Bota12 Shkurt 2024, 14:38

Shefi i NATO-s i përgjigjet Trump: Këto deklarata minojnë sigurinë e botës

Shkruar nga Pamfleti

Shefi i NATO-s i përgjigjet Trump: Këto deklarata minojnë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka reaguar pas deklaratave të Trump, ku tha se do të inkurajonte Rusinë të sulmonte vendet që do të paguanin më pak.

“Unë pres që pavarësisht se kush do të fitojë zgjedhjet presidenciale, SHBA-ja do të mbetet një aleat i fortë dhe i përkushtuar i NATO-s”, tha Stoltenberg.

Stoltenberg deklaroi se  NATO mbetet e gatshme dhe e aftë për të mbrojtur të gjithë aleatët. Çdo sulm ndaj NATO-s do të përballet me një përgjigje të bashkuar dhe të fuqishme. Çdo sugjerim se aleatët nuk do të mbrojnë njëri-tjetrin minon të gjithë sigurinë tonë, duke përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara, dhe i vë ushtarët amerikanë dhe evropianë në rrezik të shtuar.

Më herët, zyrtarët evropianë kritikuan Trump për komentet që ai bëri për aleatët e NATO-s që nuk paguanin mjaftueshëm.

Deklarata dhe reagimet

Ish-presidenti amerikan pretendoi se anëtarët e NATO-s që nuk paguajnë nuk duhet të mbrohen nga një pushtim i mundshëm rus.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Tregun e Brendshëm Thierry Breton është pyetur, gjatë një interviste që ka dhënë për rrjetin televiziv LCI, për deklaratat e Trump, i cili ka gjasa të marrë nominimin e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale në SHBA këtë vit.

"Ne nuk mund të vendosim sigurinë tonë në “linjë” çdo katër vjet në varësi të zgjedhjeve, veçanërisht zgjedhjeve presidenciale në SHBA", tha Breton, duke shtuar se udhëheqësit e BE-së ata e kuptojnë se Evropa duhet të rrisë shpenzimet dhe kapacitetet e veta ushtarake.

“Deklaratat e pamatura për sigurinë e NATO-s dhe solidaritetin e nenit 5 i shërbejnë vetëm interesit të Putinit”, u shpreh presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në një postim në Platformën X pas deklaratave të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

jens stoltenberg nato donald trump