TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Maj 2025, 22:43

Sa funksionale është “diplomacia e dhuratave”?

Shkruar nga Paolo Valentino

Sa funksionale është “diplomacia e dhuratave”?

Dhuratat dhe diplomacia kanë ecur krah për krah njëra-tjetrës që nga kohërat  lashta. Shumë kohë para fotove dhe konferencave për shtyp, mbretërit, presidentët dhe kryeministrat kanë shkëmbyer gjithnjë bizhuteri dhe pëlhura të çmuara, madje i kanë ofruar vajzat e tyre për martesë si garanci për marrëdhënie të mira...

Sa herë që Silvio Berlusconi takohej me Angela Merkelin në Berlin ose diku tjetër në Gjermani, i çonte një dhuratë, natyrisht të blerë me paratë e tij. Njëherë ishte një porcelan i çmuar “Capodimonte”, një tjetër një kuti me 12 shishe vere të shkëlqyer Brunello di Montalcino ose Barolo.

Në një rast ia dhuroi një shall kashmiri Loro Piana ose një gotë Murano të personalizuar. Këto dhurata e vinin shumë në siklet kancelaren, një person që nuk ishte aspak e lidhur me gjërat materiale, por që mbi të gjitha ishte e detyruar nga ligji gjerman të mos pranonte asnjë dhuratë me vlerë mbi 300 euro.

Ajo ia përsëriste çdo herë: “Silvio, të falemindoj, por nuk mundem t’i pranoj. Prandaj të lutem, herën tjetër mos e bëj më këtë!”. Por Berlusconi bënte sikur nuk kuptonte, dhe herën tjetër e takonte sërish me dhurata në duar.

Secila prej tyre merrej menjëherë nga një zyrtar federal i cili pasi e katalogonte, e vendoste në Asservatenkammer, një dhomë pa dritare në katin e tretë të kancelarisë, ku siç munda ta shoh vetë, ka rafte të mbushura me gjithçka: bizhuteri dhe argjendari, piktura dhe qilima, libra me vlerë dhe koleksione CD, verëra dhe shampanjë, madje edhe rroba të modës së lartë dhe fanella futbolli me autografe.

Por dhuratat e Berlusconit të bëjnë të qeshësh kur krahasohen me bujarinë e Emirit të Katarit, Tamid bin Hamad Al Thani, i cili dy javë më parë tha se do t’i dhurojë Donald Trumpit një avion Boeing 747-8 Jumbo Jet luksoz me vlerë mbi 400 milionë dollarë.

“Do të isha budalla po ta refuzoja!”- deklaroi shefi i Shtëpisë së Bardhë. Trump planifikon ta përdorë atë për udhëtimet e tij në vend të avionit 40-vjeçar të amortizuar të Air Force One që është aktualisht në shërbim, përpara se t’ia kalojë Muzeut Presidencial që do të marrë emrin e tij kur të largohet nga Zyra Ovale.

Ky lajm shkaktoi zemërimin e opozitës demokrate, kritika midis republikanëve, teksa ka ngritur disa dyshime edhe midis analistëve të afërt me njerëzit e MAGA-s, si Ben Shapiro dhe Laura Loomer.

“Është një ryshfet i maskuar si dhuratë. Është njëlloj sikur mbreti britanik George III t’i kishte dhënë George Washingtonit një kopje të karrocës mbretërore për përdorim personal: A do ta kishin marrë në konsideratë Etërit Themelues këtë akt korruptiv?”- tha Richard Painter, ish-avokati i etikës në administratën e George W.Bush.

Kushtetuta e SHBA-së, ua ndalon presidentëve dhe zyrtarëve federalë të pranojnë dhurata ose “shpërblime” nga udhëheqës të huaj pa miratimin e Kongresit. Rregulli aktual thotë se asnjë zyrtar i zgjedhur federal, s’mund të marrë nga një qeveri e huaj dhurata me vlerë mbi 480 dollarë.

Megjithatë, Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi dhe shefi i ekipit ligjor të Shtëpisë së Bardhë, David Warrington, thanë se dhurata e emirit të Katarit është “ligjërisht e lejueshme”, me kushtin që transferimi i pronësisë në Muzeun Presidencial të ndodhë para përfundimit të mandatit të Trump.

Por ky shpjegim i skandalizon ekspertët. “Nëse SHBA-ja do ta mbajë avionin kur Trump të mbarojë mandatin e tij, kjo do të ishte një dhuratë për shtetin. Por nëse ai e merr me vete në muzeun e tij, është një dhuratë për të, pra jemi në shkelje të Kushtetutës”- thotë Richard Briffault, i cili jep mësim në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Columbia.

