
Bashkimi Evropian nuk arriti të miratonte një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, duke vënë në pah një tjetër përçarje të brendshme mes shteteve anëtare përballë luftës në Ukrainë. Lajmin e bëri publik vetë Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, pas një takimi të ministrave të jashtëm në Bruksel.
“Jam shumë e trishtuar që nuk arritëm marrëveshje sot. Ishim shumë afër sigurimit të Sllovakisë – Komisioni përmbushi gjithçka që kërkuan”, u shpreh Kallas para gazetarëve, duke bërë të qartë se pengesa e vetme tashmë mbetet Bratislava, e cila nuk ka dhënë ende dritën jeshile për paketën e re ndëshkuese ndaj Kremlinit.
Europa nguron, Rusia bombardon
Deklarata e Kallas vjen në një moment kritik: sipas saj, Rusia ka intensifikuar fushatën e bombardimeve në Ukrainë, me nivele rekord gjatë javëve të fundit, si dhe ka përdorur “në mënyrë të përsëritur armë kimike të ndaluara”, sipas vëzhgimeve të BE-së.
“E vetmja mënyrë për ta detyruar Putinin të përfundojë këtë luftë është ta shtyjmë drejt një zgjidhjeje përmes presionit të bashkuar. Rusia nuk kërkon paqe, dhe kjo është më e qartë se kurrë”, theksoi Kallas.
Në këtë kontekst, paketa e re sanksionesh konsiderohet si një ndër më të fortat e propozuara ndonjëherë nga BE-ja, me masa të ashpra ekonomike, ndalim eksporteve teknologjike dhe goditje financiare në sektorët e energjisë dhe industrisë ruse.
Trump dërgon armë, BE heziton
Në të njëjtën dalje, Kallas përshëndeti vendimin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të dërguar më shumë armë në Ukrainë. “E mirëpresim njoftimin e Presidentit Trump. Por, do të donim që SHBA të ndante barrën, nëse veprojmë bashkë, mund të ushtrojmë presion real mbi Putinin,” tha ajo.
Kjo deklaratë përforcon realitetin e një bashkëpunimi më të ngushtë transatlantik, por gjithashtu nxjerr në pah tensionet e brendshme në BE, ku mungesa e një zëri të unifikuar po pengon vendimmarrjen në çështje të sigurisë dhe politikës së jashtme.
Sllovakia në qendër të vëmendjes: “Topi është në fushën e tyre”
Duke theksuar rolin vendimtar të Sllovakisë, Kallas u shpreh: “Kanë kaluar tashmë dy muaj. Ne duhet ta përfundojmë këtë marrëveshje. Topi është në fushën e Sllovakisë”.
Bratislava, një nga zërat më të zëshëm pro-balancës mes Rusisë dhe Perëndimit, ka ngritur shqetësime mbi efektet ekonomike të sanksioneve në industrinë e saj të brendshme, një linjë që është përplasur me presionin në rritje nga shtete si Polonia, Lituania dhe Gjermania që kërkojnë masa më të forta kundër Kremlinit.
Lini një Përgjigje