Presidenti i Serbisë tha se Milan Radoiçiç është në listën e kuqe të Interpolit për çështje që lidhen me Kosovën dhe jo për veprimtari kriminale. Analistët vlerësojnë se deklarata synon mbrojtjen politike të tij dhe se mungesa e procedimit penal ka dëmtuar besueshmërinë ndërkombëtare të Serbisë…
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi të hënën se Milan Radoiçiç, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit të armatosur në fshatin Banjskë në shtator 2023, ndodhet në listën e kuqe të Interpolit "për Kosovën dhe Metohinë", e jo për veprimtari kriminale.
Deklarata u bë gjatë një konference për shtyp, pasi gazetarja e televizionit N1 e pyeti përse Radoiçiçi dhe Zvonko Veselinoviçi gëzojnë mbrojtje nga pjesëtarë aktivë të Xhandarmërisë serbe.
Vuçiç tha se Radoiçiçi nuk kërkohet nga Interpoli për krime, por "për Kosovën dhe Metohinë", duke shtuar se ai po ndiqet penalisht për arsye politike dhe jo si kriminel. Ai përmendi edhe Veselinoviçin, i cili ndodhet nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Megjithatë, në Serbi ekziston një procedurë penale ndaj Radoiçiçit. Prokuroria e Lartë Publike e akuzon atë për bashkim për kryerjen e veprave penale, prodhim, posedim dhe qarkullim të paligjshëm të armëve dhe eksplozivëve, si dhe për vepra të rënda kundër sigurisë publike.
Gjatë marrjes në pyetje, ai i mohoi akuzat, ndonëse më herët kishte pranuar publikisht se kishte organizuar grupin që mori pjesë në ngjarjet e Banjskës. Gjykata refuzoi kërkesën për paraburgim dhe vendosi masa kufizuese, duke i ndaluar largimin nga Serbia pa lejen e gjykatës dhe hyrjen në territorin e Kosovës.
Deputeti i Lëvizjes Popullore të Serbisë, Aleksandar Ivanoviç, i tha gazetës Danas se deklarata e Vuçiçit përbën një "spin politik". Sipas tij, Radoiçiçi kërkohet sepse organizoi dhe armatosi grupin që mori pjesë në incidentin e Banjskës, fakt që, sipas Ivanoviçit, vetë ai e ka pranuar publikisht.
Ivanoviçi vlerëson se ngjarja në Banjskë ka dëmtuar rëndë pozitën ndërkombëtare të Serbisë dhe të serbëve në Kosovë. Ai shton se autoritetet në Prishtinë kanë përdorur vazhdimisht këtë ngjarje për të arsyetuar masa të reja ndaj komunitetit serb.
Ai kritikon gjithashtu mungesën e transparencës institucionale në Serbi lidhur me rastin, duke theksuar se opinioni publik ende nuk ka marrë përgjigje për rrethanat që çuan në praninë e një grupi të armatosur në Manastirin e Banjskës.
Politologu Ognjen Gogiç deklaroi për Danas se pretendimi i Vuçiçit nënkupton se edhe UNMIK-u dhe Interpoli do të ishin pjesë e një ndjekjeje politike ndaj Radoiçiçit, pasi Kosova nuk është anëtare e Interpolit dhe kërkesat për njoftime të kuqe paraqiten përmes UNMIK-ut, ndërsa vendimin përfundimtar e merr Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit pas verifikimit të kushteve ligjore.
Sipas Gogiçit, deklarata e presidentit serb synon t'i dërgojë një mesazh Radoiçiçit se mbështetja politike ndaj tij do të vazhdojë.
Ai kujton se Bashkimi Evropian dhe NATO kanë kërkuar vazhdimisht zbardhjen e plotë të ngjarjeve në Banjskë dhe ndjekjen penale të përgjegjësve. Nëse Serbia nuk dëshiron ta ekstradojë Radoiçiçin në Kosovë, thotë Gogiç, pritej që vetë autoritetet serbe të zhvillonin një hetim dhe proces gjyqësor efektiv, gjë që, sipas tij, nuk ka ndodhur.
Politologu vlerëson se mungesa e procedimit penal ndaj Radoiçiçit ka dëmtuar ndjeshëm besueshmërinë e Serbisë në raport me komunitetin ndërkombëtar dhe ka dobësuar pozitën e saj kur ngre shqetësime për procedurat gjyqësore ndaj serbëve në Kosovë. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje