
Ish-shefi i CIA-s në Moskë, Rob Dannenberg, zbërthen skemën e manipulimit të Vladimir Putinit. Si po e shfrytëzon egon e Donald Trumpit dhe “karremin” e hotelit në Sheshin e Kuq për të gjunjëzuar Ukrainën...
Kur Rob Danenberg mbërriti në Moskë në fundin e viteve 1990 për të marrë një post të lartë në radhët e CIA-s, kryeqyteti rus ishte si një xhungël e vërtetë. Nën presidencën e Boris Jelcinit, shteti po shkërmoqej, gangsterët e armatosur dhe terroristët çeçenë përbënin rreziqe vdekjeprurëse, ndërsa shërbimet ruse të sigurisë ishin të padisiplinuara.
Kaosit i shtoheshin oficerët e pakënaqur të inteligjencës, të cilët mbanin një mëri të thellë për rënien e Bashkimit Sovjetik. Njëri prej tyre ishte Vladimir Putin. Danenberg e takoi për herë të parë ish-kolonelin e KGB-së gjatë një pritjeje në rezidencën e ambasadorit të SHBA-së.
Ai u rikthye në Moskë në fillim të viteve 2000 si shef i stacionit të CIA-s, pra si spiuni kryesor amerikan në Rusi. Ai kishte qasje të plotë në çdo informacion sekret dhe thotë se ata që shërbyen në Moskë, e kuptuan Putinin shumë më mirë se të tjerët.
Kur diktatori rus aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, Danenberg nuk u habit aspak. Për të, qëllimi i Putinit ka qenë gjithmonë i qartë: rindërtimi i ushtrisë dhe rivendosja nën kontrollin e ish-republikave sovjetike, ku Ukraina do të ishte elementi kyç i projektit.
Arti i manipulimit
“Jam marrë me KGB-në gjatë gjithë jetës sime. Prandaj e kuptoj shumë mirë se si mendon Putini”- thotë Danenberg. Dhe është pikërisht njohuria e tij se si stërviten spiunët rusë për të mashtruar dhe kontrolluar viktimat e tyre, që e shqetëson ish-zyrtarin e lartë në lidhje me bisedat e fundit të Putinit me Donald Trump.
Sipas veteranit të CIA-s, Putini sheh tek Trump një njeri të dobët, mendjemadh dhe me ego të madhe. Ai beson se presidenti aktual i SHBA-së është “jashtëzakonisht naiv” dhe i prekshëm ndaj ndikimit të Kremlinit. Shembujt e fundit të këtij manipulimi janë shumë të qartë.
Kur Trump u takua me Zelenskin në Florida, u zbulua se ai i kishte telefonuar Putinit paraprakisht. Më pas, Trump deklaroi në mënyrë të habitshme se “Putini dëshiron që Ukraina të ketë sukses në këtë luftë”.
Për Danenberg, këto janë shembuj se si Trump po manipulohet nga një “oficer i aftë çështjesh” si Vladimir Putini. “Ai nuk është monogam, është lakmitar dhe i magjepsur pas parasë. Këto janë elementë që një oficer inteligjence do t’i shfrytëzonte për ta bindur Trumpin të sillet në interesin e Moskës”- shton ai.
Ukraina si një “pikë kthese”
Danenberg nuk mund të mos dëshpërohet për pikën e kthesës ku ndodhet bota në fillim të vitit 2026. Ai argumenton se suksesi ose dështimi i pushtimit të Ukrainës do të përcaktojë të ardhmen e Perëndimit. Por administratës së Trump i mungon kuptimi i rëndësisë strategjike të këtij vendi.
Për Trumpin, përparësi ka biznesi dhe jo lufta. Në këto kushte, Putini po përdor të gjitha opsionet e mundshme të investimeve në Rusi si një “karrem” për Shtëpinë e Bardhë. Ndërsa negociatori i Trump, Stiv Uitkof, është një manjat pronash pa përvojë në diplomaci, i dërguari i Putinit është Kirill Dmitriev, kreu i Fondit Rus të Investimeve.
