TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Dhjetor 2025, 17:30

Pse Giorgia Meloni kërkon të reformojë shërbimin sekret?

Shkruar nga Pamfleti
Pse Giorgia Meloni kërkon të reformojë shërbimin sekret?
Giorgia Meloni

Rihapet debati i përgjimeve në Itali!

Në korridoret e pushtetit në Romë po qarkullon sërish një ide që rikthehet periodikisht: ristrukturimi i arkitekturës së shërbimeve sekrete italiane. Qëllimi zyrtar është ambicioz dhe në pamje të parë racional: të thjeshtohet dhe të bëhet më efikas sistemi i inteligjencës kombëtare.

Por pas këtij diskursi teknik fshihet një transformim i thellë, që preket jo vetëm organizimin e brendshëm të dy agjencive, AISI (siguria e brendshme) dhe AISE (operacionet e jashtme), por edhe një nga instrumentet më delikate të shtetit: përgjimet parandaluese, të cilat nuk janë pjesë e hetimit penal, por përdoren për të ndjekur dhe monitoruar individë potencialisht të rrezikshëm.

Ky projekt nuk është thjesht administrativ, është thellësisht politik dhe institucional. Qeveria e drejtuar nga Giorgia Meloni lëviz në një vijë të hollë mes nevojave reale për siguri, presionit ndërkombëtar për efikasitet dhe kërkesës për forcim të konsensusit të brendshëm.

Përgjimet parandaluese nuk kërkojnë provë penale. Ato shërbejnë për të ndaluar një rrezik të mundshëm dhe autorizohen përmes një procedure të ngadaltë: fillimisht me firmën e Kryeministres, dhe më pas me miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm pranë Gjykatës së Apelit të Romës.

Tani, diskutohet për përshpejtimin e kësaj procedure, madje për mundësinë e përgjimit të menjëhershëm dhe legalizimin me vonesë. Arsyeja? Rreziqet moderne janë të menjëhershme, dinamike, fluide. Por shtrohet pyetja: a mund të sakrifikohet mbikëqyrja gjyqësore për hir të shpejtësisë?

Reduktimi i kontrollit ligjor do të thotë forcim i rolit të ekzekutivit. Dhe në mungesë të balancave, rritet rreziku që mjetet e jashtëzakonshme të bëhen normë, duke cenuar jetën private të qytetarëve edhe pa prova konkrete për vepra penale.

Përtej aspektit teknik, kjo risi prek edhe ndërthurjen e roleve mes shërbimeve të inteligjencës dhe policisë gjyqësore. Nëse shërbimet fillojnë të përgjojnë pa kontroll dhe me hapësira të gjera, kufiri mes vëzhgimit strategjik dhe ndjekjes penale zbehet, duke shkaktuar konflikt kompetencash, përplasje strukturash dhe paqartësi ligjore.

Një tjetër ide që rikthehet shpesh është bashkimi i dy shërbimeve në një super-agjenci të vetme. Në letër, kjo tingëllon efektive: më pak burokraci, më shumë koherencë strategjike. Por në praktikë, rrezikohet humbja e specializimit, diversitetit operacional dhe ekuilibrave institucionalë.

Shërbimi i brendshëm vepron në një sistem të ngarkuar me garanci kushtetuese. Ndërsa ai i jashtëm operon në një mjedis ndërkombëtar informal, shpeshherë në hije. Bashkimi i tyre nën një komandë unike mund të prodhojë tensione të brendshme dhe humbje të efikasitetit real.

Sot, kontrolli parlamentar mbi shërbimet është i kufizuar dhe shpesh simbolik. Një agjenci e përbashkët, më e madhe dhe më e fshehtë, do ta bënte edhe më të vështirë vëzhgimin e bilanceve të padukshme dhe operacioneve të klasifikuara. Jo për shkak të keqbesimit, por për shkak të mungesës së informacionit.

Si reforma e përgjimeve, ashtu edhe bashkimi i shërbimeve sekrete, janë simptoma të një tendence të rrezikshme: tundimi për të përdorur rrugë të shkurtra në emër të efikasitetit. Por historia, në Itali dhe më gjerë, ka treguar se shërbimet e inteligjencës, pa kontroll dhe pa transparencë, nuk sjellin siguri, por pasiguri. /Përshtatur nga “Inside Over”

Lini një Përgjigje