Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një alarm sigurie për mundësinë e aktivizimit të qelizave të fjetura iraniane jashtë vendit. Sipas një njoftimi federal të shpërndarë tek forcat e rendit, janë interceptuar komunikime të koduara që dyshohet se kanë origjinë iraniane dhe që mund të shërbejnë si “sinjal operativ” për agjentë të fjetur jashtë territorit iranian.
Sipas një raportimi të ABC News, alarmi bazohet në një analizë paraprake të një transmetimi që konsiderohet “me gjasë me origjinë iraniane”, i cili është shpërndarë në disa vende menjëherë pas vdekjes së ajatollahut Ali Khamenei. Udhëheqësi suprem iranian u vra më 28 shkurt në një sulm izraelit.
Mesazhi i interceptuar ishte i koduar dhe i destinuar për “marrës të fshehtë” që zotërojnë çelësin për ta deshifruar atë. Ky sistem komunikimi përdoret zakonisht për të dhënë udhëzime për operatorë sekretë ose agjentë të fjetur, pa përdorur internetin apo rrjetet celulare.
Autoritetet amerikane theksojnë se, pavarësisht alarmit, nuk ka aktualisht kërcënime operative të lidhura me një vendndodhje të caktuar. Megjithatë, në njoftim u kërkohet agjencive të sigurisë që të rrisin monitorimin e frekuencave radio të dyshimta për të identifikuar çdo komunikim të mundshëm të ngjashëm.
Lini një Përgjigje