Danenberg e quan këtë një lëvizje të llogaritur për të luajtur me “lakminë e Trump-it”. Ndoshta Trump shpreson të ndërtojë një Hotel Trump në Sheshin e Kuq, por ish-shefi i CIA-s paralajmëron se sapo ai të mos jetë më president, rusët do t’i sekuestrojnë gjithçka dhe do t’i burgosin përfaqësuesit e biznesit të tij.
Sipas raporteve, Putini ka studiuar profilet psikologjike të zyrtarëve rreth Trumpit dhe ka kërkuar enkas që Uitkof të dërgohet në bisedime me të i pashoqëruar nga këshilltarët e CIA-s. Edhe pse Shtëpia e Bardhë mohon ndikimin e huaj, Danenberg mbetet skeptik.
Ai e pranon se taktikat e ashpra të Trump i detyruan evropianët që të investojnë më shumë në NATO, por shton se SHBA-ja e ka zhgënjyer Ukrainën që nga koha e Obamës dhe Bajdenit.
Mundësia e humbur për rrëzimin e Putinit
Ajo që po e zhgënjen më shumë veteranin e CIA-s është bindja e tij se regjimi i Putinit mund të shembet nëse Shtëpia e Bardhë do të forconte mbështetjen për Zelenskin. Ai thekson se Bashkimi Sovjetik u shpërbë pjesërisht për shkak të 15.000 të vdekurve në Afganistan.
Në Ukrainë, vlerësohet se kanë vdekur 250.000 rusë. “Trupat e tyre do të riktheheshin në Moskë, do të kishte një ndryshim të regjimit dhe ne do të fitonim”- thotë ai. Sipas tij, Putini nuk është aq i fortë sa e paraqet veten.
Rusia është një shtet i izoluar. Fqinjët si Suedia dhe Finlanda u bashkuan me NATO-n, dhe aleatët e saj në Siri e Iran po dobësohen. Danenberg bën thirrje që lufta të zhvendoset thellë brenda Federatës Ruse për ta bërë atë të dukshme për rusët e thjeshtë. Goditja e objekteve të naftës ka nisur të shkaktojë mungesa karburanti në pjesë të mëdha të vendit.
Trashëgimia e Trumpit
Zyrtarët rusë janë të shqetësuar për një krizë bankare në vitin 2026 dhe për rënien e të ardhurave nga energjia. Elitat ruse mund të fillojnë të pyesin nëse Vladimir Putini po i çon drejt greminës.
Megjithatë, Danenberg i frikësohet faktit se Trumpi do të ushtrojë presion ndaj Ukrainës për t’u dorëzuar, në vend se të ushtrojë presion maksimal mbi Rusinë për ndryshimin e regjimit. Danenberg nuk beson se Trump është një aset i rekrutuar i KGB-së, pasi provat do të kishin dalë tashmë.
Ai thotë se Trump thjesht ndikohet lehtë nga pasuria dhe pushteti. Ndërsa shijon jetën në pension, ish-spiuni paralajmëron se nëse Trump nuk është i kujdesshëm, trashëgimia e tij do
të jetë si ajo e Nevil Çamberlein, kryeministrit që u përpoq të qetësonte Hitlerin.
“Potencialisht, Rusia mund ta fitojë luftën ndaj Ukrainës, dhe kjo do të ketë pasoja për të gjithë ne”- thekson ai. Danenberg thotë se Perëndimi duhet të gjejë një mënyrë për t’u kundërpërgjigjur, sepse në të kundërt “Putini nuk do të ndalet.” /Përshtatur nga “The Intelligent Paper”/
Terr verr verr e terr verr verr, Lindjen nuk e permbysi CIA e FBI por vehtja e vet, deshtimi i sistemit te vet. Sa per CIA me shume ka punuar per vehte ku eksponentet e saj kane punuar per vehte me manipulimin e droges nga vendet e pushtuara. Ja psh. Gonigal e co. Ne filmat e Hollywood genjehet jo shume por edhe jo pak. Edhe Trapi ndjek lojen e tyre e punon per vehte te ngeje perandorine Trump ne te gjitha kryeqytetet e botes. Sa per Ukraina e Shqiperira fuck them.