Presidenti amerikan Donald Trump kritikoi publikisht korrespondenten e CNN-it në Shtëpinë e Bardhë gjatë një konference për shtyp, duke nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale...
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, sulmoi publikisht gazetaren e CNN-it, Kaitlan Collins, gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, në një përballje që tërhoqi vëmendje të gjerë ndërkombëtare.
Përplasja nisi pasi Collins e pyeti Trumpin për një fond prej 1,8 miliardë dollarësh, i krijuar gjatë mandatit të tij për kompensimin financiar të aleatëve politikë që, sipas tij, ishin ndjekur penalisht gjatë administratës së ish-presidentit Joe Biden. Trump deklaroi se vazhdon ta mbështesë këtë fond.
Gjatë përgjigjes së tij, presidenti amerikan kritikoi mediat që, sipas tij, përhapin “lajme të rreme”, duke veçuar CNN-in. Më pas ai iu drejtua personalisht Collins.
“CNN është një organizatë shumë e korruptuar, me një gazetare të korruptuar që qëndron aty dhe nuk buzëqesh kurrë”, tha Trump, duke treguar drejt korrespondentes së CNN-it në Shtëpinë e Bardhë.
Ai vijoi me komente personale ndaj saj, duke thënë: “Është një grua e re dhe e bukur, por nuk e shoh kurrë të buzëqeshë. E shoh të qëndrojë aty me urrejtje në sy”.
Trump shtoi gjithashtu: “Duhet të turpërohesh për veten. Dikur ishe konservatore nga Alabama”.
Collins iu përgjigj shkurt: “Jam ende nga Alabama”.
Komentet e presidentit shkaktuan reagime të shumta në rrjetet sociale. Disa përdorues e cilësuan sjelljen e tij të papërshtatshme dhe kritikuan tonin e përdorur ndaj gazetares.
Ndërkohë, Collins ka folur edhe më herët për vështirësitë e intervistimit të Trumpit. Në një paraqitje në emisionin “Watch What Happens Live” me Andy Cohen, ajo tha se shpesh i është dashur të ruajë qetësinë profesionale gjatë bashkëbisedimeve me presidentin.
“Përpiqem të jem vetvetja, por dua që intervistat të përqendrohen te personi që po intervistoj dhe te përgjigjet e tij, sepse zakonisht bëhet fjalë për politikanë dhe persona që paguhen nga taksapaguesit”, tha Collins.
Ajo shtoi se, në disa raste, i është dashur “të kafshojë gjuhën” ose të shtrëngojë fort stilolapsin për të mos reaguar gjatë intervistave me Trumpin.
Lini një Përgjigje