
Papa Leo XIV ka bërë sërish thirrje publike për paqe në Lindjen e Mesme, duke kërkuar që palët në konflikt të ndalin menjëherë dhunën dhe t’i rikthehen dialogut.
Gjatë lutjes së tij javore në Vatikan, Ati i Shenjtë u ndal te pasojat e rënda që lufta ka sjellë për popujt e rajonit gjatë dy javëve të fundit. Ai theksoi se mijëra civilë të pafajshëm kanë humbur jetën, ndërsa shumë të tjerë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.
“Të dashur vëllezër dhe motra, për dy javë popujt e Lindjes së Mesme kanë vuajtur dhunën e tmerrshme të luftës. Mijëra njerëz të pafajshëm janë vrarë dhe shumë të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre”, u shpreh Papa.
Ati i Shenjtë shtoi se është pranë familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre në sulmet që kanë goditur shkolla, spitale dhe zona të banuara. Ai u bëri thirrje drejtpërdrejt përgjegjësve të konfliktit që të ndalin përshkallëzimin e dhunës.
“Në emër të të krishterëve të Lindjes së Mesme dhe të të gjitha grave dhe burrave me vullnet të mirë, u drejtohem atyre që janë përgjegjës për këtë konflikt. Armëpushim! Le të rihapen shtigjet e dialogut”, deklaroi ai.
Papa theksoi se dhuna nuk mund të sjellë drejtësi, stabilitet dhe paqe të qëndrueshme për popujt e rajonit.
Lini një Përgjigje