Ndërsa Europa po përballet me pasojat dhe përgjegjësinë morale të lidhjeve me Epstein, në Shtetet e Bashkuara mungesa e llogaridhënies politike bëhet gjithnjë e më e dukshme.
Zbulimet e reja mbi lidhjet e elitave politike dhe ekonomike me Jeffrey Epstein kanë sjellë pasoja të dukshme në disa vende europiane, ndërsa në Shtetet e Bashkuara reagimi institucional dhe politik mbetet i kufizuar.
Në Norvegji, një diplomat i lartë është pezulluar dhe policia ka hapur hetim ndaj një ish-kryeministri. Në Mbretërinë e Bashkuar, ish-ambasadori në SHBA është shkarkuar dhe ka dhënë dorëheqjen nga Dhoma e Lordëve; policia po shqyrton dyshime se ai ka ndarë informacione sensitive për tregjet me Epstein. Andrew Mountbatten-Windsor, i njohur më parë si Princi Andrew, është privuar nga titujt mbretërorë dhe rezidenca, ndërsa një fondacion bamirës i themeluar nga ish-bashkëshortja e tij, Sarah Ferguson, ka pezulluar aktivitetin pas publikimit të email-eve ku ajo shprehej me superlativa për Epstein.
Ndërsa klasa politike europiane po përpiqet të përballet me pasojat e këtyre lidhjeve, kontrasti me Shtetet e Bashkuara është i theksuar. Asnjë politikan i rangut të lartë amerikan nuk ka dhënë dorëheqjen, dhe pasojat janë kufizuar kryesisht në dëmtim reputacioni.
Në Britani, emërimi i ish-ambasadorit Peter Mandelson, i cili ka pranuar se gaboi duke ruajtur lidhjet me Epstein pas dënimit të tij, është kthyer në barrë politike për kryeministrin Keir Starmer. Edhe pse Starmer nuk e ka takuar kurrë Epsteinin, ai kërkoi publikisht falje viktimave, duke pranuar gabimin në emërim.
Në SHBA, Partia Republikane dhe ish-presidenti Donald Trump kanë shmangur përgjegjësinë politike për lidhjet e dokumentuara me Epstein. Trump ka mohuar çdo shkelje dhe ka deklaruar se marrëdhëniet me Epstein janë ndërprerë vite më parë. Nuk ka prova që e lidhin atë me rrjetin kriminal të Epstein.
Edhe figura të tjera të administratës amerikane, si Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick, kanë mbetur në detyrë pavarësisht publikimit të dokumenteve që sugjerojnë marrëdhënie më të afërta sesa ishte deklaruar më parë. Po ashtu, drejtues të institucioneve financiare dhe akademike kanë ruajtur pozicionet e tyre, duke shprehur vetëm keqardhje publike për njohjen me Epstein.
Sipas kritikëve, ky reagim i vakët pasqyron një ulje të standardeve të përgjegjësisë publike në SHBA, e lidhur me polarizimin politik dhe kulturën e mospranimit të fajit gjatë epokës Trump. Norm Eisen, ish-ambasador amerikan dhe kritik i administratës Trump, vlerëson se “ata që duhet të ndjejnë turp po tërhiqen dhe po presin që stuhia të kalojë”.
Megjithatë, disa figura amerikane janë tërhequr nga jeta publike, përfshirë ish-Sekretarin e Thesarit Larry Summers dhe drejtues të institucioneve kulturore. Për shumë emra të tjerë të njohur, pasojat kanë mbetur kryesisht në nivelin e imazhit.
Elon Musk ka theksuar se thelbi i çështjes nuk është publikimi i dokumenteve, por ndjekja penale e atyre që kanë kryer krime. “Pa arrestime, kjo mbetet një shfaqje pa drejtësi reale,” ka shkruar ai.
Sipas Rufus Gifford, ish-ambasador amerikan në Danimarkë, pyetja kryesore për shoqërinë amerikane është pse reagimi nuk është i njëjtë me atë europian dhe nëse ky standard i dyfishtë ka ekzistuar edhe para Donald Trumpit. /Përshtatur nga "Politico"
Lini një Përgjigje