TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Korrik 2026, 17:03

"Silivri është i ftohtë", burgu që u bë simbol i frikës për kundërshtarët e Erdoganit

Shkruar nga Pamfleti
"Silivri është i ftohtë", burgu që u bë
Ekrem İmamoğlu

Nga Bashkia e Stambollit në Silivri, historia e rivalit më të fortë të Erdoğan-it...

Në Turqi ekziston një shprehje që dëgjohet shpesh nga gazetarë, politikanë dhe aktivistë sa herë kritikojnë qeverinë e presidentit Recep Tayyip Erdoğan: "Silivri është i ftohtë." Nuk është një koment për motin, por një paralajmërim. Mjafton një deklaratë kundër pushtetit dhe rrezikon të përfundosh në kompleksin famëkeq të burgjeve në Silivri, ku mund të kalojnë muaj të tërë para se të dalësh përpara një gjykatësi.

Për dekada, Silivri njihej si një vend pushimi në brigjet e Detit të Marmarasë. Zona ishte e mbushur me vila verore, ferma të vogla familjare dhe shtëpi të rrethuara me kopshte. Por në mesin e viteve 2000, peizazhi ndryshoi. Mes fushave u ngrit kompleksi Marmara, i ndërtuar mes viteve 2005 dhe 2008.

Sot ai përfshin tetë burgje të sigurisë së lartë, një burg të hapur dhe godinën e gjykatës. Është kompleksi më i madh penitenciar në Evropë dhe vendi ku zhvillohen disa nga proceset më të rëndësishme politike në Turqi.

Banori më i njohur i tij është Ekrem İmamoğlu.

Ish-kryebashkiaku i Stambollit u arrestua më 19 mars 2025. Gjyqi ndaj tij nisi më 9 mars 2026 dhe pritet të zgjasë deri vitin e ardhshëm. Pak veta besojnë se ai do të shpallet i pafajshëm.

İmamoğlu konsiderohet rivali më i fortë politik i Erdoğan-it. Në zgjedhjet lokale të vitit 2024 ai fitoi bindshëm Bashkinë e Stambollit me mbi 51 për qind të votave. Tre javë pasi shpalli kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, Universiteti i Stambollit i anuloi diplomën universitare, duke e bërë të papërshtatshëm për të kandiduar.

Një mëngjes më vonë, qindra policë rrethuan rezidencën e tij.

Ai akuzohet për 142 vepra penale, mes tyre drejtim organizate kriminale, ryshfet, manipulim tenderësh publikë, sigurim të paligjshëm të të dhënave personale dhe një sërë akuzash financiare. Bashkë me të u arrestuan edhe 104 zyrtarë të Bashkisë së Stambollit.

Për shumë mbështetës të opozitës, arsyeja e vërtetë e arrestimit ishte fakti se ai i dha fund kontrollit 25-vjeçar të Erdoğan-it mbi Stambollin.

Në vitin 2019 ai fitoi zgjedhjet dhe ia kaloi drejtimin e qytetit Partisë Republikane Popullore (CHP), duke thyer dominimin e partisë në pushtet. Ish-futbollisti kishte ndërtuar reputacionin e një administratori pragmatist, me investime në transportin publik, shërbimet bashkiake dhe programet sociale. Shumë banorë të Stambollit e thërrasin thjesht "İmam".

Procesi gjyqësor zhvillohet brenda kompleksit të Silivrit. Për të arritur deri aty duhen rreth dy orë udhëtim nga qendra e Stambollit.

Hyrja kontrollohet nga xhandarmëria. Gazetarët pa autorizimin zyrtar nuk lejohen të futen. Brenda, një sallë e veçantë është rezervuar për median, ku reporterët ndjekin seancën përmes një ekrani të madh. Ata kalojnë orë të tëra aty, me filxhanët e kafesë turke pranë, duke pritur momentin kur seanca të nisë.

Në sallën e gjyqit, të pandehurit futen përmes një korridori që vjen direkt nga burgu. Kur shfaqen, familjarët ngrihen në këmbë, u bëjnë me dorë dhe u dërgojnë puthje nga larg.

Pak para orës 11:00, Ekrem İmamoğlu ngrihet në këmbë dhe merr mikrofonin.

"Ky proces është kthyer në një formë torture", thotë ai.

Ai deklaron se bashkëpunëtorët e tij janë "harruar në burg si gurë të hedhur në një pus" dhe shpreh shqetësimin për familjet e tyre, të cilat kanë mbetur pa të ardhura.

Ndërsa ai flet, oficerët e xhandarmërisë kontrollojnë vazhdimisht sallën për t'u siguruar që askush nuk po regjistron me telefon. Në gjykatat turke ndalohet fotografimi dhe filmimi i seancave dhe shkelësit mund të ndiqen penalisht.

Kështu, të vetmit që mund ta shohin nga afër rivalin kryesor të Erdoğan-it janë familjarët, avokatët, gazetarët e pranishëm dhe rojet e burgut.

Përplasja mes İmamoğlut dhe autoriteteve kishte nisur vite më parë. Pas fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2019, rezultati u anulua dhe votimi u përsërit. Në zgjedhjet e reja ai fitoi me një diferencë edhe më të madhe.

Më pas u dënua edhe në një çështje tjetër për fyerje të zyrtarëve zgjedhorë, ndërsa vendimi është ende në apel.

Edhe pas arrestimit, ai ka mbetur figura qendrore e opozitës. Posterët e tij mbuluan për javë të tëra rrugët e Stambollit, derisa autoritetet urdhëruan heqjen e tyre. Ekipi i tij vazhdon ta mbajë aktiv në jetën politike edhe përmes rrjeteve sociale dhe mesazheve të regjistruara.

Për shumë turq, Silivri nuk është më vetëm emri i një qyteti në periferi të Stambollit. Është bërë simboli i përplasjes mes pushtetit dhe opozitës, një vend që për shumëkënd mishëron frikën se kritika ndaj qeverisë mund të përfundojë pas hekurave. / Marrë me shkurtime nga "The Guardian"

imaoglu erdogan

Lini një Përgjigje