
“Gen Z” përmbys elitën: Trazirat më të mëdha në dekada e lënë Nepalin pa qeveri
Kryeministri i Nepalit, KP Sharma Oli, ka dhënë dorëheqjen pas një vale protestash anti-korrupsion që kanë tronditur vendin dhe janë cilësuar si trazirat më të rënda në dekada. Vendimi i tij vjen pasi të paktën 22 persona humbën jetën në përplasjet e dhunshme me policinë në vetëm dy ditë, ndërsa turmat e zemëruara sulmuan institucionet shtetërore, partitë politike dhe shtëpitë e liderëve.
Në letrën e dorëheqjes drejtuar presidentit Ramchandra Paudel, Oli deklaroi se tërhiqet “për të hapur rrugën e një zgjidhjeje kushtetuese të krizës dhe për të kontribuar në zgjidhjen politike të situatës”. Presidenca ka konfirmuar pranimin e dorëheqjes dhe nisjen e bisedimeve për gjetjen e një pasuesi, por për momentin, Nepali është pa një drejtim të qartë politik.

Protestat nisën javën e kaluar, kur qeveria urdhëroi bllokimin e 26 platformave të rrjeteve sociale, përfshirë Facebook dhe Instagram, me arsyetimin e luftës kundër lajmeve të rreme dhe gjuhës së urrejtjes. Por për të rinjtë, sidomos Gjeneratën Z, ky veprim u pa si një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe një përpjekje për të heshtur fushatën kundër korrupsionit.
Edhe pse ndalimi u tërhoq të hënën në mbrëmje, zemërimi i akumuluar shpërtheu në një revoltë të paprecedentë, duke u kthyer në një lëvizje të gjerë kundër elitës politike.
Në javët e fundit, rrjetet sociale ishin ndezur nga fushata “nepo kids”, që ekspozonte jetën luksoze të fëmijëve të politikanëve dhe akuzat për pasuri të siguruara nëpërmjet korrupsionit. Kjo u bë katalizator për një shpërthim masiv të pakënaqësisë.
Pamjet nga Katmandu treguan Parlamentin e vendit në flakë, me turmat që këndonin slogane kundër qeverisë dhe valëvitnin flamuj kombëtarë. Brenda godinës, xhamat ishin thyer, ndërsa muret u mbuluan me grafite dhe mesazhe antiqeveritare.

Protestuesit dogjën gjithashtu selinë e Partisë së Kongresit Nepalez, shtëpinë e liderit të saj Sher Bahadur Deuba dhe banesën e vetë Oli-t.
Kaosi nuk u ndal me kaq: autoritetet konfirmuan se 900 të burgosur u arratisën nga dy burgje në perëndim të vendit, pasi turmat çanë dyert dhe ndërhynë brenda. Kjo ngjarje e ka vënë në alarm të plotë sistemin e sigurisë.
Ushtria paralajmëron ndërhyrje
Në një deklaratë të martën mbrëma, ushtria nepaleze akuzoi protestuesit se po shfrytëzojnë krizën për vandalizëm dhe plaçkitje, duke paralajmëruar se nëse dhuna vazhdon, “të gjitha institucionet e sigurisë, përfshirë ushtrinë, do të marrin kontrollin e situatës” nga ora 22:00 lokale.
Shefi i ushtrisë, gjenerali Ashok Raj Sigdel, tha në një videomesazh se është detyrë kombëtare të ruhet rendi dhe uniteti i vendit, ndërsa u bëri thirrje të rinjve për vetëpërmbajtje.
Ndryshe nga protestat e së kaluarës, kjo lëvizje nuk ka një drejtim të centralizuar politik apo lider të qartë. Ajo është spontane, e udhëhequr nga zemërimi popullor dhe thirrjet e përgjithshme për t’i dhënë fund korrupsionit.
“Është koha që vendi ynë të ndryshojë,” tha për BBC Muna Shreshta, një 20-vjeçare e pranishme në protestat para parlamentit. “Ne kemi paguar taksa, por paratë janë vjedhur. Ne duam që ato të përdoren për të zhvilluar Nepalin, jo për të pasuruar politikanët.”
Çfarë pritet më tej?
Dorëheqja e Oli-t ka hapur një vakum politik të rrezikshëm: nuk ka një plan të qartë për pasuesin e tij, ndërsa shumë ministra raportohet se janë fshehur nën mbrojtjen e forcave të sigurisë. Ndërkohë, protesta nuk duket se do të ndalet, pasi kërkesat për “ndryshim të plotë” vetëm po shtohen.
Me vendin pa një qeveri funksionale, me ushtrinë që paralajmëron marrjen e kontrollit dhe me protestuesit që e kanë kthyer revoltën në një lëvizje kombëtare, Nepali rrezikon të zhytet në një krizë të thellë politike dhe institucionale – më të rëndën që nga fundi i monarkisë në vitin 2008. /Përshtatur nga “BBC”
Lini një Përgjigje