Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance ka deklaruar se Uashingtoni dhe Izraeli mund të kenë dallime në mënyrën se si synojnë të arrijnë objektivat e tyre ndaj Iranit. Ai i bëri këto deklarata në një intervistë për Fox News, në të njëjtën kohë kur Irani njoftoi se do të mbyllte sërish Ngushticën strategjike të Hormuzit.
“Nuk e di nëse ka ndonjë divergjencë qëllimesh. Ndonjëherë ka thjesht një divergjencë në mënyrën se si arrihen këto qëllime”, tha Vance.
Ai theksoi se presidenti Donald Trump ka zgjedhur t’i japë një mundësi diplomacisë dhe negociatave me Teheranin, pavarësisht se disa elementë brenda qeverisë izraelite mund të preferojnë një qasje tjetër.
“Nuk dua të flas në emër të qeverisë izraelite. Ata kanë qenë një partner i mirë në shumë mënyra, por presidenti i Shteteve të Bashkuara ka thënë se ne do t’i japim një shans negociatave”, shtoi ai.
Komentet e Vance vijnë disa ditë pasi ai kritikoi publikisht disa qëndrime të qeverisë izraelite gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.
“Donald J. Trump është i vetmi lider shtetëror në botë që është qartësisht në krah të Izraelit në këtë moment. Ai është gjithashtu udhëheqësi i superfuqisë botërore”, deklaroi Vance, duke sugjeruar se Izraeli duhet të tregojë kujdes në raport me aleatin e tij kryesor.
Ai vuri në dukje gjithashtu varësinë e Izraelit nga mbështetja ushtarake amerikane dhe tha se disa drejtues izraelitë duhet të marrin në konsideratë realitetin strategjik me të cilin përballet vendi.
Ndërkohë, në një intervistë të fundit për Financial Times, presidenti Trump deklaroi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të duhet të pranojë çdo marrëveshje që Shtetet e Bashkuara mund të arrijnë me Iranin përmes negociatave.
Lini një Përgjigje