TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Mars 2026, 15:51

Spiralet e luftës në Lindjen e Mesme/ Izraeli sulmon Libanin, SHBA dërgon më shumë forca; 18 ushtarë amerikanë të plagosur

Shkruar nga Pamfleti
Spiralet e luftës në Lindjen e Mesme/ Izraeli sulmon Libanin, SHBA
Bejruti në flakë

Izraeli ka intensifikuar sulmet ndaj objektivave të Hezbollahut në Liban, ndërsa nuk përjashton një ndërhyrje tokësore, në një përshkallëzim që lidhet me tensionet më të gjera me Iranin. Ndërkohë, SHBA raportojnë katër ushtarakë të vrarë dhe 18 të plagosur rëndë gjatë operacioneve të fundit në rajon, duke thelluar krizën në Lindjen e Mesme...

Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme po shtrihet në disa fronte njëkohësisht, ndërsa Izraeli, Hezbollahu, Irani dhe Shtetet e Bashkuara janë përfshirë drejtpërdrejt në zhvillimet e fundit ushtarake.

Ushtria izraelite njoftoi të hënën se ka ndërmarrë sulme të reja ndaj objektivave të Hezbollahut në të gjithë Libanin, pasi më herët kishte lëshuar paralajmërime për evakuimin e zonave në jug të vendit. Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) deklaruan se operacioni erdhi pasi Hezbollahu lëshoi disa predha drejt një baze ushtarake në veri të Izraelit, duke e cilësuar sulmin si hakmarrje për vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se ushtria do të veprojë “me forcë kundër Hezbollahut”, duke theksuar se Izraeli nuk do të shpërqendrojë vëmendjen dhe kapacitetet e tij nga përballja me Iranin.

Zëdhënësi i IDF-së, gjeneral brigade Effie Defrin, deklaroi se Izraeli nuk e përjashton mundësinë e një ndërhyrjeje tokësore në jug të Libanit, në përgjigje të sulmeve me raketa të natës. Ai konfirmoi se ushtria ka urdhëruar evakuimin e më shumë se 50 fshatrave në jug të Libanit.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po shtojnë praninë ushtarake në Lindjen e Mesme. Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) njoftoi se katër ushtarakë amerikanë janë vrarë gjatë operacioneve kundër Iranit. Sipas zëdhënësit të CENTCOM-it, kapiten Tim Haëkins, gjithsej 18 pjesëtarë të forcave amerikane janë plagosur rëndë.

Burime të cituara nga CNN konfirmuan se katër ushtarakët humbën jetën në të njëjtin sulm në Kuvajt. Fillimisht, autoritetet amerikane kishin raportuar për tre të vrarë dhe pesë të plagosur rëndë, por bilanci u përditësua më pas në katër viktima dhe 18 të plagosur rëndë.

Zhvillimet e fundit tregojnë se përplasja mes Izraelit dhe Hezbollahut po ndërthuret me përballjen më të gjerë mes SHBA-së dhe Iranit, duke rritur rrezikun e një konflikti rajonal me pasoja të gjera. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa aktorët kryesorë ushtarakë vazhdojnë operacionet dhe paralajmërimet për hapa të mëtejshëm.

Lini një Përgjigje