Bota11 Prill 2023, 18:40

SHBA: Aleanca me Francën mbetet e fortë

Shkruar nga Pamfleti

SHBA: Aleanca me Francën mbetet e fortë

Presidenti francez Emmanuel Macron shkoi sot në Holandë, pas vizitës tre-ditore në Kinë javën e kaluar, gjatë së cilës foli për nevojën që Evropa të krijojë një pol të tretë, të pavarur nga Uashingtoni dhe Kina. Ndërsa deklarata e tij u prit me kritika nga të dyja anët e Atlantikut, zëdhënësi i Këshillit amerikan të Sigurisë Kombëtare theksoi të hënën bashkëpunimin e shkëlqyer mes Shteteve të Bashkuara dhe Francës për të garantuar sigurinë e të dy popujve.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij Brigitte u mirëpritën nga Mbreti Willem-Alexander dhe Mbretëresha Maxima në pallatin mbretëror në Amsterdam, ndërsa filluan të martën një vizitë dy ditore në Holandë.

Vizita e parë e këtillë në 23 vjet vjen pasi zoti Macron shkaktoi polemika kur deklaroi se nuk është në interes të Evropës përshpejtimi i konfliktit në Tajvan dhe se Evropa duhet të bëhet një “pol i tretë”, i pavarur si nga Uashingtoni, ashtu edhe nga Pekini.

Faktorët politikë në të dy anët e Atlantikut kritikuan pozicionin e presidentit francez se i bën lëshime Kinës pikërisht në momentin kur ajo po zhvillon manovra ushtarake përreth Tajvanit.

I pyetur të hënën gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, këmbënguli se Shtetet e Bashkuara dhe Franca kanë një bashkëpunim të shkëlqyer dypalësh.

“Sërish, do ja lë Presidentit Macron që të flasë për komentet e tij. Ne kemi besim tek aleanca e fortë dhe tek miqësia e fortë që ekziston mes dy vendeve tona dhe faktin se po bashkëpunojmë në mbarë botën me Francën, qoftë siç përmenda për rajonin Indo-Paqësor, patjetër për Ukrainën, në Afrikë, në Sahel, duke u marrë me kërcënimet terroriste atje. Pra ka shumë bashkëpunim të shkëlqyer mes Shteteve të Bashkuara dhe Francës. Jemi të përqëndruar tek kjo. Jemi të përqëndruar që së bashku të përmbushim detyrimet për sigurinë kombëtare të dy popujve tanë”, tha zoti Kirby.

Gjatë vizitës së tij tre ditore në Kinë, zoti Macron dha një intervistë për gazetën franceze Les Echos dhe për faqen Politico, gjatë së cilës tha për Tajvanin se “gjëja më e keqe do të ishte që ne evropianët të bëheshim ndjekës për këtë çështje dhe t’i përshtateshim ritmit amerikan apo reagimit të tepruar kinez”.

Manovrat ushtarake kineze përreth Tajvanit filluan të shtunën në përgjigje të takimit të Presidentes tajvaneze Tsai në Shtetet e Bashkuara me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësueve, Kevin McCarthy. Ushtria e Tajvanit tha se Kina dërgoi dhjetëra avionë luftarakë dhe 11 luftanije.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë shpesh se Shtetet e Bashkuara do ta mbronin Tajvanin ushtarakisht nëse Kina do ta sulmonte atë, megjithëse Uashingtoni ka konfirmuar se politika e tij e “Një Kine” të vetme nuk ka ndryshuar.

Politika e "Një Kine", pranon se Pekini e konsideron Tajvanin si pjesë të Kinës. Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë statusin e Tajvanit të pazgjidhur dhe dërgojnë ndihma ushtarake në ishullin e vetëqeverisur për ta ndihmuar atë të mbrohet./VOA

shba aleance france