Autoritetet italiane po hetojnë një seri dëmtimesh të qëllimshme në infrastrukturën hekurudhore, të regjistruara mëngjesin e 7 shkurtit në disa zona të Italisë qendrore dhe veriore, me pasoja të ndjeshme në qarkullimin e trenave, veçanërisht në nyjën hekurudhore të Bolonjës. Deri tani nuk ka marrë përgjegjësi dhe nuk janë gjetur shenja apo mesazhe të qarta, por hetuesit flasin për veprime të koordinuara me karakteristika të ngjashme.
Hetimet po kryhen nga Digos, nën koordinimin e Prokurorisë, dhe po zhvillohen në të gjitha drejtimet. Megjithatë, sipas burimeve hetimore, pista anarkiste konsiderohet më shumë se një hipotezë e thjeshtë.
Sipas informacioneve zyrtare, në zonën e Castel Maggiore, pranë Bolonjës, është shpërthyer një pus teknik, duke dëmtuar kabllot e nevojshme për funksionimin e linjës së trenave të shpejtësisë së lartë që lidhin Venecian me stacionin nëntokësor të Bolonjës. Në vendngjarje ndërhynë forcat e policisë hekurudhore, ndërsa u gjet edhe një mjet artizanal shpërthyes në të njëjtën linjë.
Një tjetër incident u regjistrua në linjën Bolonjë–Ankona, në territorin e Pesaro-s, ku shpërtheu një kabinë teknike. Atje ndërhynë edhe zjarrfikësit. Dëmtimet shkaktuan devijime dhe vonesa të shumta, si për trenat e shpejtësisë së lartë, ashtu edhe për ata të linjës konvencionale. Situata u normalizua gradualisht gjatë ditës dhe rreth mesditës trenat AV rifilluan ndalesat në stacionin nëntokësor të Bolonjës.
Ngjarjet ndodhën në një moment simbolik, paralelisht me hapjen e Lojërave Olimpike, duke sjellë në kujtesë episode të ngjashme sabotazhi të regjistruara së fundmi edhe në Paris.
Ministri italian i Transporteve, Matteo Salvini, reagoi ashpër ndaj zhvillimeve, duke folur nga Bormio, ku ndodhej për Lojërat Olimpike Milano–Cortina. “Më vjen keq që, ndërsa këtu gjithçka po shkon mirë, lexoj lajme nga Bolonja për një atentat në linjën hekurudhore që po paralizon qarkullimin. Është një akt kriminal. Nëse konfirmohet se bëhet fjalë për një atentat të paramenduar, pikërisht në ditën e parë të Olimpiadës, atëherë dikush po i do të keqen Italisë,” deklaroi Salvini.
Lini një Përgjigje