TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Shkurt 2026, 15:35

Pas Italisë, Prokuroria e Bosnjës hap hetim për rastin “Sarajevo Safari”

Shkruar nga Pamfleti

Pas Italisë, Prokuroria e Bosnjës hap hetim për rastin

Departamenti i Posaçëm për Krime Lufte i Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës ka hapur një lëndë hetimore për rastin e njohur si “snajperistët e fundjavës” gjatë rrethimit të Sarajevës. Këtë e ka konfirmuar vetë Prokuroria për Radion Evropa e Lirë më 10 shkurt.

Sipas njoftimit zyrtar, me urdhër të prokurorit janë ndërmarrë veprime konkrete hetimore. Në fund të vitit të kaluar, Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës u ka dërguar një kërkesë autoriteteve italiane dhe ka kontaktuar Mekanizmin Residual Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në Hagë, me qëllim verifikimin e informatave relevante.

Hetimet u nxitën pas raportimeve të mediave italiane, të publikuara në fillim të nëntorit 2025, sipas të cilave Prokuroria e Milanos kishte hapur një procedurë mbi bazën e kallëzimit penal të shkrimtarit dhe gazetarit italian Ezio Gavazzeni. Ai pretendon se gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, shtetas të huaj paguanin për të ardhur në pozicionet e Ushtrisë së Republikës Sërpska dhe për të qëlluar civilët e Sarajevës me armë snajperi.

Gavazzeni ka paralajmëruar edhe botimin e një libri mbi të ashtuquajturin “safari snajperësh”, i frymëzuar nga dokumentari “Sarajevo Safari” i autorit slloven Miran Zhupaniq.

Në fund të janarit, Këshilli i Qytetit të Sarajevës ka miratuar vendimin që qyteti t’i bashkohet procedurës gjyqësore të nisur në Milano kundër personave të dyshuar.

Aktualisht, nën hetim ndodhet një shtetas italian 80-vjeçar, ish-shofer kamioni nga provinca Pordenone, i cili është marrë në pyetje më 9 shkurt. Prokurorët italianë dyshojnë se ai, së bashku me persona ende të paidentifikuar, ka marrë pjesë në një plan kriminal të veprimtarisë snajperiste kundër civilëve të Sarajevës në periudhën 1992–1995. Mediat italiane raportojnë se bëhet fjalë për një person me bindje ekstreme të djathta, i cili është deklaruar hapur si fashist.

Gjatë gati katër viteve të rrethimit të Sarajevës, sipas të dhënave të shoqatave të viktimave dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, çdo i dhjeti fëmijë i vrarë ka humbur jetën nga plumbi i snajperit, ndërsa mbi 14 mijë fëmijë janë plagosur.

Megjithatë, deri më tani, asnjë snajperist individual nuk është ndjekur penalisht, as nga gjykatat vendore dhe as nga ato ndërkombëtare. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, në vendimet kundër zyrtarëve më të lartë të Republikës Sërpska, ka konstatuar se fushata snajperiste kishte për qëllim terrorizimin sistematik të civilëve të Sarajevës.

safari snajperistëve sarajevë

Lini një Përgjigje