
Komanda Supreme Ushtarake e NATO-s mbetet në duart e Shteteve të Bashkuara. Gjenerali amerikan Alexus Grynkewich vazhdon të drejtojë operacionet nga selia qendrore në Mons të Belgjikës. Megjithatë, Komiteti Ushtarak i Aleancës, i përbërë nga përfaqësues të 32 vendeve anëtare, vendosi më 6 shkurt të rishpërndajë përgjegjësitë mes tre Komandave të Forcave të Përbashkëta, të cilat i raportojnë drejtpërdrejt komandantit suprem.
Sipas vendimit, Shtetet e Bashkuara do t’ia kalojnë komandën e qendrës në Napoli Italisë dhe atë në Norfolk, Virxhinia, Mbretërisë së Bashkuar. Në Brunssum të Holandës, një gjeneral polak do të punojë në bashkëdrejtim me homologun gjerman, Ingo Gerhartz, për menaxhimin e kuadrantit të Evropës Lindore.
Ndryshimet do të zbatohen gradualisht gjatë viteve në vijim. NATO nuk ka rregulla të përcaktuara për kohëzgjatjen e mandatit në këto nivele, por zakonisht komandantët qëndrojnë në detyrë dy deri në tre vjet. Në Napoli, admirali amerikan George Wikoff mori detyrën në nëntor 2025, çka sugjeron se kalimi i komandës tek një oficer italian do të kërkojë kohë.
Ministria italiane e Mbrojtjes, e drejtuar nga Guido Crosetto, e konsideron këtë vendim si njohje për rolin strategjik të krahut jugor të NATO-s. Edhe në Mbretërinë e Bashkuar reagimet kanë qenë pozitive, pasi baza e Norfolkut ka përgjegjësi për sigurinë e rrugëve transatlantike dhe mbrojtjen e Groenlandës.
Në Brunssum, bashkëdrejtimi gjermano-polak nënvizon peshën në rritje të Polonisë në krahun lindor të Aleancës, në një kohë kur Varshava mbetet ndër mbështetëset më aktive të Ukrainës përballë agresionit rus.
Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Giuseppe Cavo Dragone, e cilësoi vendimin si “një arritje historike”, duke theksuar se aleatët evropianë do të marrin një rol më të fortë në udhëheqjen ushtarake të Aleancës. Ai shtoi se SHBA-ja konfirmon angazhimin e saj ndaj NATO-s.
Ndërkohë, Uashingtoni ruan kontrollin mbi tre komandat taktike: Komandën Detare Aleate (Marcom) në Northwood të Britanisë, të cilën e merr nga britanikët, Komandën Ajrore në Ramstein të Gjermanisë dhe Komandën Tokësore në Izmir të Turqisë. Këto struktura mbështesin selinë në Mons me analiza dhe kapacitete operacionale për menaxhimin e krizave.
Riorganizimi pasqyron kërkesat e vazhdueshme të SHBA-së për ndarje më të madhe të barrës brenda Aleancës. Që nga administrata e Barack Obamës, Uashingtoni ka kërkuar rritje të kontributeve financiare nga aleatët. Presidenti Donald Trump ka shtyrë më tej këtë qasje, duke kërkuar edhe shpërndarje më të gjerë të përgjegjësive komanduese në rajonet ku kjo është e mundur.
Sipas këtij orientimi, Atlantiku mund t’u besohet britanikëve, Mesdheu Italisë, ndërsa çështjet e krahut lindor dhe të Ukrainës kërkojnë angazhim më të madh evropian, ndërkohë që SHBA-ja mbetet në krye të strukturës ushtarake të NATO-s.
Lini një Përgjigje