
Një raport i ri i përbashkët i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të OKB-së (FAO), Programit Botëror të Ushqimit (WFP) dhe Ministrisë së Bujqësisë së Libanit paralajmëron se kriza ushqimore në Liban është përhapur në të gjitha grupet e popullsisë, duke mos kursyer as familjet libaneze të klasës së mesme.
Raporti zbulon se 725.000 libanezë, ose 19 për qind e familjeve libaneze, pritet të përballen me krizë ushqimore ose nivele edhe më të rënda të pasigurisë akute ushqimore. Situata është veçanërisht dramatike tek popullatat e zhvendosura.
362.000 refugjatë sirianë, ose 36 për qind ndodhen në fazën e krizës ushqimore ose më keq, ndërsa 104.000 refugjatë palestinezë, 45 për qind janë në të njëjtën gjendje alarmante. Më të prekurit janë rreth 50.000 persona të sapoardhur nga Siria që nga viti 2024, ku 52% për qind e tyre vuajnë nga pasiguria akute ushqimore.
Në këto nivele, shumë familje nuk janë më në gjendje të plotësojnë nevojat bazë për ushqim. Ato janë detyruar të zvogëlojnë sasinë dhe cilësinë e ushqimit, të anashkalojnë vakte të tëra ose të përdorin strategji të dëmshme mbijetese, si marrja e borxheve të reja dhe shitja e aseteve thelbësore të familjes.
Raporti thekson se kriza ushqimore në Liban nuk është më vetëm një problem i grupeve vulnerabël, por është kthyer në një krizë sistemike që prek të gjithë shoqërinë dhe rrezikon të thellojë paqëndrueshmërinë sociale të vendit.
Organizmat ndërkombëtarë paralajmërojnë se pa ndërhyrje urgjente humanitare dhe mbështetje ekonomike, gjendja mund të përkeqësohet ndjeshëm në muajt e ardhshëm.
Lini një Përgjigje