Rrethi i ngushtë i presidentit rus, i ndërtuar mbi besnikërinë dhe filtrimin e informacionit, mund të jetë pengesa më e madhe për përfundimin e luftës…
Ndërsa re të zeza tymi mbi depot e naftës të bombarduara ngrihen mbi Moskë dhe sulmet ukrainase me dronë depërtojnë gjithnjë e më thellë në territorin rus, lind një pyetje themelore: pse Vladimir Putin nuk e sheh se dinamika e luftës ka ndryshuar?
Po ashtu, pse refuzoi një mundësi për negociata, kur administrata amerikane sinjalizoi gatishmëri për të njohur kontrollin rus mbi territoret e pushtuara dhe për të hapur rrugën për marrëdhënie të reja ekonomike? Dhe pse vendosi të nisë pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022?
Një shpjegim është se ambiciet imperiale e kanë bërë Putinin të shpërfillë realitetin e një ekonomie nën presion, humbjeve të mëdha njerëzore dhe një lufte pa perspektivë fitoreje. Megjithatë, një shpjegim më bindës është se presidenti rus vepron brenda një realiteti paralel, ku informacioni që merr është i filtruar dhe konfirmon vazhdimisht bindjet e tij.
Ky sistem informacioni, i ndërtuar mbi besnikërinë dhe jo mbi faktet, nuk është thjesht pasojë e stilit personal të Putinit. Ai është një nga pengesat kryesore për arritjen e paqes në Ukrainë.
Edhe pse Ukraina vazhdon të godasë objektiva ushtarake dhe energjetike në territorin rus, ndërsa sulmet me dronë kanë dëmtuar rëndë infrastrukturën dhe kanë kufizuar lidhjet me Krimenë, këto zhvillime mund të mos ndikojnë në vendimmarrjen e Kremlinit nëse bashkëpunëtorët më të afërt të Putinit vazhdojnë ta bindin se fitorja është pranë.
Në Rusi kanë nisur të shfaqen edhe kritika të pazakonta nga figura publike dhe komentatorë pro-Kremlinit. Disa prej tyre pretendojnë se presidenti nuk informohet saktë për gjendjen reale në vend. Megjithatë, sipas autorit, Putini nuk është viktimë e izolimit të tij, por arkitekti i këtij sistemi, ku vetëm një grup shumë i vogël bashkëpunëtorësh ka qasje tek ai.
Rrethi i brendshëm i presidentit rus përbëhet kryesisht nga ish-kolegë të tij të KGB-së dhe bashkëpunëtorë të hershëm nga Shën Petersburgu. Me kalimin e viteve, qasja ndaj Putinit është kufizuar gjithnjë e më shumë.
Një ish-senator rus kujton se deri para pandemisë presidenti merrej personalisht me shumicën e çështjeve të rëndësishme, ndërsa pas asaj periudhe u izolua pothuajse plotësisht. Sipas tij, shumë persona që dikur takoheshin rregullisht me Putinin nuk kanë më akses tek ai që nga fillimi i luftës.
Edhe një zyrtar i lartë i inteligjencës evropiane, i cili ka marrë pjesë në takime me Putinin, vlerëson se para pushtimit të vitit 2022 presidenti rus vepronte mbi një interpretim të fakteve që binte ndesh me realitetin.
Krahasimet me Stalinin janë shpesh të tepruara, por ekziston një ngjashmëri thelbësore: të dy udhëheqësit kanë vlerësuar besnikërinë më shumë sesa mendimin kritik dhe kanë eliminuar nga rrethi i tyre njerëzit që guxonin të kundërshtonin.
Në rastin e luftës në Ukrainë, figura si Viktor Medvedçuk, Sergei Beseda dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm Valery Gerasimov i paraqitën Putinit vlerësime sipas të cilave rrëzimi i qeverisë ukrainase do të ishte i shpejtë dhe rezistenca minimale. Këto informacione rezultuan të gabuara, por ndikuan në vendimin për të nisur pushtimin.
