Familje jashtëzakonisht të pasura po sigurojnë viza në vende neutrale si Zvicra ose në vende gjeografikisht të largëta si Zelanda e Re dhe Uruguai. Ato po përgatiten gjithashtu për kontrolle të mundshme mbi lëvizjen e kapitalit…
Të bëhesh i pasur ndonjëherë është më e lehtë sesa të mbetesh i pasur. Që kur Thomas Mann shkroi sagën familjare “Buddenbrooks”, të gjitha dinastitë e dinë se ruajtja e pasurive të mëdha për disa breza është sfida më e vështirë. Prej muajsh po rritet ndërgjegjësimi te familjet e pasura se mirëqenia e tyre mund të vihet së shpejti në rrezik. “Shumë njerëz të pasur po përgatiten sot për skenarët më të këqij të mundshëm”, thotë Christian Kalin. Kompania e tij, Henley & Partners, është e specializuar në shërbime për klientelën e super të pasurve.
Për ta, sigurimi i lejeve të qëndrimit ose pasaportave të vendeve të ndryshme që konsiderohen strehë të sigurta përbën një lloj sigurimi. “Kjo ka ndodhur edhe më parë, por kërkesa është më e lartë se kurrë”, thotë Kalin.
Plane të tilla rezervë zakonisht mbeten sekrete familjare të ruajtura me kujdes. Vetëm në raste të rralla, kur bëhet fjalë për persona shumë të njohur, si së fundmi investitori i Silicon Valley, Peter Thiel, detaje të tilla bëhen publike. Thiel, i cili është marrë intensivisht me skenarë apokaliptikë dhe veçanërisht me figurën e “Antikrishtit”, së fundmi ka siguruar një rezidencë në Argjentinë.
Edhe në bankën zvicerane Sygnum vërehet se familjet e pasura po përgatiten për rreziqe ekstreme. Për shkak të specializimit të saj në kriptovaluta, kjo bankë luan një rol të veçantë në këto planifikime, shkruan media zvicerane NZZ.
“Familjet e pasura po blejnë prona ose po sigurojnë leje qëndrimi në vende të sigurta si Zvicra, Singapori dhe rajoni i Australisë e Zelandës së Re”, thotë drejtori i Sygnum, Mathias Imbach, i cili shton “përveç kësaj, ato dëshirojnë të mbajnë rezerva fizike ari dhe Bitcoin të ruajtura lokalisht në këto vende.”
Rrjeti i Bitcoin konsiderohet si një nga sistemet më të sigurta informatike në botë. Që nga krijimi i tij në vitin 2009, teknologjia blockchain mbi të cilën bazohet nuk është hakuar asnjëherë. Për më tepër, kufiri maksimal prej 21 milionë njësish krijon një mungesë që as ari nuk e ka.
Ndryshe nga bankat dhe menaxherët institucionalë të pasurisë, shumë familje të pasura nuk kanë pasur kurrë hezitime ndaj kriptovalutave.
Por ndërsa më parë ato thjesht eksperimentonin me këtë teknologji, sot po e vlerësojnë gjithnjë e më shumë Bitcoin-in si një aset që funksionon në mënyrë të pavarur nga sistemi tradicional bankar dhe financiar.
Sipas Imbach, disa zyra familjare që menaxhojnë pasuri të mëdha i janë drejtuar madje Sygnum-it me kërkesën që banka të hapë një degë në rajonin e Oqeanisë. Aktualisht, Sygnum është tashmë e pranishme me një degë në Singapor.
Frikë nga kolapsi i sistemit financiar
Por nga çfarë kanë frikë saktësisht familjet e pasura?
Drejtuesi i një zyre familjare në Zvicër, i cili dëshiron të mbetet anonim, e përshkruan kështu: ai ka marrë detyrën të mbrojë klientët e tij nga dy rreziqe ekstreme, të cilat ata nuk i kishin përmendur kurrë më parë kaq qartë sa sot, një luftë mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara dhe një kolaps i sistemit financiar.
Përgatitjet për një situatë emergjente përfshijnë blerjen e pronave banimi në vende të largëta si Zelanda e Re dhe Uruguai. Secila prej këtyre rezidencave disponon gjithashtu kasaforta me rezerva të mëdha parash të gatshme dhe ari.
