TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Nëntor 2025, 17:33

Shumë përtej Trump: Nga “miku” i Ramës te ish-shefi i CIA, të gjithë emrat që dalin te skandali Epstein

Shkruar nga Pamfleti

Shumë përtej Trump: Nga “miku” i Ramës te ish-shefi i

Ndërsa vëmendja e medias mbetet e përqendruar në marrëdhënien midis Donald Trump dhe Jeffrey Epstein, financierit të akuzuar për krime seksuale i cili vdiq në burg nga një vetëvrasje e dukshme në Qendrën Korrektuese Metropolitan në New York më 10 gusht 2019, qindra email-e të bëra publike në orët e fundit nga komisionet mbikëqyrëse të Dhomës së Përfaqësuesve po zbulojnë një rrjet lidhjesh ndërkombëtare që përfshijnë CEO-n e DP World, Sultan Ahmed bin Sulayem, ish-zëvendëskëshilltaren e Obamës, Kathy Ruemmler, gazetarin e New York Times, Landon Thomas Jr., ish-drejtorin e CIA-s, William Burns, Peter Thiel, Bill Gates dhe madje edhe Mohammed bin Salman, princi i kurorës i Arabisë Saudite. (Me kët të fundit ka miqësi edhe kryeministri shqiptar).

Në shkurt të vitit 2016, gazetari veterani i “New York Times”, Landon Thomas Jr., kishte hyrë në një komunikim të vazhdueshëm me Jeffrey Epstein, duke shkëmbyer analiza politike gjatë primareve republikane në SHBA. Në një nga mesazhet, Thomas shkruante: “Të jesh pa turp, pa ndjenjë faji – është një armë e fuqishme për një kandidat presidencial”, duke iu referuar Donald Trump-it, atëherë kandidat për president. Epstein iu përgjigj shkurt: “Wow.”

Vetëm pak muaj më vonë, në nëntor 2016, gazetari i dërgon një tjetër mesazh financierit të dënuar: “Tani të gjithë fondet e mëdha të investimeve janë të dashuruara me Trump-in.” Epstein përgjigjet: “Trump nuk është besnik. ZERO. E ka hedhur Christie-n tutje në katër sekonda.” Deri më sot, “New York Times” nuk ka komentuar nëse ishte në dijeni të kësaj korrespondence të reporterit të tij me një pedofil të dënuar.

Në një tjetër episod, Sultan Ahmed bin Sulayem, drejtuesi i kompanisë gjigante portuale të Dubait DP World – e cila ka kontrata miliardëshe me Marinën Amerikane – i dërgon Epstein-it materiale promovuese për këpucë me GPS të integruar. Në mesazh, ai shkruan: “Të përshtatshme për të ndjekur fëmijë, të moshuar apo pacientë.” Epstein i kthen përgjigje: “Faleminderit, ide gjeniale. Më pëlqen shumë miku yt.” DP World është një nga kontraktorët kryesorë të logjistikës ushtarake të Emirateve të Bashkuara dhe ka lidhje të afërta me shërbimet e inteligjencës së Abu Dhabit.

Në dhjetor 2016, Epstein i shkruan miliarderit Tom Pritzker, pronar i zinxhirit “Hyatt Hotels”: “A mund ta besosh? Mohammed bin Salman më dërgoi një tendë – me qilima përfshirë.” Pritzker i përgjigjet me shaka: “Një tendë? Kjo duhet të jetë kod për ‘të dua’. Ose ndoshta për ‘shko në djall’. Duhet ta kontrolloj në fjalorin urban saudit.” Ky episod ndodh në të njëjtën periudhë kur Mohammed bin Salman konsolidonte pushtetin në Riad dhe Jared Kushner, dhëndri i Trump-it, zhvillonte vizitat e para në Arabinë Saudite.

Në shkurt 2017, një tjetër figurë e njohur në rrethin e Epstein-it, Kathy Ruemmler, ish-zëvendëskëshilltare ligjore e Shtëpisë së Bardhë gjatë presidencës Obama dhe më pas drejtore ligjore në “Goldman Sachs”, i shkruan Epstein-it: “Trump është kaq i neveritshëm.” Epstein ia kthen: “Edhe më keq nga afër.” Sipas dokumenteve, Ruemmler kishte vizituar banesën luksoze të Epstein-it në Manhattan disa dhjetëra herë pasi kishte lënë Shtëpinë e Bardhë.

Në një e-mail të datës korrik 2011, Epstein i kërkon publicistes së njohur Peggy Siegal të përdorë kontaktet e saj në botën e mediave, përfshirë Arianna Huffington, për të shtrembëruar imazhin e Virginia Giuffre, gruas që e akuzonte atë dhe princin Andrew për abuzim seksual. “Ajo ka një të kaluar kriminale dhe është një gënjeshtare e plotë”, shkruan Epstein, duke shtuar në mënyrë të rreme se Giuffre kishte punuar për Trump-in në “Mar-a-Lago” kur ishte vetëm 15 vjeçe.

Korrespondencat dhe dokumentet e reja që po dalin në dritë tregojnë se rrethi i Epstein-it nuk ishte thjesht një klub miliarderësh amerikanë, por një rrjet global influence, që përfshinte financën e Wall Street-it, inteligjencën e Lindjes së Mesme, median e Nju Jorkut dhe politikën e Uashingtonit e Londrës. Ndërsa opinioni publik vazhdon të përqendrohet te lidhjet mes Trump-it dhe Epstein-it, provat e fundit sugjerojnë se historia është shumë më e gjerë dhe se përfshin figura që deri dje konsideroheshin të paprekshme.

Ndërkohë, kongresmeni republikan Thomas Massie ka njoftuar se peticioni i tij për publikimin e plotë të dosjeve të Epstein-it ka arritur 218 nënshkrimet e nevojshme, duke detyruar Dhomën e Përfaqësuesve të votojë në dhjetor për deklasifikimin e dokumenteve. Pavarësisht rezistencës së drejtuesve të Kongresit, mocioni ka kaluar. Por sipas burimeve në Uashington, materialet më shpërthyese ende nuk janë bërë publike – ajo që është publikuar deri tani mund të jetë vetëm maja e ajsbergut, ndërsa dosjet e plota që pritet të deklasifikohen mund të përmbajnë emra të rëndësishëm të botës politike dhe financiare që deri më tani kanë mbetur në hije.

Lini një Përgjigje