TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Dhjetor 2025, 18:57

Përplasje në Itali mbi edukatën seksuale/ Qeveria e Melonit ndalon “ideologjinë gjinore”, opozita shpërthen në protesta

Shkruar nga Pamfleti

Përplasje në Itali mbi edukatën seksuale/ Qeveria e Melonit

Një projektligj i mbështetur nga qeveria e Giorgia Melonit ka ndezur debate të forta në Itali, duke rindezur betejën politike për të drejtën e fëmijëve për edukatë seksuale në shkolla. Ndërsa vendet e tjera të Bashkimit Europian e kanë bërë të detyrueshme këtë lëndë për të luftuar dhunën ndaj grave, Italia mbetet ndër të paktat që ende e censuron atë, tani me ligj.

Projektligji, i miratuar tashmë në Dhomën e Ulët të Parlamentit, lejon mësimin e edukatës seksuale vetëm për nxënësit 11-14 vjeç dhe vetëm me miratim me shkrim nga prindërit. Në shkollat fillore ajo do të mbetet e ndaluar, ndërsa në gjimnaze do të vijojë me të njëjtat kufizime aktuale.

Përfaqësues të koalicionit qeverisës e justifikuan ligjin si një “mbrojtje ndaj fëmijëve nga indoktrinimi ideologjik”. Nënsekretari i Arsimit, Rossano Sasso, deklaroi në Parlament:

“Me këtë ligj i themi lamtumirë flluskës ‘Woke’ dhe ideologjisë gjinore. Askush nuk do të sjellë më drag queens apo aktorë porno nëpër shkolla për të folur për fluiditet seksual apo nënën surrogate”.

Ai mbylli fjalën duke përsëritur një slogan të periudhës fashiste italiane: “Zoti, atdheu dhe familja”, duke e quajtur këtë “besimin që udhëheq veprimin tonë politik”.

Opozita dhe shoqëria civile: “Ligj regresiv, pengon luftën kundër dhunës ndaj grave”

Partitë opozitare protestuan jashtë parlamentit, duke e cilësuar projektligjin si një hap prapa në përpjekjet për të parandaluar ngacmimet seksuale, përdhunimet dhe femicidin.

Sara Ferrari, deputete e Partisë Demokratike, u shpreh: “Ky ligj vë pengesa të qëllimshme ndaj shkollave që duan të zbatojnë një mjet thelbësor për të luftuar dhunën ndaj grave.”

Familja e Giulia Cecchetin, studentja e vrarë në nëntor 2023 nga ish-i dashuri i saj Filippo Turetta, ka bërë thirrje publike për vendosjen e edukatës seksuale të detyrueshme si mjet parandalues.

Për dekada me radhë, në Itali janë bërë 34 tentativa për të futur edukatën seksuale në shkolla – të gjitha të bllokuara përmes presioneve të forta nga grupe anti-abort, organizata katolike dhe lobi konservator që e lidhin këtë temë me “promovimin e abortit, martesave të të njëjtit seks dhe nënës surrogate”.

Sipas dy sondazheve të vitit 2024, 90% e nxënësve dhe gati 80% e prindërve janë në favor të programeve të edukatës seksuale në shkolla – një sinjal se hendeku mes klasës politike dhe shoqërisë reale po thellohet.

Lini një Përgjigje