
Skandali "Energoatom", kriza më e rrezikshme për Ukrainën që nga fillimi i luftës...
A mund të jetë një hero i rezistencës kombëtare në të njëjtën kohë pjesë e një sistemi të kompromentuar?
Ukraina po e përjeton këtë dilemë në momentin më të vështirë të saj, teksa skandalet e korrupsionit rrezikojnë t’u japin argumente atyre që prej kohësh kanë vënë në dyshim stabilitetin institucional të Kievit, kryesisht krahu trumpist në SHBA dhe rrethet filo-ruse në Europë.
Pikërisht për këtë arsye, skandali i kompanisë shtetërore Energoatom ka shpërthyer si një krizë politike me efekte të brendshme dhe ndërkombëtare. Ai e detyron Ukrainën të pyesë veten: çfarë ka mbetur nga revolucioni i vitit 2014 dhe nga premtimi europian që justifikoi kaq shumë sakrifica?
Sepse s’ka fitore ushtarake që mund të zëvendësojë nevojën për një fitore morale. Ukraina lufton për territorin, por po aq për një model politik që duhet të jetë shembull për Perëndimin. Nëse lëkundet besueshmëria e brendshme, lëkundet edhe legjitimiteti i kauzës së saj në sytë e botës.
Problemi më i rëndë nuk është shuma e parave të vjedhura, por sektori i prekur: energjia.
Në një vend që prej tre vitesh i reziston strategjisë ruse të “dimrit të përhershëm”, fakti që fondet për mbrojtjen e centraleve dhe nënstacioneve janë devijuar për ndërtimin e vilave luksoze është një tronditje për opinionin publik dhe një rrezik për sigurinë kombëtare.
Tre analistët e German Marshall Fund: Josh Rudolph, Olena Prokopenko dhe Valeriia Ivanova, shpjegojnë se figura e Timur Mindich, mik i vjetër i Zelenskyt, është simboli i sistemit të vjetër post-sovjetik: ndërthurje biznesesh private, miqësish personale dhe funksionesh publike. Arratia e tij nga vendi, falë një “rrjedhjeje” të brendshme informacioni, tregon se institucionet ukrainase mbeten ende të depërtueshme nga rrjetet informale të pushtetit.
Problemi politik ka emër: Andrii Yermak
Në qendër të skandalit del Andrii Yermak, shefi i Zyrës së Presidentit, njeriu më i fuqishëm në Ukrainë pas Zelenskyt. Ai nuk është i zgjedhur, nuk i përgjigjet Parlamentit, por sipas dëshmive ka ndikim në diplomaci, emërime strategjike, politikë të jashtme dhe madje edhe te forcat e rendit.
Një figurë e tillë, në kohë lufte, është e rrezikshme. Nuk është rastësi që Kremlini e quajti situatën “toksike”. Problemi nuk është vetëm personal, por sistemik: Zyra e Presidentit është shndërruar në oborr, jo në strukturë administrative.
Zelensky në provën më të madhe që nga fillimi i agresionit rus
Zelensky ndodhet në një situatë të pamundur: Nuk mund të zëvendësohet, sepse ligji ushtarak ndalon zgjedhjet. Por nuk mund as të lejojë që skandalet të dëmtojnë imazhin e Ukrainës dhe të prishin besimin e Perëndimit.
Popullariteti i tij ka rënë, besimi perëndimor ka filluar të venitet dhe Ukraina rrezikon të humbasë kushtin kryesor për t’u konsideruar një demokraci e ardhshme europiane: transparencën.
Ndaj Brukseli kërkon garanci të reja për qeverisjen; Washingtoni kërkon përgjegjësi konkrete; G7 paralajmëron se opinioni publik perëndimor mund të lodhet nga mbështetja për Kievin nëse reformat nuk ecin përpara.
Ukraina nuk mund ta luftojë korrupsionin me mjetet e vjetra. As një riformatim kabineti, as dorëheqja e një ministri nuk mjaftojnë.
Zgjidhja, sipas shumë analistëve, është largimi i Yermakut, që do ishte më shumë se një lëvizje politike — do ishte një sinjal moral për kombin dhe aleatët se Ukraina ka ndërmend të jetë po aq e fortë në qeverisje sa në fushëbetejë.
Bota e zbuloi Zelenskyn si lider në momentin kur ai refuzoi ofertën e Joe Biden për t’u evakuuar në ditët e para të agresionit rus. Fjalia e tij “Nuk më duhet një makinë, më duhen municione”, mbeti në histori.
Ai ka pasur shumë momente të tjera të forta, përfshirë përballjen e drejtpërdrejtë me Donald Trump dhe JD Vance në Washington, që i riktheu mbështetje europiane dhe e ndihmoi të rindërtonte marrëdhëniet me administratën e re amerikane.
Por sot, skandalet e brendshme i vendosin përpara një prove të re, ndoshta më sfiduese se çdo ofensivë ushtarake. /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere Della Sera”
Lini një Përgjigje