
Dobësimi i Iranit, SHBA drejt përfshirjes në konflikt...
Presidenti amerikan Donald Trump po afrohet gjithnjë e më shumë me idenë e përdorimit të forcës ushtarake për të goditur objektet bërthamore të Iranit, ndërsa retorika e tij po bëhet gjithnjë e më luftënxitëse.
Sipas burimeve të afërta të “CNN” me Shtëpinë e Bardhë, Trump po largohet nga rruga e diplomacisë dhe po shikon seriozisht mundësinë e një ndërhyrjeje direkte ushtarake në rast se Teherani nuk pranon kushte të reja. Ai ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe pritet marrja e vendimit.
“Unë nuk jam më në humor për të negociuar me Iranin,” deklaroi Trump për gazetarët gjatë kthimit nga samiti i G7 në Kanada, duke shtuar se objektivi i tij nuk është një armëpushim, por një fund i plotë. Në postimet e tij në Truth Social, ai i kërkoi regjimit iranian “dorëzim pa kushte” dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara e dinë saktësisht vendndodhjen e udhëheqësit suprem, por nuk do ta eliminojnë, të paktën për tani.
Zhvillimet vijnë në një moment kur Izraeli ka intensifikuar kërkesat për përfshirje më të madhe amerikane në fushatën për shkatërrimin e programit bërthamor të Iranit. Deri tani, Trump ka qenë i kujdesshëm për të mos u tërhequr në një luftë të re në Lindjen e Mesme, por sinjalet e fundit tregojnë se ai po ndryshon drejtim.
Zëvendëspresidenti JD Vance deklaroi se presidenti mund të marrë masa të mëtejshme për të ndaluar pasurimin bërthamor të Iranit, një sinjal i qartë për përgatitje veprimi. Ndërkohë, përpjekjet diplomatike me ndërmjetësimin e Omanit, Katarit, Egjiptit, Arabisë Saudite dhe Turqisë kanë qenë intensive, por nuk kanë dhënë rezultat. Ministria e Jashtme iraniane ka deklaruar se nuk ka dijeni për ndonjë raund të ri bisedimesh.
Në një telefonatë private, senatori Lindsey Graham i kërkoi Trump-it që të veprojë me vendosmëri për ta përmbyllur çështjen e armës bërthamore iraniane, duke përmendur se katër presidentë më parë e kanë premtuar këtë, por asnjëri nuk e ka realizuar. Graham theksoi se nëse duhen përdorur bomba të rënda apo avionë amerikanë në bashkëpunim me Izraelin, atëherë kjo duhet bërë, pasi pasojat e mosveprimit do të ishin të jashtëzakonshme.
Trump, i kthyer në Shtëpinë e Bardhë, postoi gjithashtu një mesazh nga ambasadori i tij në Izrael, Mike Huckabee, i cili i kërkonte të dëgjonte zërin nga lart, duke e ftuar që të jetë i hapur ndaj ndërhyrjes hyjnore.
Në të njëjtën kohë, Trump po përpiqet të qetësojë edhe krahun izolacionist të mbështetësve të tij, që janë kundër përfshirjes në një tjetër luftë jashtë vendit, ndërsa vetë vijon të theksojë se Irani është shumë pranë prodhimit të një arme bërthamore, pavarësisht vlerësimeve më të kujdesshme të shërbimeve të inteligjencës amerikane.
Kur u pyet nëse SHBA-të janë të sigurta se mund të shkatërrojnë bunkerët nëntokësorë iranianë me bombat e tyre, Trump u përgjigj: “Nuk ka asgjë të garantuar,” por shtoi se në rast se do të goditen ushtarë amerikanë, përgjigjja do të jetë e pamëshirshme. /CNN
Lini një Përgjigje