
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Izrael ka bërë të ditur se ka miratuar largimin e një pjese të personelit diplomatik dhe të familjarëve të tyre, për shkak të shqetësimeve për sigurinë. Vendimi merret në një moment kur raportet mes Uashingtonit dhe Teheranit po përjetojnë një përshkallëzim të tensioneve.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, përfaqësia diplomatike amerikane paralajmëroi se mund të vendosë kufizime shtesë për lëvizjen e stafit qeveritar dhe familjeve të tyre në disa zona të Izraelit. Kufizimet mund të prekin, ndër të tjera, qytetin e vjetër të Jerusalemit dhe Bregun Perëndimor, dhe mund të hyjnë në fuqi pa njoftim paraprak.
Njëkohësisht, ambasada u ka bërë thirrje shtetasve amerikanë që ndodhen në Izrael të shqyrtojnë mundësinë e largimit, për sa kohë që fluturimet komerciale vijojnë të jenë të disponueshme.
Ky zhvillim pason mbërritjen në Izrael të aeroplanmbajtëses amerikane USS Gerald R. Ford, një lëvizje që ka rritur më tej shqetësimet për situatën e sigurisë në rajon.
Lini një Përgjigje