Edhe Christian Kalin thotë se asetet jashtë sistemit bankar, si pronat e paluajtshme, ari fizik dhe kriptovalutat, po gëzojnë kërkesë të lartë.
“Familjet e pasura po llogarisin me mundësinë që në të ardhmen të vendosen kontrolle mbi lëvizjen e kapitalit”, thotë ai.
Sipas Kalin, klientët e tij shqetësohen për tre çështje kryesore.
Së pari, ata vazhdojnë të jenë të tronditur nga fakti se edhe shtetet demokratike dhe me sundim të ligjit vendosën gjatë pandemisë masa të detyrueshme përmes dekreteve, në disa raste duke tejkaluar ligjet apo edhe kushtetutat, si dhe mbyllën kufijtë.
Së dyti, po rritet shqetësimi për trazira sociale, veçanërisht te ata që jetojnë në vende si Gjermania, Franca, Britania e Madhe apo SHBA-ja.
Së treti, ata kanë frikë nga lufta, jo vetëm në Evropën Lindore apo Lindjen e Mesme, por edhe në Azi. Edhe një konflikt mes Kinës dhe SHBA-së nuk përjashtohet më.
Ndryshe nga e kaluara, SHBA-ja ka humbur një pjesë tërheqëse të statusit të saj si strehë e sigurt, vëren ai. Krahas vendeve neutrale si Zvicra, Singapori dhe deri vonë Emiratet e Bashkuara Arabe, aktualisht po kërkohen shumë destinacione gjeografikisht të izoluara si Karaibet dhe Zelanda e Re.
Rreziku që vjen nga SHBA-ja
Menaxheri i zyrës familjare thotë se klientët e tij flasin shpesh kohët e fundit për pakujdesinë e rrezikshme në SHBA, ku politikanët pothuajse nuk e diskutojnë më deficitin e madh buxhetor.
Sipas tij, si demokratët ashtu edhe republikanët mbështeten te ideja se një bum i inteligjencës artificiale do të sjellë në mënyrë të mrekullueshme rritje të lartë ekonomike dhe të ardhura të reja për shtetin.
Pikërisht për këtë arsye klientët e tij e konsiderojnë të mundshme një krizë të re financiare që mund të nisë nga dollari amerikan.
Edhe siguria fizike nuk konsiderohet më e mirëqenë nga të pasurit.
“Njerëzit e pasur janë të vetëdijshëm se në rast trazirash mund të bëhen objektiv”, thotë Kalin, duke shtuar “për këtë arsye kërkesa për kompani që mund të organizojnë evakuime emergjente është shumë e lartë.”
Sot, të pasurit jo vetëm që zotërojnë disa rezidenca në vende të ndryshme, por përgatisin edhe plane konkrete për mënyrën se si do të arrijnë në to në rast trazirash, lufte ose mbylljeje kufijsh.
Arratisja e kapitalit është një “sport kombëtar” në Kinë
Dëshira për të pasur një plan rezervë është natyrshëm më e fortë te të pasurit në vende ku të drejtat e pronësisë nuk janë të garantuara plotësisht, si për shembull në Kinë.
Sipas vlerësimeve të Institute of International Finance, familjet dhe kompanitë kineze transferuan jashtë vendit më shumë se 800 miliardë dollarë gjatë vitit të kaluar, pavarësisht se Kina ka ligje të rrepta kundër arratisjes së kapitalit.
Megjithatë, këto kufizime duket se i shtyjnë qytetarët dhe kompanitë kineze të përdorin metoda gjithnjë e më të sofistikuara.
Një nga këto metoda është manipulimi i kontratave tregtare. Vlera e mallrave të importuara fryhet artificialisht dhe furnizuesit të huaj i kërkohet që diferencën midis pagesës së kryer dhe vlerës reale të mallrave ta transferojë në një llogari offshore.
Kur bëhet fjalë për sigurimin e së ardhmes për veten dhe pasardhësit e tyre, ka pak dallime mes familjeve të pasura nga Kina, Gjermania apo Britania e Madhe. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje