
Kërkesa për anëtarësim në NATO e Finlandës dhe Suedisë, duket se përveç Turqisë, po has pengesa edhe nga Hungaria.
Këtë e ka njoftuar vetë kryeministri hungarez, Viktor Orban i cili tha se mund të ketë vonesa të mëtejshme në miratimin e Budapestit për anëtarësimin e dy vendet nordike, ndërkohë që procesi i ratifikimit nga Hungaria është bllokuar në parlament që nga korriku.
Orban ka kritikuar qasjet e dy vendeve ndaj qeveris së tij, teksa ka hedhur akuza se si Finlanda ashtu edhe Suedia kanë përhapur "lajme të rreme" lidhur me shëndetin e demokracisë dhe sundimin e ligjit në Hungari.
Ai tha gjithashtu se nevojiteshin më shumë bisedime midis grupeve parlamentare përpara se ligjvënësit të votonin mbi ofertat e anëtarësimit. Këtë e konfirmoi më herët sot edhe ndihmësi i Orban, Gergely Gulyas, i cili tha se duhej më shumë kohë për një votim mbi ofertat e NATO-s.
"Parlamenti do ta vendosë këtë në rendin e ditës të hënën dhe do të fillojë debatin mbi legjislacionin javën e ardhshme. Bazuar në procedurën hungareze, miratimi i legjislacionit zgjat rreth katër javë, kështu që parlamenti mund të ketë një votim për këtë diku në gjysmën e dytë të marsit, në javën e 21 marsit", tha zoti Gulyas në një konferencë shtypi.
Kujtojmë se vitin e kaluar, Suedia dhe Finlanda aplikuan për t'u bashkuar me paktin e mbrojtjes transatlantike pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.
Por të 30 anëtarët e NATO-s duhet të mbështesin aplikimet dhe Suedia është përballur me kundërshtime nga Turqia për strehimin e atyre që Ankaraja konsideron se janë anëtarë të grupeve terroriste. Ndërsa tani Hungari është bërë pengesë për të dy vendet nordike.