Bota26 Qershor 2023, 17:33

Prigozhin flet për herë të parë pas kryengritjes dhe bën hapa pas: S’ishte grusht shteti, thjesht po protestonim

Shkruar nga Pamfleti

Prigozhin flet për herë të parë pas kryengritjes dhe

Udhëheqësi i Wagner, Yevgeny Prigozhin ka reaguar për herë të parë, që nga tërheqja e tij të shtunën mbrëma. Ai ka postuar sërish një mesazh audio 11-minutësh ku tregon qëllimet e kryengritjes së tij.

Në video-mesazhin e tij Prigozhin hodhi poshtë të gjitha pretendimet se po bënte grusht shteti, teksa shtoi se qëllimi i marshimit ishte shmangia e shkatërrimit të Wagner-it.

Ai tha më tej ata po bënin thjesht një marshim për të demonstruar protestën e tyre dhe jo për të rrëzuar qeverinë. Prigozhin shtoi se u detyrua të tërheqë trupat për të shmangur derdhjen e gjakut të ushtarëve rusë.

“Gjatë natës, ne kemi ecur 780 kilometra (rreth 484 milje). Dyqind e ca kilometra (rreth 125 milje) kanë mbetur për në Moskë. Asnjë ushtar i vetëm në tokë nuk u vra. Na vjen keq që u detyruam të sulmonim avionët, por këta avionë hodhën bomba dhe nisën sulme me raketa. Qëllimi i marshimit ishte shmangia e shkatërrimit të Wagner-it dhe mbajtja e llogarisë ndaj zyrtarëve që me veprimet e tyre joprofesionale kanë bërë një numër të madh gabimesh. Ne ishim në një marshim për të demonstruar protestën tonë, jo për të rrëzuar qeverinë. Marshimi u ndal kur detashmenti bëri një zbulim të zonës dhe ishte e qartë se në atë moment do të derdhej shumë gjak. Ne menduam se demonstrimi i asaj që do të bënim ishte i mjaftueshëm. Në këtë kohë, Alexander Lukashenko zgjati dorën dhe ofroi gjetjen e zgjidhjeve për punën e mëtejshme të Wagner PMC në juridiksionin ligjor", tha ndër të tjera Yevgeny Prigozhin.

Duke folur për kushtet e marrëveshjes që thuhet se ishte bërë për të ndalur rebelimin e Wagnerit gjatë fundjavës, Prigozhin pretendon se grupi ishte kategorikisht kundër vendimit për të mbyllur Wagnerin më 1 korrik 2023 dhe për ta përfshirë atë në ministrinë e mbrojtjes.

Edhe pse si pjesë e marrëveshjes, Prigozhin kishte rënë dakord të shkonte në Bjellorusi, ai nuk zbuloi se ku ishte në video-mesazhin që ndau në Telegram.

Ndërkohë dhe presidenti rus Vladimir Putin ka bërë sot daljen e tij të parë, që prej marshimit të grupit Wagner gjatë fundjavës, ku mbajti dhe një deklaratë për mediat. Është e paqartë se kur apo në ç'vend Putin e regjistroi këtë deklaratë, pasi ai nuk përmendi asnjë marrëveshje me Prigozhinin, apo kryengritjen e Wagner./Pamfleti

prigozhin grusht shteti wagner