TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Janar 2026, 22:48

“Spiegel”: Qeveria gjermane gati të përdorë “bazukën” tregtare kundër SHBA-së

Shkruar nga Pamfleti
“Spiegel”: Qeveria gjermane gati të përdorë
Macron & Merz

Kriza ndërkombëtare për Groenlandën po hyn në një fazë të re përshkallëzimi. Sipas një raporti të brendshëm të siguruar nga revista gjermane Der Spiegel, Gjermania po shqyrton përdorimin e armës më të fortë tregtare të Bashkimit Evropian, të njohur si “bazuka tregtare”, nëse Shtetet e Bashkuara e çojnë përpara kërcënimin për aneksimin e Groenlandës dhe vendosjen e tarifave ndëshkuese ndaj vendeve të BE-së.

Bëhet fjalë për një dokument zyrtar të Ministrisë së Jashtme gjermane, drejtuar përfaqësuesit të Berlinit në Bruksel, ku përshkruhet qartë qëndrimi që duhet të mbahet në konsultimet me partnerët evropianë:
“Nëse SHBA e konkretizon kërcënimin, duhet të jemi të përgatitur për një përplasje tregtare. Është e nevojshme të qëndrojmë të palëkundur përballë retorikës së Trumpit dhe të shqyrtojmë të gjitha mjetet tona politike.”

Në qendër të këtij arsenali qëndron “Instrumenti kundër shantazhit ekonomik”, një mekanizëm i miratuar nga BE në vitin 2023, që i jep Brukselit fuqinë për të bllokuar kompani të huaja nga tenderët publikë apo për të vendosur tarifa të rënda, nëse një vend i tretë ushtron presion ekonomik ndaj një vendi anëtar.

Ky instrument, i cili përkufizohet si “bazuka tregtare”, po merret seriozisht për herë të parë kundër një aleati të NATO-s, për shkak të kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili në fundjavë u dërgoi sinjal të qartë Gjermanisë dhe 7 vendeve të tjera evropiane: ose të mos bllokojnë projektin amerikan për Groenlandën, ose do të përballen me tarifa 10% që hyjnë në fuqi më 1 shkurt dhe rriten në 25% në qershor.

Kancelari gjerman Friedrich Merz, ndonëse ka mbajtur deri tani një ton më të butë sesa homologu francez Emmanuel Macron, nuk e përjashtoi opsionin e përgjigjes së fortë: “Si evropianë, duhet të veprojmë me maturi, por edhe me vendosmëri përballë provokimeve të tilla”, deklaroi ai të hënën, duke lënë derën hapur për përdorimin e instrumentit si mjet presioni.

Në Bruksel, skenari që po përgatitet është fillimisht aktivizimi teknik i instrumentit pa e përdorur menjëherë, si sinjal paralajmërues. Përdorimi real i tij mund të përshpejtojë përplasjen ekonomike SHBA–BE, në një moment ku krizat në Arktik dhe Ukrainë kanë tensionuar në maksimum marrëdhëniet transatlantike.

 

gjermania shba merz bazuka tregtare

Lini një Përgjigje