TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Janar 2026, 20:32

Përmbytje apokaliptike në Greqi, lumenjtë marrin para gjithçka; shënohet një viktimë (Video)

Shkruar nga Pamfleti

Përmbytje apokaliptike në Greqi, lumenjtë marrin para

Moti ekstrem godet Greqinë, përmbytje katastrofike

Greqia është përfshirë nga përmbytje apokaliptike pas reshjeve të dendura të shiut dhe stuhive të fundit, duke sjellë një viktimë dhe kaos në disa zona të vendit.

Sipas raporteve të mediave greke, reshjet e shirave kanë shkaktuar dalje të lumenjve nga shtrati dhe përmbytje të rrugëve, evakuime, bllokim të trafikut dhe dëme materiale të konsiderueshme në komunitete të ndryshme.

Autoritetet e emergjencës kanë njoftuar se të paktën një person ka humbur jetën si pasojë e përmbytjeve, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet dhe operacionet për të ndihmuar banorët e mbetur të bllokuar në zonat e ndikuara. Mësohet se një e moshuar ka mbetur e bllokuar në makinë, teksa e ka marrë rrjedha e ujit dhe më pas ka ndërruar jetë.  

Përmbytjet kanë shkaktuar bllokime të trafikut dhe probleme serioze infrastrukturore në rajone të ndryshme, përfshirë jugun dhe zonat qendrore të vendit, ku lumenjtë kanë dalë nga shtrati dhe kanë përmbytur rrugë, fusha dhe lagje banimi. Autoritetet lokale dhe shërbimet e emergjencës kanë apeluar për kujdes dhe bashkëpunim nga banorët për të shmangur situata rreziku.

Disa makina janë gjetur të përmbytura plotësisht në rrugë të ndryshme të Athinës dhe periferive të saj, ndërsa uji ka hyrë në bodrume dhe biznese në disa lagje të dendura urbane. Problemet më të mëdha janë regjistruar në Nea Philadelphia, Egaleo, Moschato dhe Peristeri, ku lumenjtë e vegjël dhe kanalizimet nuk kanë përballuar sasinë e madhe të reshjeve. Shërbimi zjarrfikës ka marrë qindra thirrje për ndihmë, ndërsa shumë akse rrugore janë mbyllur përkohësisht. Të gjitha shërbimet e emergjencës janë në gadishmëri të plotë për përballimin e situatës.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin me kujdes njoftimet e mbrojtjes civile, pasi reshjet pritet të vazhdojnë edhe gjatë natës dhe ditës së nesërme. Situata mbetet kritike dhe pritet një mbledhje urgjente e qeverisë për të vlerësuar hapat e mëtejshëm.

Lini një Përgjigje