
Një shpërthim i fuqishëm në një qendër trajnimi të Departamentit të Sheriff-it të Qarkut Los Angeles ka lënë të paktën tre të vdekur dhe disa të plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes në Biscailuz Center Academy, në lindje të qytetit, një kompleks i njohur për trajnimin e njësive të specializuara, përfshi skuadrën e bombave dhe oficerët teknikë të zjarrfikësve.
Sipas burimeve nga FBI dhe mediat amerikane, shpërthimi ndodhi gjatë një trajtimi praktik me eksplozivë. Një hetim i përbashkët mes Byrosë Federale të Hetimit (FBI) dhe Bureau of Alcohol, Tobacco, Firearms and Explosives (ATF) është në zhvillim.

Pamjet ajrore të publikuara nga KABC-TV tregojnë një skenë kaotike: makina patrullimi të dëmtuara, furgonë të djegur dhe materiale shpërthyese të transportuara në distancë të sigurt. Zona është rrethuar nga forcat e emergjencës dhe është shpallur e ndaluar për publikun.
Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-ve, Pam Bondi, konfirmoi vdekjen e të paktën tre efektivëve dhe e quajti ngjarjen “një incident të tmerrshëm”.
“Agjentët federalë ndodhen në terren. Po punojmë për të mësuar më shumë,” – tha ajo në një postim në X.
Kongresmeni i Kalifornisë, Jimmy Sanchez, deklaroi se shpërthimi “i mori jetën të paktën tre zëvendës-sherifëve”. Ndërkohë, kryetarja e Bashkisë së LA-së, Karen Bass, konfirmoi praninë e skuadrës së bombave të LAPD-së dhe shprehu solidaritetin me familjet e viktimave.
Lini një Përgjigje