Më shumë se një duzinë shtetesh janë të përfshira drejtpërdrejt në konflikt, ndërsa rreziku i përdorimit të armëve bërthamore ose i një aksidenti në centralet atomike po shton shqetësimin ndërkombëtar…
Lufta mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit po zgjerohet dhe po përshkallëzohet pas 3 javësh luftime, duke rritur frikën se konflikti mund të kalojë në pragun bërthamor, qoftë përmes përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë, qoftë për shkak të një katastrofe në një central bërthamor.
Sipas raportimit të The i Paper, më shumë se një duzinë vendesh janë të përfshira drejtpërdrejt në konflikt, ndërsa pasojat ekonomike po ndihen në shkallë globale.
Deri tani nuk ka shenja tërheqjeje nga asnjëra palë. Donald Trump ka kërcënuar se do ta “shkatërrojë përfundimisht” Iranin, Izraeli mbetet i vendosur të godasë regjimin dhe infrastrukturën e tij qeverisëse, ndërsa Irani synon të rikthejë efektin frikësues dhe ta mbyllë luftën sipas kushteve të veta.
Ndërmjetësit thonë se aktualisht nuk ka diplomaci kuptimplotë për t’i dhënë fund konfliktit.
Sinjalet paralajmëruese janë shtuar. Këtë javë, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike paralajmëroi se një predhë kishte goditur ambientet e reaktorit bërthamor të Bushehrit në Iran, duke ngritur rrezikun e një katastrofe të përmasave të Fukushimës.
Zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë, përfshirë këshilltarin e Trumpit, David Sacks, kanë paralajmëruar se Izraeli mund të jetë duke u përgatitur të përdorë arsenalin e tij bërthamor të padeklaruar. Në të njëjtën kohë, pjesa më e madhe e stokut iranian të uraniumit të pasuruar në nivel të lartë mbetet e paidentifikuar me saktësi.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se stafi i saj po zhvillon ushtrime për skenarët më të këqij.
Arabia Saudite përmend ombrellën bërthamore të Pakistanit
Rijadi kërcënoi me përgjigje ushtarake pasi Irani përdori, sipas raportimit, për herë të parë raketa balistike për të goditur fushat saudite të naftës, në vijim të sulmit izraelit ndaj objektit më të madh iranian të gazit.
Shtetet e Gjirit kanë shmangur deri tani kundërpërgjigjen e drejtpërdrejtë ndaj Iranit, edhe pse janë përballur me sulme të përsëritura gjatë luftës. Megjithatë, Arabia Saudite ka sinjalizuar se durimi i saj po shkon drejt fundit, teksa ministria e saj e Mbrojtjes publikoi një video me përgatitje ushtarake.
Andreas Krieg, specialist i sigurisë së Gjirit në Departamentin e Studimeve të Luftës në King’s College London, tha se “në kryeqytetet e Gjirit po zhvillohen diskutime për qasje më ofensive, me qëllim rivendosjen e ekuilibrit të frikësimit”.
Nëse Arabia Saudite vendos të reagojë, ajo mund ta bëjë këtë edhe nën një lloj garancie bërthamore përmes paktit të mbrojtjes të arritur së fundmi me Pakistanin. Komentatori saudit Salman al-Ansari deklaroi se, nëse Riadi hyn plotësisht në luftë, Irani do të jetë humbësi më i madh, sepse Arabia Saudite do të aktivizojë marrëveshjen dypalëshe të mbrojtjes me Pakistanin.
“Ka fjalë për fjalë një ombrellë bërthamore mbi Arabinë Saudite”, tha ai për CBS.
Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, deklaroi këtë muaj se e kishte paralajmëruar Iranin. “Ua bëra të qartë se kemi një marrëveshje mbrojtjeje”, tha ai.
Megjithatë, sipas Amina Khan nga Instituti i Studimeve Strategjike në Islamabad, marrëveshja mbetet “qëllimisht e paqartë si në shtrirje, ashtu edhe në zbatim”, përfshirë komponentin e saj bërthamor.
