Shmangia e fundit e Turqisë ndaj një konfrontimi me Rusinë tregon përpjekjet e saj për të ruajtur balancat dhe për t’i zgjidhur problemet me dyer të mbyllura.
Të dy kryeqytetet gëzonin një marrëdhënie të mirë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të Turqisë në maj. Por në muajt e fundit, Ankaraja ka ndërmarrë një sërë hapash duke u distancuar nga Moska si; shprehja e mbështetjes së plotë për anëtarësimin e Ukrainës në NATO gjatë vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Stamboll në fillim të korrikut; lirimi i komandantëve nga Batalioni Azov i Ukrainës, të cilët supozohej të qëndronin në Turqi deri në fund të luftës sipas një marrëveshjeje të shkëmbimit të të burgosurve; dhe pranimi nga presidenti Rexhep Tajip Erdogan i Suedisë në NATO.
Rusët nuk qëndruan duarkryq, teksa ndodhën të gjitha këto ngjarje. Më 17 korrik, Presidenti Vladimir Putin njoftoi tërheqjen e Rusisë nga marrëveshja që lejon dërgimin e sigurt të grurit ukrainas përmes Detit të Zi, i cili ishte ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara vitin e kaluar.
Më 6 gusht, forcat ruse goditën prodhuesin ukrainas të motorëve Motor Sich, i cili furnizon gjigantin e njohur ndërkombëtarisht të dronëve Baykar të Turqisë. Dronët TB2 të kompanisë kanë luajtur një rol kritik në mbrojtjen e Ukrainës kundër forcave ruse, dhe duke folur për Defense Nees, një diplomat i lartë turk e përshkroi sulmin "si një paralajmërim simbolik rus ... mbi disa iniciativa turke".
Më 13 gusht, forcat ruse bastisën një anije mallrash për në Ukrainë, e cila është në pronësi të një shtetasi turk dhe drejtohej nga ekuipazhi turk në ujërat ndërkombëtare në Detin e Zi, rreth 50 kilometra larg brigjeve të Turqisë. Në fillim të kësaj jave, Moska publikoi pamjet e bastisjes.
Sipas Yoruk Isik, një analist gjeopolitik me bazë në Stamboll dhe një studiues jorezident në Institutin e Lindjes së Mesme, bastisja ruse ishte "e çuditshme", por më e çuditshme ishte përgjigja e profilit të ulët të Ankarasë.
Duke thyer heshtjen e saj të enjten, pala turke paralajmëroi Moskën kundër veprimeve të mëtejshme që mund të përshkallëzojnë tensionet në Detin e Zi.
“Rusia është në telashe serioze për shkak të luftës në Ukrainë, por pala turke nuk po i shtyn përparësitë e saj”, tha Isik për Al-Monitor, duke shtuar se heshtja relative e Ankarasë mund të lidhet me përpjekjet e saj për të bindur Moskën që t'i kthehet marrëveshjes së grurit.
Onur Isci, profesor i asociuar i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Kadir Has në Stamboll, shpjegon qasjen e Turqisë nëpërmjet përpjekjeve të saj për të mbajtur një akt balancues midis Rusisë dhe Perëndimit.
Lidhjet më të ngushta me Perëndimin nuk do të thotë një shkëputje me Rusinë, tha Isci për Al-Monitor, por "një pajtueshmëri me sanksionet perëndimore ndaj Rusisë nuk është një plan i realizueshëm për Turqinë, as nuk është i mundur".
Ndërsa vëzhguesit pyesin nëse Erdogan dhe Putin do të takohen personalisht këtë muaj, të dyja palët ka të ngjarë të gjejnë një bazë të përbashkët. Lufta në Ukrainë e ka vënë ekonominë ruse në gjendje të rëndë. Për më tepër, si Ankaraja ashtu edhe Moska duhet të zvogëlojnë angazhimet e tyre në Siri për t'u fokusuar në çështje më urgjente gjeopolitike.
Ndërkohë, përkundër skepticizmit shekullor të turqve ndaj Perëndimit, imazhi rus vështirë se është më i mirë në mendjet turke./ Marrë nga "Al Monitor", përshtati Pamfleti
Lini një Përgjigje