TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Korrik 2026, 16:33

BE dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare i përgjigjen Rubios: ICC nuk kërcënon sovranitetin e shteteve

Shkruar nga Pamfleti
BE dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare i përgjigjen Rubios: ICC nuk
Gjykata Penale Ndërkombëtare

Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj deklaratave të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili ka paralajmëruar masa për të kufizuar veprimtarinë e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), duke riafirmuar mbështetjen e plotë për institucionin dhe për parimet e Statutit të Romës.

Në deklaratën e përditshme për mediat, një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se BE-ja mbështet pavarësinë dhe paanshmërinë e Gjykatës dhe mbetet e angazhuar për drejtësinë penale ndërkombëtare dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë.

"Si Bashkim Evropian, konfirmojmë mbështetjen tonë për Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe për parimet e sanksionuara në Statutin e Romës. Respektojmë pavarësinë dhe paanshmërinë e Gjykatës. Sulmet ose kërcënimet ndaj Gjykatës, zyrtarëve apo stafit të saj janë thjesht të papranueshme", deklaroi zëdhënësi.

Komisioni Evropian theksoi gjithashtu se Gjykata Penale Ndërkombëtare "nuk merr në shënjestër shtetet dhe nuk përbën kërcënim për sovranitetin e tyre", duke kundërshtuar argumentet e paraqitura nga Rubio.

Reagimi vjen pasi sekretari amerikan i Shtetit deklaroi se administrata e presidentit Donald Trump synon të dobësojë veprimtarinë e ICC-së, duke argumentuar se gjykata ndërhyn në sovranitetin e Shteteve të Bashkuara dhe mund të vendosë në shënjestër ushtarakë dhe zyrtarë amerikanë për veprimet e tyre jashtë territorit të SHBA-së.

Edhe Gjykata Penale Ndërkombëtare shmangu përballjen direkte me deklaratat e Rubios, por riafirmoi mandatin dhe pavarësinë e saj.

Në një reagim për agjencinë italiane ANSA, një zëdhënës i ICC-së tha se institucioni nuk komenton deklaratat politike.

"Gjykata Penale Ndërkombëtare nuk synon të komentojë këto deklarata. ICC është një institucion gjyqësor ndërkombëtar që ushtron mandatin e tij në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, në përputhje me traktatin themelues, Statutin e Romës, i ratifikuar nga 125 shtete palë", deklaroi zëdhënësi.

Përplasja mes administratës Trump dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare është përshkallëzuar muajt e fundit, pas kritikave të Uashingtonit ndaj hetimeve të ICC-së për konfliktin në territoret palestineze dhe veprimeve të mëparshme të gjykatës që kanë prekur edhe çështje të lidhura me personelin amerikan.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka bërë të qartë se mbështetja për Gjykatën Penale Ndërkombëtare mbetet pjesë e angazhimit të tij për rendin juridik ndërkombëtar dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare.

haga rubio

Lini një Përgjigje