TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Qershor 2025, 21:06

Perëndimi ka vendosur të luajë fort ndaj Rusisë, çfarë do bëjë Putini?

Shkruar nga Federico Ferraù

Perëndimi ka vendosur të luajë fort ndaj Rusisë,

Zvogëlimi i kapacitetit parandalues ​​të Rusisë pas sulmit masiv të ushtrisë ukrainase deri në Siberi, e dobëson Moskën strategjikisht në përballjen e saj me Perëndimin, dhe kjo mund të jetë një burim problemesh serioze...

Forcat ukrainase, kryen në fundjavë sulmin e tyre më të madh kundër Rusisë që nga fillimi i luftës. Operacioni “Rrjeta e Merimangës”, përbëhej nga një sulm masiv me dronë kamikazë kundër objektivave strategjikë rusë në bazat ajrore Olenya në Murmansk dhe Belaya në Irkutsk.

Atje ndodhen avionë bombardues strategjikë, të cilët mund të përdoren për lëshimin e armëve bërthamore, dhe që janë përdorur tashmë për të lëshuar raketa me rreze të gjatë veprimi kundër Ukrainës. Por shpërthime u raportuan edhe në bazën detare Severomorsk në Murmansk, ku ndodhet Flota Veriore Ruse.

Ukrainasit goditën gjithashtu dy linja hekurudhore, në rajonet Briansk dhe Kursk, duke shkaktuar viktima edhe në radhët e civilëve. Është ende e pamundur të bëhet një vlerësim i plotë i dëmeve, por mbi të gjitha të parashikohet se cilat do të jenë pasojat në bisedimet midis delegacioneve ukrainase dhe ruse në Stamboll.

Marco Bertolini, gjeneral italian i Brigadës Folgore dhe komandant i operacioneve të shumta speciale në Liban, Somali, Kosovë dhe Afganistan, mendon se sulmet ukrainase tregojnë se loja strategjike, ndryshe nga përballja taktike në tokën ukrainase, është ende e hapur dhe mund të evoluojë në skenarë seriozë dhe të paparashikueshëm.

Çfarë mund të themi për sulmi masiv të ukrainasve?

Së pari duhet bërë një dallim. Sulmet kundër linjave hekurudhore në Bryansk, Kursk, Mariupol dhe ndoshta edhe në Melitopol janë operacione kundër objektivave të buta. Pra kundër objektivave në thelb jo-ushtarake dhe të pambrojtura, me viktima civile, të cilat mund të jenë kryer duke përdorur teknika lufte jokonvencionale nga elementë të trajnuar mirë, përmes sabotimit në afërsi të territorit ukrainas.

Ndërsa sulmet me dronë ndaj bazave ajrore ruse, janë shumë fitimprurëse nga perspektiva ushtarake. Ato kanë kërkuan një planifikim të gjatë dhe informacione shumë të sakta. Ukraina thotë se goditi 40 avionë bombardues, ndërsa Moska pretendon se u shkatërruan rreth 10 avionë, ndërsa të tjerët u dëmtuan. E vërteta qëndron diku në mes, por kjo nuk e zvogëlon rëndësinë e sulmit. Sidoqoftë, të dy operacionet janë të koordinuara.

A janë ato një kundërpërgjigje ndaj dy sulmeve të fundit masive ajrore ruse, i pari natën e 24-25 majit, dhe i dyti natën pasardhëse?

Nuk e besoj. Synimi i vërtetë është tjetër. Vetë ukrainasit thanë se sulmet e tyre ishin përgatitur prej 1 viti e gjysmë. Operacione të tilla nuk mund të improvizohen, kjo është e qartë. Por vendimi është politik, dhe erdhi pak para takimit në Stamboll midis dy delegacioneve.

Pra ndërsa po diskutoheshin hapat e mëtejshëm në negociata, Kievi kishte kohë që po përgatiste një sulm shkatërrues në prag të tyre. Edhe pse sipas mendimit tim, asgjë vendimtare nuk mund të pritej nga takimi në Turqi, madje as në prag të këtyre sulmeve.