Vendimet e dobëta janë pasojë e informacionit të dobët, ndërsa mungesa e zërave kritikë brenda sistemit e përforcon këtë problem. Gjatë viteve, Putini ka larguar ose margjinalizuar bashkëpunëtorët që kanë shfaqur mendime ndryshe, përfshirë ish-ministrin e Financave Alexei Kudrin dhe këshilltarin Dmitry Kozak.
Ish-drejtori i CIA-s, William Burns, ka deklaruar se njerëzit që kanë ende qasje të rregullt tek presidenti rus e dinë se kundërshtimi i gjykimeve të tij nuk ndihmon karrierën e tyre.
Në çështjet ushtarake, ndikimin më të madh mbi Putinin e ushtron shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Valery Gerasimov. Një ish-zyrtar i lartë rus, i cituar nga Financial Times, vlerëson se raportimet e vazhdueshme të ushtrisë kanë krijuar një perceptim të deformuar të realitetit tek presidenti.
Izolimi i Putinit shtrihet edhe në mënyrën si ai informohet. Presidenti rus nuk përdor telefon inteligjent apo kompjuter dhe ka deklaruar më parë se interneti është krijim i CIA-s. Ish-redaktori i lajmeve kryesore të televizionit shtetëror rus ka bërë të ditur se prej vitit 2011 për Putinin përgatitet një version i posaçëm i edicioneve informative, ku përzgjidhen dhe paraqiten vetëm zhvillimet që krijojnë një pamje pozitive të vendit.
Edhe daljet publike janë të kontrolluara me kujdes. Takimet me qytetarë dhe veteranë organizohen sipas një skenari të parapërgatitur, ndërsa gazetarët që mbulojnë Kremlinin thonë se çdo pyetje dhe çdo pamje kalon në filtra të rreptë.
Megjithatë, jashtë këtij sistemi të izoluar, gjithnjë e më shumë zyrtarë rusë e konsiderojnë luftën një barrë të rëndë. Një zyrtar i lartë i qeverisë i tha gazetares Farida Rustamova se lodhja nga lufta është e përhapur dhe se përparimet në front po zbehen nga sulmet gjithnjë e më të shpeshta të Ukrainës në territorin rus.
Vështirësitë ekonomike, mungesa e rezultateve vendimtare në fushën e betejës, shtimi i represionit dhe frika nga mobilizime të reja e bëjnë gjithnjë e më të vështirë justifikimin e vazhdimit të konfliktit.
Brenda Kremlinit po zhvillohen edhe diskutime për periudhën pas luftës. Një dokument strategjik i përgatitur nga zyra e zëvendësshefit të administratës presidenciale, Sergei Kiriyenko, përshkruan mënyrën se si mund të menaxhohet opinioni publik pas përfundimit të konfliktit. Fakti që dokumenti u publikua në media konsiderohet një sinjal se disa qarqe pranë pushtetit po kërkojnë rrugë për mbylljen e luftës.
Në fund, kemi vlerësimin e William Burns, sipas të cilit Putini nuk është një strateg i pagabueshëm, por një udhëheqës i formuar nga komplekse, pakënaqësi dhe bindje të rrënjosura thellë. Burns thotë se gjatë takimeve të zhvilluara para luftës, presidenti rus nuk shfaqi asnjë shenjë dyshimi për vendimet e tij.
Sipas këtij interpretimi, Putini vazhdon të besojë se koha punon në favor të Rusisë dhe se Ukraina do të dobësohet me kalimin e kohës. Nëse kjo është bindja mbi të cilën ai merr vendimet, atëherë vazhdimi i luftës nuk buron nga impulsiviteti, por nga një llogaritje strategjike e ndërtuar mbi informacione të gabuara. /Përshtati Pamfleti nga The Spectator/
A I keni të verifikuara këto informacione?!... Tjetër gjë shohim në mediat e ndryshme franceze,gjermane dhe tjetër gjë shohim tek Ju... Është kohë Lufte dhe informacioni është kontradiktor!