
Pasi administrata amerikane e vendosi në listë të zezë drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë (BIA), Aleksandër Vulin, zyrtarët institucionalë në Serbi nuk kanë pranuar që të komentojnë këtë vendim.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë Vulinin, Qeverinë serbe dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe disa anëtarë të partisë në pushtet, por ata nuk dhanë asnjë koment.
Ndërkaq, një pjesë e opozitës serbe ka kërkuar largimin e menjëhershëm të Vulinit nga drejtimi i BIA-s.
Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG), subjekt opozitare pro-evropian, deklaroi se kërkon nga kryeministrja Ana Bërnabiç, që në seancën e ardhshme të Qeverisë, ta shkarkojë menjëherë Aleksandar Vulinin nga pozita e drejtorit të BIA-s.
“Dihet që Aleksandër Vulin është kërcënim për sigurinë e Serbisë dhe rajonit dhe ishte vetëm çështje kohe që akuza të tilla të bëheshin. Fakti që një person i pakualifikuar si Vulini është në krye të BIA-s është gisht në sy për krejt botën dhe të gjithë qytetarët e Serbisë. Ai duhet të shkarkohet menjëherë”, tha përmes një deklarate Pavle Gërboviç, deputet i PSG-së.
Ai shtoi se fakti që drejtori i BIA-s është nën sanksione do të thotë se “Serbia është e kompromentuar sepse një person i tillë, që mban në pozitë të tillë, paraqet kërcënim direkt për sigurinë dhe është problem për të gjithë qytetarët”.
Lini një Përgjigje