit mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në përpjekjet diplomatike mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Lini një Përgjigje