TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Qershor 2026, 10:55

Macron e konfirmon: Mali i Zi, vendi i Ballkanit Perëndimor më pranë anëtarësimit në BE

Shkruar nga Pamfleti
Macron e konfirmon: Mali i Zi, vendi i Ballkanit Perëndimor më
Macron dhe Milatovic në Cetinje dje, Foto: Boris Pejović

Franca do të vazhdojë të mbështesë Malin e Zi në fazën përfundimtare të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kështu deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij zyrtare në Cetinje, vizita e parë e një presidenti francez në historinë e shtetit malazez.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović, e cilësoi vizitën si një moment historik në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Kjo është një ditë e madhe për Malin e Zi dhe miqësinë franko-malazeze”, deklaroi Milatović në konferencën e përbashkët për shtyp me Macron.

Ai kujtoi se Franca ishte ndër vendet e para që njohën pavarësinë e Malit të Zi pas Kongresit të Berlinit në vitin 1878 dhe tha se mbështetja franceze ka një rëndësi të veçantë në momentin kur vendi është më afër se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Milatović përsëriti objektivin e Podgoricës për t’u bërë anëtarja e 28-të e BE-së deri në vitin 2028.

“Besoj në Malin e Zi si anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian në vitin 2028. Kemi bërë shumë progres”, tha ai.

Nga ana e tij, Macron vlerësoi përparimin e Malit të Zi në negociatat me Bashkimin Evropian dhe theksoi se vendi ka realizuar reforma të rëndësishme.

“Dua të përshëndes punën e madhe që keni bërë së bashku me kryeministrin dhe qeverinë. Keni realizuar reforma dhe keni mbyllur kapituj të rëndësishëm negociues. Franca mbetet në krahun tuaj për t’ju mbështetur deri në përfundimin e këtij procesi”, deklaroi presidenti francez.

Macron shtoi se beson në një Evropë të bashkuar dhe se zgjerimi i Bashkimit Evropian paraqet një mundësi të rëndësishme si për Ballkanin Perëndimor ashtu edhe për vetë Evropën.

I pyetur nëse zgjedhjet e ardhshme në Francë dhe vende të tjera anëtare mund të ndikojnë në procesin e zgjerimit, Macron tha se nuk mund të parashikojë rezultatet elektorale, por theksoi se më e rëndësishmja është që Mali i Zi të vazhdojë reformat dhe të ruajë mbështetjen politike për procesin integrues.

“Është e rëndësishme që të besoni në veten tuaj”, u shpreh ai.

Samiti BE–Ballkani Perëndimor, sinjal besimi për Podgoricën

Milatović tha se samiti BE–Ballkani Perëndimor që po zhvillohet në Tivat përfaqëson një dëshmi të besimit që Bashkimi Evropian ka ndaj Malit të Zi.

“Jam i bindur se ky samit është një pikë kthese politike dhe një vulë mbështetjeje nga partnerët tanë më të rëndësishëm evropianë, të cilët besojnë në suksesin tonë”, deklaroi ai.

Gjatë vizitës së Macron u nënshkruan disa marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi mes Malit të Zi dhe Francës.

Një nga dokumentet më të rëndësishme ishte Memorandumi i Mirëkuptimit për promovimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, i nënshkruar nga ministrja malazeze për Çështjet Evropiane, Maida Gorçeviç, dhe ministri francez për Evropën dhe Punët e Jashtme, Benjamin Haddad.

Qeveria malazeze deklaroi se dokumenti konfirmon angazhimin e përbashkët për të forcuar perspektivën evropiane të Malit të Zi dhe për të promovuar zgjerimin e BE-së.

Po ashtu u nënshkrua kontrata për projektimin dhe ndërtimin e Qendrës së re Klinike Universitare në Podgoricë. Projekti, me vlerë të paktën 313 milionë euro, konsiderohet një nga investimet më të mëdha në infrastrukturën shëndetësore të vendit dhe pritet të përfundojë në vitin 2031.

Një tjetër marrëveshje lidhet me zhvillimin e segmentit A2-2 të Autostradës Adriatiko-Joniane, një projekt strategjik për rrjetin rrugor të Malit të Zi. Palët ranë dakord të bashkëpunojnë në përgatitjen e studimit të fizibilitetit dhe fazat e mëtejshme të projektit.

Në fushën financiare, Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD) miratoi këstin e dytë të një kredie prej 100 milionë eurosh për Malin e Zi. Fondet do të përdoren për reforma në mbrojtjen e mjedisit, energjinë e rinovueshme, menaxhimin e mbetjeve, pylltarinë e qëndrueshme dhe forcimin e rezistencës ndaj ndryshimeve klimatike.

Gjithashtu u nënshkrua një marrëveshje trepalëshe mes operatorit malazez të shpërndarjes së energjisë CEDIS, Agjencisë Franceze për Zhvillim dhe kompanisë EDF për modernizimin e rrjetit elektrik dhe mbështetjen e tranzicionit energjetik në vend.

Sipas qeverisë malazeze, projekti do të përmirësojë besueshmërinë dhe efikasitetin e sistemit energjetik dhe do të ndihmojë integrimin e standardeve evropiane në sektor.

Macron: Vendi i Ballkanit Perëndimor është në BE

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, Macron deklaroi se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një vend natyror në Bashkimin Evropian.

“Mali i Zi ka ndjekur me përgjegjësi dhe vendosmëri rrugën evropiane në vitet e fundit. E di që do të vazhdoni të punoni fort dhe ne do të jemi pranë jush për ta përmbyllur këtë proces”, tha presidenti francez.

Kryeministri Milojko Spajić vlerësoi se marrëdhëniet mes Podgoricës dhe Parisit po hyjnë në një fazë të re strategjike.

“Po forcojmë partneritetin strategjik dhe po ndërtojmë së bashku të ardhmen evropiane. Kemi hapur forma bashkëpunimi që deri para dy vitesh dukeshin të paimagjinueshme”, deklaroi Spajić.

 

mali i zi fazat finale e anëtarsimit në be

Lini një Përgjigje