Por ky format, ishte një hap i parë thelbësor për të adresuar çështjet politike dhe ushtarake të konfliktit. Tani Ukraina ulet në tryezën e negociatave me një rezultat të rëndësishëm strategjik, sepse ka treguar se sa thellë mund të depërtojë në territorin rus.

Nuk e dimë ende se cila do të jetë përgjigja ruse. Por me siguri që do ketë një të tilla, sepse janë kaluar të gjitha “vijat e kuqe” të vendosura nga Putini, dhe në këtë pikë ai

duhet të mbrojë besueshmërinë e tij dhe atë të Moskës në përgjithësi.

A do të ketë operacioni pasoja të drejtpërdrejta mbi konfliktin në Ukrainë?

Jo, por zvogëlimi i kapacitetit parandalues ​​të Rusisë, e dobëson Moskën strategjikisht në përballjen e saj me Perëndimin, dhe unë besoj se kjo mund të jetë një burim problemesh serioze.

A është e mundur që Ukraina të kryejë sulme të tilla pa mbështetjen e Perëndimit?

Jo. Ukraina, është shumë e angazhuar në mbrojtjen e territorit të saj, dhe nuk mund të jetë e aftë të shkaktojë e vetme dëme serioze në distanca kaq të largëta. Ajo ka pasur nevojë për inteligjencë dhe mjete të sofistikuara, që zyrtarisht nuk i ka dhe të cilat janë në dispozicion të Perëndimit.

Prandaj ky sulm e zhvendos qendrën e gravitetit të konfliktit nga niveli taktik në atë strategjik. Taktikisht, Rusia ka një avantazh të qartë në përballjen e saj me Ukrainën dhe po fiton terren në  rajonet  e diskutueshme. Por në një nivel strategjik, ngjarjet e 24 orëve të fundit tregojnë se lojërat nuk kanë mbaruar ende.

Kjo shihet edhe nga tensionet e javës së kaluar në Baltik, të cilat përfshinin një anije të flotës në hije ruse që i shpëtoi kontrolleve të autoriteteve estoneze, si dhe nga stërvitja e mëparshme ushtarake ruse aty pranë. Pas hyrjes së Finlandës dhe Suedisë në NATO,

flota ruse në Kaliningrad është një enklavë ruse në një “liqen” - Detin Baltik që tani kontrollohet tërësisht nga Aleanca Atlantike. Kjo e bën shumë të cenueshme ushtrinë ruse.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë i tha televizionit NBC se Shtetet e Bashkuara nuk ishin njoftuar për sulmet e Kievit në territorin rus...

Nuk kam tendencën të përjashtoj asgjë, sepse nuk i dihet kurrë. Por unë besoj se Trump - dhe po flas vetëm për të, jo për Shtetet e Bashkuara, për të cilat çështja është më komplekse - s’ka interes ta ndërlikojë më tej situatën. Është e vërtetë, që ai është shpesh  i drejtpërdrejtë, si për shembull kur pyet nëse Putini është “çmendur”. Por në fund ai luan zakonisht luan rolin e “zjarrfikësit”.

Po Evropa?

Franca, Britania e Madhe, Gjermania dhe Polonia vazhdojnë të shprehen hapur në mbështetje të kërkesave të Zelensky: mbështetje ushtarake kundër Rusisë, një armëpushim dhe më pas paqe. Ndërsa Putini mban një qëndrim krejtësisht të ndryshëm: ripërcaktimin e një arkitekture sigurie për Rusinë dhe më pas paqen, pa asnjë “armëpushim” që do t’u jepte forcave ukrainase pak hapësirë ​​për të marrë frymë, duke e shtyrë rifillimin e konfliktit për kohë më të mira.

Në këto kushte, a mund të dështojnë bisedimet?

Ato mund të ndërpriten, por edhe mund të vazhdojnë dhe të jenë një moment vërtet sqarues. Por ekziston edhe rreziku i një përshkallëzimi që është i vështirë për t’u kontrolluar, gjë që është në thelb ajo që kërkon Zelensky. Pra jemi në një pikë kthese, një pikë shumë të rrezikshme. /Përshtati Pamfleti nga “Il Sussidiario”/

Lini një Përgjigje

Rajoni dhe Bota