TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Prill 2026, 19:15

Pas disfatës, VIktor Orban refuzon edhe mandatin e deputetit

Shkruar nga Pamfleti
Pas disfatës, VIktor Orban refuzon edhe mandatin e deputetit
Viktor Orban

Humbja e thellë në zgjedhjet e këtij muaji ka tronditur pozitat politike të Viktor Orban, duke e detyruar atë të heqë dorë nga mandati parlamentar dhe të përqëndrohet në mbajtjen e kontrollit mbi partinë e tij, Fidesz.

"Nuk kam nevojë për parlament tani, por për riorganizimin e anës nacionaliste", deklaroi Orban, duke sinjalizuar se prioriteti i tij është rikthimi i ndikimit politik përmes strukturave partiake. Ai shtoi se do të kërkojë rizgjedhje si kryetar i Fidesz në kongresin e qershorit.

Rezultati i zgjedhjeve shënon një nga goditjet më të forta në karrierën e tij 36-vjeçare në politikë, gjatë së cilës ai ka qenë figurë dominuese që nga rënia e komunizmit në vitin 1989 dhe ka drejtuar vendin për 16 vitet e fundit si kryeministër.

Kryeministri i ri, Peter Magyar, një ish-anëtar i qeverisë, arriti një fitore të thellë duke siguruar më shumë se dy të tretat e vendeve në parlament në zgjedhjet e 12 prillit. Si pasojë, Fidesz është reduktuar ndjeshëm, duke mbajtur vetëm 52 vende nga 199 gjithsej, krahasuar me 141 që kishte më parë.

Brenda partisë kanë nisur të shfaqen tensione, një zhvillim i pazakontë për një forcë politike të njohur për disiplinën e saj të fortë. Disa kandidatë të mundur kanë sugjeruar se vetë Orban mund të pengojë procesin e ripërtëritjes nëse vazhdon të qëndrojë në krye.

Në këtë klimë, Orban ka caktuar Gergely Gulyas për të drejtuar grupin e reduktuar parlamentar të Fidesz, duke u përpjekur të ruajë njëfarë stabiliteti brenda strukturave të partisë.

Në të kaluarën, ai ka përdorur tërheqjen si strategji për t’u rikthyer më i fortë. Pas humbjes në vitin 2002, ai u largua përkohësisht nga drejtimi i partisë, për të rindërtuar bazën konservatore dhe për t’u rikthyer në pushtet tetë vite më vonë. Megjithatë, shkalla e humbjes aktuale e bën një skenar të tillë më të vështirë për t’u përsëritur.

Në planin ndërkombëtar, Orban ishte një aleat i Presidentit amerikan Donald Trump dhe mbante marrëdhënie të afërta me Presidentin rus Vladimir Putin, duke përdorur edhe të drejtën e vetos për të vonuar një kredi të Bashkimit Evropian për Ukrainën. Humbja e tij është interpretuar nga qarqe liberale dhe progresive si një sinjal për dobësimin e populizmit të djathtë në SHBA dhe Evropë.

"Një gjë që ai ende nuk mund ta bëjë. Të marrë përgjegjësi", shkroi Peter Magyar në rrjetet sociale menjëherë pas njoftimit. 

Lini një Përgjigje