TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Gusht 2024, 23:00

Shkëmbimi i të burgosurve sukses diplomatik, por jo fillimi i zbutjes së marrëdhënieve SHBA-Rusi

Shkruar nga Pamfleti

Shkëmbimi i të burgosurve sukses diplomatik, por jo fillimi i zbutjes

Që në fillim të negociatave, u bë e qartë se i burgosuri kryesor që duhej shkëmbyer për Moskën ishte Vadim Krasikov, një agjent rus i dënuar me burgim të përjetshëm në Gjermani për vrasjen e një disidenti politik çeçen në Berlin në vitin 2019, dhe të cilin Putin e ka lavdëruar publikisht.

I konsideruar nga vetë presidenti amerikan Joe Biden si një “vepër e diplomacisë dhe miqësisë”, shkëmbimi i 24 të burgosurve i negociuar nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara është historik në shumë aspekte.  

Ajo çoi në lirimin ditën e enjte të 16 pengjeve perëndimorë dhe të burgosurve politikë rusë, duke përfshirë gazetarin amerikan të së përditshmes së famshme Wll Street Journal, Evan Gershkovich dhe koleges së tij, Alsu Kurmasheva, korrespondente e Radios Evropa e Lirë.

Zhvillimi është historik, së pari sepse është shkëmbimi më i madh i të burgosurve që nga koha e Luftës së Ftohtë. Përveç ndryshimit të mjedisit - shkëmbimi nuk bëhet duke ecur në këmbë mbi urën Glienicker Brücke në Berlin, ose siç njihet që nga ajo kohë si “ura e spiunazhit - procesi ndodhi me ndihmën e një flote avionësh në një aeroport të Turqisë.

Operacioni të kujton përballjen e vjetër midis Lindjes dhe Perëndimit. I negociuar në fshehtësinë më të madhe prej më shumë se 1 viti në nivele të shumta, dhe nën sfondin e luftës së përgjakshme në Ukrainë, shkëmbimi përfshiu CIA-n, Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë, si dhe disa qeveri aleate.

Ai u ndihmua veçanërisht nga një kanal specifik komunikimi, i krijuar nga Joe Biden dhe presidenti rus Vladimir Putin që në samitin e tyre në Gjenevë në qershorin e vitit 2021. Pra mund të pohohet që kemi të bëjmë me një sukses të diplomacisë.

Por “miqësia”, të cilën e përshëndeti publikisht Biden në daljen e tij publike në lidhje me këtë çështje nuk i drejtohet Rusisë, por vendeve evropiane, dhe në radhë të parë Gjermanisë. Por edhe Norvegjisë, Polonisë dhe Sllovenisë, të cilat bashkëpunuan në këtë përpjekje të vështirë.

Që në fillim të negociatave, u bë e qartë se i burgosuri kryesor që duhej shkëmbyer për Moskën ishte Vadim Krasikov, një agjent rus i dënuar me burgim të përjetshëm në Gjermani për vrasjen e një disidenti politik çeçen në Berlin në vitin 2019, dhe të cilin Putin e ka lavdëruar publikisht.

Megjithatë për Berlinin, dhe sidomos për Ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, lirimi i tij ishte i barabartë me garantimin e pandëshkueshmërisë për këto lloj vrasjesh politike të sponsorizuara nga Moska jashtë vendit.

Presidentit amerikan Biden iu desh jo pak mund që ta bindte kancelarin Olaf Scholz të tërhiqej në lidhje me këtë çështje. Në këmbim të lëshimit, Berlini kërkoi që të përfshinte në këtë shkëmbim disa gjermanë dhe aktivistë kryesorë pro-demokracisë ruse të burgosur në Rusi, përfshirë një nga liderët më të njohur të opozitës ruse Vladimir Kara-Murza.

Një praktikë e neveritshme

Po me këtë praktikë duhet të ishte liruar edhe Alexei Navalny, kundërshtari kryesor politik i Vladimir Putinit. Ai ishte pjesë e negociatave sekrete SHBA-Rusi, me këmbënguljen e  veçantë të Gjermanisë. Vdekja e tij në rrethanat ende të pasqaruara në burgun ku ishte mbyllur, e shpallur më 16 shkurt të këtij viti nga Moska, teksa bisedimet po përparonin në fshehtësinë më të madhe, tregon më së miri shkallën e lartë në të cilën Kremlini mbetet i fiksuar pas modeleve të vjetra e brutale të KGB-së së epokës sovjetike.

Po aq zbulues i natyrës së regjimit aktual të Moskës, është fakti se qytetarët rusë, lirimin e të cilëve siguroi Kremlini nga ky shkëmbim, dhe që u mirëpritën me madhështi nga Putini në Kremlin, nuk janë as aktivistë politikë dhe as gazetarë.

Përkundrazi ata janë kriminelë, si për shembull Krasikov, ose spiunë, siç është rasti i çifti i agjentëve rusë që jetonin në Slloveni me identitete të rreme argjentinase, deri në momentin që u zbuluan. Dallimi i vetëm me Luftën e Ftohtë, ka të bëjë me atë që është shndërruar në një praktikë të neveritshme, shumë të preferuar favorizuar nga regjime si Rusia dhe Irani: diplomacia e pengjeve.

Sot, çdo i huaj që jeton në këto vende, rrezikon që të arrestohet dhe të përdoret si mjet për pazare gjatë negociatave të tilla. Shtetasi francez Laurent Vinatier, i burgosur në Moskë që nga qershori i këtij viti, është një nga këta pengje.

Në fund e ritheksojmë:është për t’u lavdëruar që 16 persona të burgosur padrejtësisht, e kanë rifituar tashmë lirinë e tyre. Por le të mos gabojmë mbi motivet e Moskës:ky nuk është aspak fillimi i një detante (zbutjes së raporteve) të re midis Rusisë dhe SHBA-së apo Perëndimit në tërësi./Përshtati "Pamfleti" nga “Le Monde”

Lini një Përgjigje