Khan shtoi se prioriteti i shpallur i Pakistanit mbetet “stabiliteti rajonal” dhe se Islamabadi e sheh veten edhe si ndërmjetës të mundshëm mes palëve ndërluftuese. Marrëdhëniet mes Pakistanit dhe Iranit kanë kaluar periudha tensioni vitet e fundit, përfshirë sulme ajrore të ndërsjella, por të dy vendet bashkëpunojnë edhe për çështje sigurie dhe ekonomie.
Një katastrofë bërthamore mund të ndotë gjithë rajonin
Irani konsiderohet një shtet në prag bërthamor, pasi zotëron njohuritë dhe materialet për të prodhuar armë bërthamore, nëse merr vendim politik për ta bërë këtë. Ai ka edhe një rezervë uraniumi shumë të pasuruar, afër nivelit të nevojshëm për armë.
Vlerësimet më të fundit të inteligjencës amerikane thonë se nuk ka prova që Teherani po ndiqte aktivisht ndërtimin e një bombe.
Megjithatë, infrastruktura bërthamore e vendit mund të shkaktojë sërish pasoja shkatërruese. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike njoftoi këtë javë se një municion goditi centralin bërthamor të Bushehrit në jug të Iranit, i operuar nga Rusia dhe që përmban reaktorin e vetëm aktiv bërthamor të vendit.
Ambasadori rus në IAEA, Mikhail Ulyanov, paralajmëroi se incidenti “paraqet rrezik real për një katastrofë të madhe bërthamore, e cila mund të prekë në mënyrë dramatike të gjithë rajonin”.
Pavel Podvig, studiues i lartë dhe specialist bërthamor në Institutin e OKB-së për kërkime mbi çarmatimin, u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë kujdes maksimal ndaj këtij objekti.
“Nëse në këtë luftë ekzistojnë ende disa kufij, atëherë mosshënjestrimi i reaktorëve bërthamorë duhet të jetë një prej tyre”, tha ai. Sipas Podvig, ekziston rrezik real për ndotje radioaktive, e cila mund të përhapet në të gjithë Gjirin.
Ai shtoi se një shkrirje e bërthamës në Bushehr mund të ketë ndikim të ngjashëm me katastrofën e Fukushimës në Japoni më 2011, e cila detyroi qindra mijëra njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre.
Eksperti i armëve bërthamore David Albright, themelues i Institutit për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare në SHBA, i tha The i Paper se një aksident i tillë mund të krijojë një “zonë të vdekur” në përmasat e Fukushimës. Ai sugjeroi krijimin e një task-force amerikano-ruse për garantimin e sigurisë në central.
Sipas tij, SHBA-ja duhet të marrë drejtimin e kësaj nisme me Rusinë, pavarësisht luftës në Ukrainë, sepse rreziku është tepër i madh.
A mund të përdorin Trump ose Izraeli armë bërthamore?
Administrata Trump u tha gazetarëve qershorin e kaluar se të gjitha opsionet ishin në tryezë, përfshirë armët bërthamore taktike, për sulme ndaj objekteve bërthamore iraniane. Më pas, ushtria amerikane hodhi bomba depërtuese GBU-57 mbi disa objektiva dhe Trump deklaroi se programi bërthamor iranian ishte “shkatërruar plotësisht”.
Që atëherë, Trump ka pretenduar se Irani ishte vetëm disa javë larg armës bërthamore dhe ka kërcënuar me shkatërrim në shkallë të gjerë. Në një postim të fundit në rrjetet sociale, ai paralajmëroi për “pasoja ushtarake” të padëgjuara më parë, të cilat, sipas tij, do ta bënin “praktikisht të pamundur që Irani të rindërtohej më si shtet”.
Një ish-zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit, që ka shërbyer gjatë presidencës Trump, i tha The i Paper se mund ta imagjinonte presidentin amerikan të tunduar për të përdorur armë bërthamore taktike kundër objektivave të varrosur thellë nën tokë.