Në fakt, dhuratat dhe diplomacia kanë ecur krah për krah njëra-tjetrës që nga kohërat  lashta. Shumë kohë para fotove dhe konferencave për shtyp, mbretërit, presidentët dhe kryeministrat kanë shkëmbyer gjithnjë bizhuteri dhe pëlhura të çmuara, madje i kanë ofruar vajzat e tyre për martesë si garanci për marrëdhënie të mira.

Kjo ka ndodhur që nga koha e Kalit të Trojës, arketipi i diplomacisë së mashtrimit. Perandorët bizantinë i dhuruan fragmente të kryqit origjinal të Krishtit sundimtarëve të krishterë të Evropës, mbretërit e Francës dhuruan porcelanet e famshme Sévres, sundimtarët spanjollë pikturat me format të madh, ndërsa sulltanët e Portës së Lartë preferonin tunikat prej mëndafshi.

Sepse dhuratat diplomatike ëmbëlsojnë, përkëdhelin egon, joshin, argëtojnë, por mbi të gjitha i lidhin njerëzit me njëri-tjetrin. Ato janë shprehje vlerësimi, leva miqësie, gjeste pendimi, kërkesa për falje, dhe shumë shpesh instrumente miklimi për të fituar në këmbim favore të ndryshme.

Një karakteristikë, që e përshkon të gjithë historinë e dhuratave diplomatike është synimi për të qenë origjinalë Për shembull, kafshët ekzotike janë përdorur për këtë qëllim për shekuj me radhë. Gjirafat ishin shumë të njohura gjatë Rilindjes. Sulltani mamluk, Qaitbay, i ofroi një të tillë Lorenzo De Medicit në vitin 1487, për të përshpejtuar nënshkrimin e një traktati tregtar me aristokracinë fiorentine.

Më së afërmi në kohë, në vitin 1972, gjatë darkës shtetërore me rastin e vizitës historike të Nixonit në Kinë, Zonja e Parë e SHBA-së Patricia, i tha Zhou Enlai-t se i donte shumë pandat. Si një gjest vullneti të mirë, kryeministri kinez i dhuroi çiftit presidencial dy ekzemplarë gjigantë, Ling-Ling dhe Hsing-Hsing, që për 20 vitet e ardhshme jetuan në Kopshtin Zoologjik të Uashingtonit, duke tërhequr miliona vizitorë.

Dhe pjesa tjetër është histori, sepse që atëherë “diplomacia e panda” ka qenë një nga mjetet më të fuqishme të fuqisë së butë të Kinës. Ndërkohë udhëheqësi sovjetik Nikita Kruschev i dhuroi homologut amerikan John F.Kennedy-t një qen të vogël gjatë samitit të tyre në Vjenë në vitin 1961.

Por përtej botës shtazore, ka shumë shembuj të dhuratave diplomatike që nuk arritën të sjellin rezultate. Në vitin 1935, Adolf Hitleri vendosi të joshte maharaxhain Bhupinder Singh, një princ i plotfuqishëm i shtetit indian Patiala, në një përpjekje për të bindur Indinë të mbetej neutrale, pasi Evropa po shkonte drejt një lufte të re.

Diktatori nazist i dhuroi një makinë luksoze Maybach, kulmi i teknologjisë gjermane në atë kohë. Maharaxhai e pranoi makinën, por ajo mbeti mbyllur në garazh, ndërsa mbështetja e tij për kurorën britanike mbeti e paprekur.

Duke mbetur tek makinat, një makinë Cadillac Eldorado që Richard Nixon ia dhuroi në vitin 1972 sekretarit të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Leonid Brezhnev, një adhurues i madh i makinave amerikane, pati sigurisht një efekt pozitiv në uljen e tensioneve midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik.

Dy vjet më vonë, presidenti amerikan i dhuroi një Lincoln Continental gjatë takimit në Camp David, të cilin Brezhnev e tentoi menjëherë në kthesat e ngushta të rezidencës presidenciale në Maryland, duke ngarë me shpejtësi të plotë teksa Nixon e shihte i tmerruar në vendin e pasagjerit.

“Nëse hedhim një shikim pas në histori, dhuratat diplomatike ishin në zemër të shqetësimeve të mbretërve dhe sundimtarëve. Ata nuk kurseheshin aspak për to”- thotë ambasadori britanik Paul Brummell, që ka shkruar një libër të mrekullueshëm mbi këtë temë.

Në botën e ëndrrave të Trump, ku liderët autoritarë negociojnë marrëveshje delikate kombëtare dhe ndërkombëtare si të ishin marrëveshje pasurish të paluajtshme, është kthyer sërish në modë praktika e lashtë e dhuratave diplomatike të kushtueshme. Dhe pasojat e saj janë të dukshme./Përshtati Pamfleti nga  “Il Foglio”/

 

Lini një Përgjigje