Autoritetet rumune evakuuan një zonë të portit të Konstancës në bregdetin e Detit të Zi, pasi mëngjesin e së premtes u identifikua një dron i paautorizuar. Pak minuta pas zbulimit të tij, në zonë u dëgjua një shpërthim i fuqishëm.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rumanisë, incidenti nuk shkaktoi viktima apo të lënduar. Autoritetet sqaruan se droni nuk i përkiste ushtrisë rumune dhe se bëhej fjalë për një model të përdorur në konfliktin në Ukrainë. Gjithashtu, ai nuk kishte lidhje me stërvitjet ushtarake të zhvilluara së fundmi në Detin e Zi.
Mjeti ajror pa pilot u konstatua pranë një doku që përdoret nga Agjencia Rumune për Shpëtimin e Jetës Njerëzore në Det (ARSVOM).
Sipas informacioneve paraprake të transmetuara nga televizioni shtetëror rumun, droni është vetëshkatërruar. Menjëherë pas shpërthimit, autoritetet në Bukuresht aktivizuan “Planin e Kuq të Ndërhyrjes”, protokollin për situata emergjente.
Ngjarja ndodh vetëm pak ditë pas një incidenti tjetër në lindje të Rumanisë, ku një dron rus i tipit Geran-2 u përplas me një ndërtesë banimi në qytetin Galaçi. Përplasja shkaktoi shpërthim dhe zjarr, ndërsa dy persona pësuan lëndime të lehta.
Pas atij episodi, qeveria rumune vendosi mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme të Rusisë në Konstancë dhe dëbimin e konsullit të përgjithshëm, duke e konsideruar Moskën përgjegjëse për incidentin.
Lini një Përgjigje