Demokratët në Kongres kanë paraqitur një projektligj për të vendosur kufizime shtesë, me synim dobësimin e pushtetit të presidentit amerikan si autoriteti i vetëm që vendos për përdorimin e armëve bërthamore.
Zyrtarë amerikanë kanë ngritur edhe mundësinë që Izraeli të përdorë armë bërthamore. Këshilltari i Trumpit, David Sacks, paralajmëroi se qeveria e Benjamin Netanyahut mund të shkojë drejt një mase të tillë ekstreme, nëse vendi përballet me shkatërrim të gjerë nga sulmet me raketa, sidomos nëse rezervat e interceptorëve raketorë pakësohen. Trump e minimizoi këtë pretendim.
Megjithatë, ish-zyrtarë ushtarakë amerikanë, si koloneli Lawrence Wilkerson, ish-shef kabineti i ish-sekretarit amerikan të Shtetit Colin Powell, kanë shprehur të njëjtat shqetësime. Sipas tij, Netanyahu mund të jetë i gatshëm të përdorë armë bërthamore nëse situata përkeqësohet ndjeshëm.
Nga ana tjetër, Avner Cohen, një prej ekspertëve më të njohur për programin bërthamor izraelit në Middlebury Institute, tha se nuk sheh asnjë mundësi reale që Izraeli të përdorë arsenalin e tij të padeklaruar. Sipas tij, pragu për një vendim të tillë do të ishte vetëm rrezikimi i vetë ekzistencës së shtetit, dhe situata aktuale është ende larg këtij skenari.
Cohen shtoi se, edhe në skenarë ekstremë dhe të paimagjinueshëm, Izraeli nuk do të përdorte atë që zotëron pa paralajmërim të qartë dhe pa demonstrim të qartë të kapacitetit.
Ai vlerësoi gjithashtu se armët bërthamore izraelite nuk janë “gati për përdorim të menjëhershëm” dhe do të kërkonin bashkërendim me SHBA-në. Sipas tij, hera e vetme kur një qeveri izraelite e ka shqyrtuar seriozisht këtë mundësi ka qenë gjatë Luftës së Yom Kippur më 1973.
Irani mund të tentojë daljen drejt armës bërthamore
IAEA beson se rreth 220 kilogramë nga stoku iranian i uraniumit shumë të pasuruar ndodhen të varrosura në objektin e Isfahanit, i cili u godit nga SHBA-ja vitin e kaluar. Kjo do të thotë se më shumë se gjysma e stokut total të vlerësuar, prej 460 kilogramësh, mbetet e paidentifikuar, sasi që mund të mjaftojë për disa bomba nëse Irani vendos të ndjekë rrugën e armatimit bërthamor.
Ish-zyrtari i CIA-s dhe specialisti për Iranin, Ken Katzman, tha se një regjim iranian i dobësuar dhe i radikalizuar mund të ketë motivim për të zhvilluar armë bërthamore. Sipas tij, ekziston nxitja për ta pasur një armë të tillë si mjet frikësimi, në mënyrë që kjo situatë të mos përsëritet.
Megjithatë, ai theksoi se çdo përpjekje e tillë do të duhej të ishte shumë e shpejtë, pasi objektet bërthamore iraniane monitorohen nga afër. Ai shtoi se teknologjia iraniane për fazën kyçe të detonatorit të kokës bërthamore mbetet e paprovuar.
Edhe kështu, sipas David Albright, Irani ruan ende një pjesë të infrastrukturës së tij bërthamore, pavarësisht sulmeve të përsëritura ndaj objekteve kryesore.
Ai tha se shqetësimi kryesor do të ishte mundësia që Irani të vendoste një plan të vogël centrifugash me 300 deri në 400 centrifuga të avancuara, të cilat nuk i kishte aktivizuar deri tani. Nëse do të siguronte 50 deri në 100 kilogramë uranium të pasuruar, kjo mund të mjaftonte për një ose dy armë bërthamore.
Sipas Albright, një rrugë e tillë do të kërkonte shumë punë dhe nuk do të ishte aspak e lehtë për Iranin, por mbetet një mundësi që nuk mund të përjashtohet. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje