TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Shkurt 2026, 12:15

Spiunazh dhe spastrime: Si po përpiqet CIA të rekrutojë elitën ushtarake të Kinës

Shkruar nga Federico Giuliani
Spiunazh dhe spastrime: Si po përpiqet CIA të rekrutojë
Xi Jinping

Shkarkimi i gjeneralëve të lartë, ka krijuar një mundësi të artë për inteligjencën amerikane. Por ky provokim i hapur ka nxitur reagimin e ashpër të Pekinit, duke e çuar në një nivel të ri përplasjen mes dy vendeve...

Çfarë po ndodh realisht me ushtrinë kineze? Ajo ka kaluar një proces kalitjeje revolucionare në luftën kundër korrupsionit, shpjegoi Xi Jinping në një fjalim të rrallë publik, duke iu referuar goditjes së fundit që çoi në shkarkimin e figurës më të lartë ushtarake të vendit, Zhang Youxia.

Deri vonë ai ishte aleati më i ngushtë i udhëheqjes në fuqi, por sot akuzohet për shkelje serioze të disiplinës dhe ligjit. Megjithatë dyshimet mbeten dhe ato shtohen pas publikimit të një videoje të re nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA).

Klipi i agjencisë amerikane fokusohet pikërisht te korrupsioni që po trondit radhët e larta të Ushtrisë Çlirimtare Popullore, të njëjtat akuza që çuan në spastrimin e zyrtarëve të lartë dhe udhëheqësve të Komitetit Qendror Ushtarak, organit që kontrollohet nga Xi dhe që drejton forcat e armatosura.

Mesazhi është i qartë pasi CIA u bën thirrje zyrtarëve ushtarakë kinezë, të cilët ndihen të zhgënjyer apo të frikësuar nga spastrimet, që të ndajnë informacione të ndjeshme me Uashingtonin.

Videoja, e realizuar në gjuhën mandarine dhe me titra në anglisht, titullohet “Shpëtoni të ardhmen!” dhe është shpërndarë gjerësisht në YouTube dhe rrjete të tjera sociale.

Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, deklaroi se fushata e vitit të kaluar arriti te shumë qytetarë kinezë dhe se agjencia e di që ka shumë individë që kërkojnë mënyra për të përmirësuar jetën e tyre dhe për ta ndryshuar vendin për mirë.

Ai shtoi se do të vazhdojnë t’u ofrojnë zyrtarëve qeveritarë dhe qytetarëve kinezë mundësinë për të punuar së bashku për një të ardhme më të mirë. Në videon më të fundit, narratori është një oficer ushtarak imagjinar, i cili ankohet se e vetmja gjë që udhëheqësit e partisë duan të mbrojnë janë xhepat e tyre.

Ai vijon me tone kritike duke thënë se ata e kanë ndërtuar karrierën mbi një themel gënjeshtrash dhe se ndërsa muret po shemben ngadalë, njerëzit e thjeshtë detyrohen të pastrojnë rrëmujën e tyre, ndërkohë që çdo njeri i kualifikuar për të udhëhequr konsiderohet kërcënim dhe largohet pa ceremoni.

Klipi zhvendoset në shtëpinë e oficerit, ku shfaqen bashkëshortja dhe vajza e tij, teksa narratori shprehet se nuk mund të lejojë që çmenduria e udhëheqjes të ndikojë në të ardhmen e fëmijës së tij.

Videoja përfundon me logon e CIA-s dhe sugjerimin se mënyra më e mirë për t’i shërbyer Kinës është duke ndihmuar agjencinë amerikane të mbledhë sekrete. Mund të jetë thjesht një rastësi, por videoja e CIA-s u publikua vetëm dy javë pas shkarkimit të Zhang Youxia-s, njeriut numër dy në Komisionin e fuqishëm Qendror Ushtarak, së bashku me gjeneralin Liu Zhenli.

Shkarkimi i Zhang, i cili pason dhjetëra operacione të ngjashme kundër gjeneralëve të lartë, shkaktoi trazira të mëdha çka duket se e ka shtyrë agjencinë amerikane ta shfrytëzojë sa më shumë këtë moment dobësie.

Ndonëse CIA ka mohuar lidhjen e drejtpërdrejtë me spastrimet, e përditshmja amerikane Neë York Times, raportoi se zyrtarët amerikanë besojnë se ekziston një grup i gjerë figurash në sistemin kinez që mund të rekrutohen potencialisht. Këto video janë pjesë e përpjekjeve për të rindërtuar rrjetin e spiunazhit në Kinë pas dëmtimit të rëndë që pësoi vite më parë.

Ambasada kineze në SHBA, ka reaguar ashpër përmes zëdhënësit Liu Pengyu, duke deklaruar se videoja përbën një shkelje serioze të interesave kombëtare dhe një provokim të hapur politik. Ai paralajmëroi se Kina do të marrë të gjitha masat e nevojshme, për të luftuar infiltrimin dhe sabotimin nga forcat e huaja./ Përshtati "Pamfleti" nga “Il Giornale”

Lini një Përgjigje