Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nënshkroi të premten një ligj të ri që i jep kompetenca shtesë Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) për të kufizuar ose ndërprerë funksionimin e internetit brenda vendit.
Sipas tekstit të ligjit, FSB mund të çaktivizojë ose të kufizojë qasjen në rrjet në rastet e përcaktuara nga aktet rregullatore të presidentit të Federatës Ruse. Avokati rus Sarkis Darbinyan deklaroi se “vetëm presidenti mund të vendosë kufizime”, duke theksuar se zbatimi i masave do të bazohet në vendime të nivelit më të lartë ekzekutiv.
Mediat shtetërore ruse raportojnë se autoritetet e justifikojnë ligjin me nevojën për të garantuar sigurinë kombëtare dhe për të mbrojtur infrastrukturën kritike nga kërcënimet kibernetike. Sipas këtyre raportimeve, mekanizmat e rinj synojnë të forcojnë koordinimin mes institucioneve shtetërore në situata emergjente.
Nga ana tjetër, media ndërkombëtare si Reuters dhe BBC vlerësojnë se ky hap e zgjeron më tej kontrollin e Kremlinit mbi hapësirën digjitale dhe komunikimin online në Rusi. Ato e lidhin këtë zhvillim me politikat e mëparshme për krijimin e një “interneti sovran”, që u jep autoriteteve aftësi për të izoluar segmentin rus të rrjetit global nëse e konsiderojnë të nevojshme.
Ligji miratohet në një moment kur autoritetet ruse kanë shtuar masat ndaj disa aplikacioneve të komunikimit. Sipas raportimeve, WhatsApp dhe Telegram janë ngadalësuar ndjeshëm në territorin rus, ndërsa përdoruesit po orientohen drejt aplikacionit “Max”, i mbështetur nga shteti. Po ashtu, është njoftuar se Telegram do të bllokohet plotësisht duke filluar nga 1 prilli.
Deri tani, autoritetet ruse nuk kanë dhënë detaje shtesë mbi procedurat konkrete të zbatimit të ligjit, ndërsa vëzhguesit ndërkombëtarë po ndjekin nga afër ndikimin që këto masa mund të kenë mbi aksesin në informacion dhe komunikimin online në Rusi.
Lini një Përgjigje